Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se përveç dy seancave plenare, do të jetë një seancë e posaçme në Parlament, ku do të votohet për raportin e Komisionit Hetimor për Shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

I ftuar në emisionin “Real Story”, Balla teksa nuk u tërhoq nga vendimi për shkarkimin e Metës, tha se në 30 korrik, këtij komisioni i mbaron afati, ndaj edhe duhet të sjellë raportin e tij.

“Do jetë dhe një seancë tjetër, ku do të votohet raporti hetimor për shkarkimin e presidenti Ilir Meta. Do të jetë në këtë interval. Është konferenca e kryetarëve që e përcakton këtë. Ky komision hetimor e mbaron mandatin e tij në 30 korrik, ndaj duhet të depozitojë raportin në Kuvend. Presidenti ka pasur një seri shkeljesh dhe komisioni do të vlerësojë këto shkelje. Presidenti i Republikës…për shkrirjen apo shpërndarjen e parlamentit e kam dhënë njëherë. Sa i takon legjitimitet të Kuvendit, presidenti i Republikës ka firmosur një numër të madh aktesh të miratuara nga ky institucion, edhe me 120 vota. Ai i ka formësuar dhe bashkëvepruar me qeverinë në këtë këndvështrim. Presidenti të ruaj koherencën, ose mos ta bëjë qasjen sipas sezoneve të caktuara dhe të bëjë ulje ngritjet e veta.”, tha Balla.

Po ashtu Balla tha se ka kërkuar shkarkimin e tij, dhe nuk është gjyqtar në këtë çështje.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në çështjet në hetim parlamentar për aktin e palogjikshëm të çdekretimin e datës së zgjedhjeve, ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën. Kjo është e qartë. Venecia ka konstatuar se shkelja është, por nuk është e rëndë që të justifikojë shkarkimin. Ajo që për mua është e rëndësishme është se ky Komision Hetimor duhet të bëjë detyrën. Parlamenti i Shqipërisë, dhe për shkeljet e tjera, është ai që të dalë me rekomandime të qarta dhe mos të ndodhin më situata të tilla. Presidenti duhet ta ketë të qartë se thirrjen për datën e zgjedhjeve e ka brenda atij afati të përcaktuar. Unë jam kryetar i shumicës, por jo Komisionin Hetimor. Jam kërkues për shkarkimin, por jo gjyqtari. Duhen 94 vota për të shkarkuar presidentin.”,- pohoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: