Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës, Ilir Beqaj, foli në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për betejën politike të 25 prillit.

Mes të tjerash, Beqaj tha se PS synon të marrë katër mandate në Qarkun e Shkodrës më 25 prill, ndërsa renditi arsyet, pse sipas tij, shkodranët duhet të votojnë këtë forcë politike.

Pjesë nga intervista:
Si duket situata në Shkodër?
Ilir Beqaj: Situata është parazgjedhore, ka ndjeshmëri të plotë që zgjedhjet po afrojnë, e shoqëruar kjo me situatën e pandemisë. Edhe në Shkodër deri para dy javësh e gjysmë kishim ende prezencë uji, nga përmbytjet. Beteja elektorale do vazhdojë të zhvillohet në kushtet e pandemisë.

Pse duhet të votojë Shkodra PS?
Për të përfunduar punët që kemi nisur, për të vijuar me projekte të mëdha konkrete që kemi për Shkodrën dhe të miratuara. Po përgatiten projektet dhe do fillojnë procedurat. Por edhe sepse ne besoj se kemi treguar se jemi të zotë për t’u përballur me betejat që kemi sot, kryesisht me Covid-in.

Si do ua kërkoni votën qytetarëve, që përmbyten?
Reshjet e shiut në këtë janar ishin më të larta se vitet e tjera. Nuk ka asnjë krerë gjë e gjallë të mbytur, asgjë territor nën ujë. Ka pasur një menaxhim optimal të kaskadës në Shkodër, që ka bërë që situata të mos jetë e rëndë. Një arsye tjetër pse pasojat nuk ishin si më parë ka qenë dhe ndërhyrjet që janë bërë.

A do jeni ju në krye të listës për Shkodrën?
Unë do të jem në listën e Qarkut të Shkodrës, ndërkohë që po vlerësojmë në Kryesinë e PS pozicionimin e drejtuesve të qarqeve. Kësaj here nuk kemi pjesën e listës klasike, kemi një listë më të hapur.

Cili është limiti i mandateve që synon PS në Shkodër?
Herët tjera kemi marrë 4 mandate në Shkodër. Edhe kësaj here synimin e kemi për 4 mandate. Në këto 4 mandate besoj se bëjmë të njëjtin kontribut si në 2017 për të fituar betejat e rëndësishme, me të cilat ndeshet vendi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb