NGA DARINA TANUSHI* TIRANE-Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste që zgjati rreth 1 orë, deputetët vendosën të mbështesin kandidaturën e Genti Sejkos të propozuar nga Këshilli Mbikëqyrë i Bankës së Shqipërisë për anëtar të këtij Këshilli. Po kështu, deputetët kanë hedhur firmat për dy emrat që i propozon Kuvendit si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, që do të jenë Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola. Kandidatura e ish-ministrit socialist të Financave, Arben Malaj, për pozicionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës duket se nuk ka marrë mbështetjen nga ish-kolegët e tij.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit kuvendor socialist pohuan dje për “Gazeta Shqiptare” se deputeti socialist, Namik Dokle ka kërkuar sqarime nga kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe për mënyrën e vlerësimit të mospranimit të kandidaturës së Malajt. Në sqarimin e tij, Braçe ka thënë se “në këtë proces ne jemi angazhuar për depolitizimin e Këshillit Mbikqyrës së BSH-së dhe mos harrojmë se ky është një kusht edhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar”.

Ndërkohë që në “replikë” ndaj këtij argumenti, deputeti tjetër socialist, Pandeli Majko është shprehur se “Malaj ka kohë që nuk merret më me politikë aktive”. Arben Malaj aplikoi për një nga pozicionet e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së që votohen nga Kuvendi, pas vendeve që u lanë bosh vitin e shkuar nga Arjan Kadareja dhe Halit Xhafa, por duket se i mungoi pikërisht mbështetja nga kolegët e tij në Kuvend. Përpara se sa deputetëve t’u propozohej kjo zgjidhje, ishte kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili informoi kolegët në lidhje me dy kandidatët e përzgjedhur, por edhe me kandidaturën e Genti Sejkos. Pak ditë më parë, kur Sejko ishte propozim i Presidentit të Republikës, Braçe u shpreh kundër, ndërsa më pas, kur emri i Genti Sejkos u propozua nga Banka e Shqipërisë, Braçe u shpreh se “tanimë ishte kthyer në ligjshmëri procesi”, për plotësimin e vendeve vakante në BSH. Emrat pritet të votohen ditën e mërkurë në seancën e fundit të Kuvendit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: