TIRANË- Partia Socialiste deklaroi sot se ka ndërmarrë një proces për verifikimin e figurës për secilin prej kandidatëve të ASHE-së, në përfundim të së cilit nuk ka rezultuar asnjë kandidat me rekorde kriminale, as në Shqipëri e as jashtë saj. Reagimi i Partisë Socialiste vjen një ditë pas publikimit në media të kandidatëve të majtë që figurojnë të inkriminuar. Selia rozë thekson se pas ngritjes së një grupi pune të kësaj force, është kryer verifikimi i figurës për secilin prej kandidatëve të ASHE-së.

“Ky proces verifikimi është kryer duke kërkuar informacion pranë institucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Në përfundim të procesit të verifikimit nuk ka rezultuar asnjë kandidat me rekorde kriminale, as në Shqipëri e as jashtë Shqipërie”, konfirmon PS.

Partia Socialiste deklaron se mbështet fort dhe hapur çdo nismë që ndalon personat me precedentë penalë të zgjidhen apo emërohen në pozicione drejtuese të shtetit shqiptar.

DEKLARATA E PLOTË E PS

Duke marre shkas nga disa shkrime të ditëve të fundit në media, ku hidhen dyshime mbi pastërtinë e figurës së dy kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Partia Socialiste thekson se:
Pas ngritjes së një grupi pune të Partisë Socialiste, është kryer verifikimi i figurës për secilin prej kandidatëve të ASHE. Ky proces verifikimi është kryer duke kërkuar informacion pranë institucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Në përfundim të procesit të verifikimit nuk ka rezultuar asnjë kandidat me rekorde kriminale, as në Shqipëri e as jashtë Shqipërie.
Në çdo demokraci, fajësia e qytetarit vendoset nga Gjykata. Në çdo demokraci, çdo qytetar është i pafajshëm deri në momentin që një gjykatë, bazuar në prova dhe fakte, vendos ta fajësojë atë përmes një vendimi të formës së prerë.
Deri më sot, në median e shkruar dhe elektronike, kanë qarkulluar fjalë dhe hamendësi për precedentë penale të kandidateve të shumicës apo të opozitës. Por deri më sot, në asnjë media të shkruar apo elektronike, nuk është publikuar asnjë vendim i vetëm që ngarkon ndonjë kandidat të Aleancës për Shqipërinë Europiane me precedentë penalë.
Për sa kohë jetojmë në demokraci, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara; për sa kohë jemi zotuar për të respektuar pikë për pikë Kushtetutën e Republikës, është mirë që akuzat publike të shoqërohen me fakte dhe prova. Në të kundërt, ato mbeten thjesht dhe vetëm thashetheme.
Partia Socialiste mbështet fort dhe hapur çdo nismë që ndalon personat me precedentë penalë të zgjidhen apo emërohen në pozicione drejtuese të shtetit shqiptar. Madje, Partia Socialiste është duke punuar për të depozituar pranë Parlamentit të Shqipërisë edhe një nisme ligjore që mbështet këtë parim.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: