Nga: David Hearst, Middle East Eye
Muhamed bin Zayed (princi i kurorës së Emirateve të Bashukara Arabe), i cili konsiderohet një Darth Vader (personazh imagjinar tek filmi Star Wars) i Lindjes së Mesme, ka në plan të krijojë një Perandori Galaktike “të shteteve të moderuara islamike”, liberale në emër por policore në praktikë, që të gjithë të përfundojnë duke paguar haraç për Death Star, Abu Dhabin. Trajnerët ushtarakë të Emirateve sapo janë dëbuar nga Somalia, pasi 9.6 milion dollarë u konfiskuan në një aeroplan emiratas. Planet e princit të kurorës për të krijuar një varg portesh përgjatë Oqeanit Indian, përfshirë Berbera në Somalilandin e shkëputur, kanë marrë si rezultat një goditje të rëndë. Planet e tij për Libinë nuk po ecin më mirë. Marshalli i vetë-emëruar i fushës, Khalifa Haftar, u kthye i çalë në shtëpi pas një mungese të zgjatur në një spital në Paris. Ai është raportuar të ketë kancer në mushkëri që i ka shkaktuar metastazë edhe në tru.

Në vijën e zjarrit
Nga ana tjetër, armiqtë e Haftarit janë me shëndet të fortë. Udhëheqësit e dy qytetshteteve ndërluftuese, Misrata dhe Zintan, janë pajtuar. (Zintanët përfaqësonin shansin më të mirë të Haftarit për të vendosur një prani ushtarake në Libinë perëndimore). Dhe një nga kundërshtarët më të shquar të Haftarit, që kryesonte anëtarin e Vëllazërisë Myslimane Khalid Al Mishri, sapo është votuar si kreu i Këshillit të Lartë të Shtetit. Lufta në Jemen vazhdon të bluajë. Ambasadori saudit në Uashington, Princi Khaled bin Selman, një ish-pilot luftarak, pohoi në një “tweet” se vëllai i tij më i madh Princi i Kurorës Muhamed bin Selman, kishte urdhëruar sulmin që vrau Salah Al Sammad, kreun e Lartë i Këshillit Politik Houthi (rebelët e Jemenit). Por nuk është diçka e zgjuar të flasësh për këtë vrasje. Dy grupe, Houthi dhe krahu shia proiranian në Irak, janë zotuar të marrin hak për vdekjen e udhëheqësit të tyre duke vrarë anëtarët e familjes mbretërore saudite. Bin Selmani, i cili është gjithashtu ministri i mbrojtjes që filloi luftën “rrufe” kundër Jemenit, është i pari në listë. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai tani udhëton me tre unaza truprojesh.

Më gjerësisht, ndërhyrja Saudite-Emiratase ka kohë që e ka humbur edhe mbështetjen e atyre jemenasve që i ftuan në vendin e tyre dhe që duhet të ishin aleatët e tyre natyrorë. Presidenti në mërgim i Jemenit, Abd Rabbuh Mansour Hadi, është bërë de facto i vetëburgosur në pallatet e Riadit. Ai u detyrua të nënshkruante një dokument që pranon “formimin e një komiteti trepalësh” me Saudinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe “për të marrë pjesë në menaxhimin e situatës së vendit të tij”. Raporte si këto duket se konfirmojnë pikëpamjen e Jemenit se lufta që duhej të ishte për “çlirim” tashmë është shndërruar në luftë pushtimi. Hadi sapo kishte humbur një betejë pushteti me milicitë e kontrolluara nga Emiratet për kontrollin e aeroportit të Adenit. Më pas u poshtërua edhe më keq kur ai (Hadi) dhe menaxheri i zyrës së tij Abdullah Al Alimi, u transferuan në një dhomë me një krevat divan, dy kolltuqe dhe pa batanije për 24 orë, pas takimit me mbretin në rezidencën e tij.

Llogari të gabuara
Çuditërisht, zhgënjimi më i madh i bin Zayed dhe vlerësimi i gabuar i tij më i shtrenjtë mund të rezultojë të jetë asnjë nga këto: Somalia, Libia apo Jemeni. Ai ende mund të humbasë bastin më thelbësor që ka vendosur: vetë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Bin Zayed e zbuloi Trump-in herët në fushatën presidenciale amerikane, kur Hillary Clinton ishte ende më e preferuara në garë.

Clinton kishte shumë eksperiencë të gjatë në politikën e jashtme që nuk i interesonte Emirateve. Ata kishin nevojë për një rishtar agresiv, një faqe vërtet bosh në të cilën dikush i shpejtë dhe i pasur mund të diktonte skenarin. Kështu që Trump ishte një mundësi që Emiratasit nuk mund ta humbnin. Bin Zayed tërhoqi me vete edhe një rishtar tjetër – një princ i ri, Bin Selman, i cili më pas u bë princi i kurorës saudit – dhe në fund të vitit 2015 e mori atë në një udhëtim kampingu me shqiponja në shkretëtirë, ekuivalenti i një raundi golfi. Të dy u panë në një jaht me manjatin libanezo-amerikan George Nader, i përdorur nga administratat e njëpasnjëshme amerikane për të ridimensionuar rajonin (Lindjen e Mesme).

Bin Zayed e udhëzoi Bin Selmanin se çfarë duhej të bënte për t’u bërë mbret. Mësuesi makiavelian dinte si të ushqente ambiciet e një princi të uritur për pushtet. Bin Zayed e prezantoi bin Selmanin në Izrael, pastaj dhe në familjen e Trumpit, dhe e promovoi atë në Uashington, duke përdorur ambasadorin e tij të aftë dhe hiperaktiv Youssef Al Otaiba. Kjo ndodhi kur kushëriri i vjetër i tij (i Bin Selmanit), Muhamed bin Nayef, ishte ende brum i krijimit të inteligjencës amerikane. Otaiba arriti me sukses ta shkatërrojë reputacionin e bin Nayef.

Vizita vonuar
Dy princat e kurorave shpenzuan literalisht një pasuri të tërë për të blerë favoret e Trumpit – deri 500 miliardë dollarë në kontrata mbrojtjeje për dekadën e ardhshme vetëm nga Saudia.
E gjithë kjo duhej të kulmonte në një seri vizitash mbretërore në Uashington, nga të cilat bin Zayed u pozicionua si i fundit. Ishte planifikuar të shkonte në fund të Prillit, por tanimë është konfirmuar shtyrja e kësaj vizite. Larg nga të qenit fazë në të cilën Bin Zayed dhe Bin Selman mund të mbajnë, SHBA-ja nuk duket se po gjen terren të fortë për të manovruar. Është mjaft e vërtetë që mediat masive janë të lehta për tu mashtruar. Think-tanket në Uashington janë gjithashtu të korruptueshme dhe dukshëm të bleshme. Por kur blen Trumpin, gjithashtu duhet edhe të bëhesh palë e interesuar në betejat ku angazhohet ai. Bile shumë kohë para se të dalin “armiqtë” e tij.

Unë e kuptoj se Bin Zayed po kërkon një garanci me shkrim se as ai e as shoqëruesi i tij (Bin Selman) nuk do të ndalohen për t’u marrë në pyetje nga prokurori special Robert Mueller rreth hetimit për financimin e paligjshëm të fushatës zgjedhore të Trumpit. Mueller ka informacion të brendshëm rreth marrëdhënieve të së shkuarës së bin Zayed me Nader, një ish-këshilltar i Bin Zayed. Bin Zayed dëshiron të shmangë anatomitë ligjore të mëtejshme që New York Times mund të prodhojë.

Xhoker në kuti
Pra ka një xhoker në kuti: vetë Trumpi. Bin Zayed nuk dëshiron të përsërisë fiaskon ku Bin Selmani u poshtërua nga ishprezantuesi i realitetit televiziv (dmth Trump) duke nxjerrë një sërë kartash të mëdha me ngjyrë që tregonin se sa po shpenzonte Mbretëria (Saudite) për armët amerikane. Bin Selmani u trondit dukshëm kur u nxorrën këto karta.
Ai as nuk do që Trump të përsërisë linjat për të cilat foli kohët e fundit me presidentin francez Emmanuel Macron, se aleatët amerikanë në Lindjen e Mesme do të shkatërroheshin “brenda një jave” nëse SHBA-ja nuk do të ishte atje për t’i mbrojtur.
“Ata nuk do të ishin atje, po të mos ishin ShBA. Ata nuk mund të zgjasnin as edhe një javë… Ne i mbrojmë ata. Tani ata duhet të rriten dhe të paguajnë për atë që po ndodh”, tha Trump.
Shqetësimi i Emirateve ishte i tillë saqë komentatorët e paguar prej tyre u udhëzuan të reagojnë. Njëri prej tyre, Abdul Khalik Abdulla, shkroi në Twitter se shtetet arabe të Gjirit kishin qenë aty që para themelimit të SHBA-ve dhe do të vazhdonin të ishin aty edhe pas largimit të SHBA-së.

Bërja për vete e publikut amerikano-hebre
Edhe Trumpi nuk e luajti topin ndaj Katarit sipas perspektivës saudite dhe emiratase.
Sapo dy princat e kurorave u përgëzuan për dërgimin e Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson në “pension të parakohshëm”, pasardhësi i tij Mike Pompeo u tha të njëjtën gjë: “Mjaft është mjaft. Jepini fund bllokadës (ndaj Katarit)”.
Por kjo nuk ishte ajo që priste të dëgjonte ministri i jashtëm Saudit Adel Al Jubeir. Sauditët donin të ndërtonin një hendek në kufi me Katarin dhe ta mbushnin atë me mbeturina bërthamore.
Që prej fillimit, Bin Zayedi dhe Bin Selmani vendosën të bënin gjithçka mundeshin, edhe fizikisht, që të kënaqnin Trumpin dhe të kapnin një audiencë hebraiko-amerikane. Bin Selmani shkoi aq larg sa u thoshte liderëve amerikano-hebrenj – sipas lajmeve të kanalit 10 Izraelit, se palestinezët duhet ose të pranojnë propozimet e fundit ose të mbyllin gojën.
“Është koha që palestinezët të marrin për bazë propozimet (amerikane për çështjen e Jeruzalemit) dhe të bien dakord që të vijnë në tryezën e negociatave, ose të mbyllin gojën e të mos ankohen,” citohet të ketë thënë princi saudit i kurorës.
Trumpi dhe Izraeli kërkojnë që palestinezët të pranojnë një sërë kushtesh si bazë për rinisjen e bisedimeve: humbjen nga ana e tyre të Jeruzalemit Lindor; braktisjen e së drejtës për tu kthyer në tokat e tyre; mbylljen e çështjes së refugjatëve; dhe shpërbërjen e UNRWA agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.
Por asnjë nga këto nuk është e mjaftueshme. Tashmë duket se axhenda e Trump dhe e tyre (Bin Zayed dhe Bin Selman) nuk përputhen domosdoshmërisht.

Ndikimi iranian
Bin Selmani e ka ripozicionuar politikën e jashtme saudite. Më parë ajo ishte pasive agresive; tani është thjesht agresive. Qëllimi i tij strategjik është koordinimi i vendeve arabe sunite kundër ndikimit ushtarak dhe politik të Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban. Një sulm ajror kundër objekteve bërthamore dhe mbrojtjes ajrore iraniane mund të jetë kulmi i kësaj politike. Nëse do të ketë një luftë konvencionale kundër Iranit, ajo do të jetë amerikane dhe izraelite. Roli saudit në këtë luftë do të ishte vetëm mbulimi, sigurimi i mbështetjes dhe bazave, njësoj siç ishte në luftën e Xhorxh W. Bushit kundër Sadam Huseinit në Irak më 2003. Mësimi që u nxorr në Irak ishte se SHBA-ja e humbi kontrollin e vendit që kishte pushtuar shumë kohë para tërheqjes, duke u dhënë fuqi politikanëve shia të kontrolluar nga Irani. Lufta e Irakut filloi dhe u zhvillua me rregullat amerikane dhe përfundoi me termat amerikane. Interesi saudit në të ishte dytësor për Uashingtonin. Rezultati tani është një ofensivë e vonuar saudite për të blerë ndikim në Irak.

Trumpi nuk është pjesë e rajonit, por ama sunduesi i ardhshëm i Arabisë Saudite është. Kur luftëtarët amerikanë dhe izraelitë të kthehen në bazat e tyre, në radhë të parë pasojat do ti ndiejë Arabia Saudite. Ka një numër të madh milicish shumë të organizuara dhe të trajnuara shia që mund ta bëjnë këtë punë. David Hearst është kryeredaktor i Middle East Eye. Ai ishte shkrimtari kryesor i gazetës The Guardian, ish-redaktor i jashtëm i asociuar, redaktor evropian, shefi i Byrosë së Moskës, korrespondent evropian dhe korrespondent i Irlandës. Iu bashkua The Guardian nga The Scotsman, ku ishte korrespondent i arsimit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb