Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në Berat, u ndal në shumë tematika. Ai theksoi rëndësinë që kanë pasur për qeverinë e tij, investimi tek infrastruktura e qyteteve.

Rama pretendoi se gjatë qeverisjes së PD-së, Berati dhe Gjirokastra rrezikonin të shkëputeshin nga UNESCO, ndërsa sipas tij Partia Socialiste i kanë dhënë rëndësinë që meritojnë.

“Nuk janë bërë tetë akoma tetë vite, tetë bëhen në fund të shtatorit. Ka qenë ambicia ime për t’i dhënë qyteteve atyre një shtysë për t’i vizituar. Berati nuk kishte rrugë. Rruga nga Lushnja këtu kalohej me kampion, tank, jo një rrugë për kënaqësi, por për hall. Ka një shifër, gjysmë milioni vizitorë në kalanë e Beratit është një shifër domethënëse. Shumëfishimi i vendeve akomoduese. Të gjitha këto janë para të që vijë nga vizitorët, janë dhoma që shtohen. Vetëm muajt e fundit janë 350 dhoma të reja në Berat, të vendosura në kohë pandemie. Njerëzit e dinë kur të dalim nga kjo situatë e ardhmja do të jetë pozitive për të gjithë ata që investojnë këtu. Kur ne morëm detyrën Berati dhe Gjirokastra rrezikonin të humbin mbështetjen e UNESCO-s. Ne e kemi kthyer Gjirokastrën dhe Beratin në atë rëndësi historike që meritojnë. Trashëgimia, bukuria e këtij vendi është aseti ynë më i madh, ne duam ta vendosim në pah duke investuar”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri u ndal tek arsyet se përse Partia Socialiste duhet të sigurojë një mandat të tretë qeverisës.

“Ka shumë arsye që njeriu sot të jetë i stresuar dhe përtej të tjerave ne kemi kaluar dy goditje shumë të rënda. Tërmeti nuk ishte e rëndë vetëm për ata që mbetën pa shtëpi, por për të gjithë shtetin. Por edhe pandemia që ka bërë shumë kufizime. Nga ana tjetër, ne nuk jemi perfekt, jemi njerëz, shqiptarë, jemi një forcë qeverisje që ka të mirat dhe kusuret e të tjerëve. Mandati i tretë nuk është për mua, jo për grupin e njerëzve që administrojnë këtë përgjithësi, por ato persona që duan të ecin përpara. Punët nuk i kryen askush tjetër, kjo është pak por e sigurt. Ata që mendojnë se do të bëjnë punët që ne nuk i kemi bërë, ata kishin në dorë për t’i bërë punët por i kanë bërë më keq. Më keq se ata nuk ka”, tha kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb