Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Nuk ka rëndësi për kë votojmë. Por sot duhet të shkojmë të themi vullnetin tonë. Është vërtet e drejta jonë legjitime të zgjedhim t’i injorojmë këto zgjedhje vendore. Shumë prej nesh janë zhgënjyer përfundimisht nga partitë që hahen me njëra-tjetrën si qentë për kocka. Kanë humbur shpresat si nga formacionet politike të djathta, ashtu edhe ato të majta. Shumë prej nesh mendojnë me bindje të plotë që politikanët që kemi sot duan vetëm të pasurohen dhe as që e vrasin mendjen për hallet e ne njerëzve të thjeshtë. Por çdo braktisje e “frontit” të votimit inkurajon abuzuesit që gëlojnë mes partive tona. Çdo përqindje që rritet e abstenimit nga e drejta e votës, i bën më të mbrojtur drejtuesit dhe politikanët e pasinqertë qendrorë e vendorë. Sot më shumë se kurrë është koha kur duhet të kërkojmë nga politikanët e drejtuesit tanë publikë të tregojnë dhe të marrin përsipër përgjegjësi. Nuk bëhet ndryshe kjo Shqipëria jonë. Nuk mund ta lëmë në duar të vullnetit të askujt, qoftë ky njëshi i qeverisë apo i partisë. Mund të jetë nisur kushdo veç nga dëshira e mirë, por shpejt akaparimi i pamasë i kompetencave dhe pushtetit të kthen në të kundërtën e asaj që mund të kishe dashur të ishe, në një teknokrat dhe skllav të pushtetit. Ja përse duhet të jemi sot te kutia e votimit. Duke qenë ne të shumtë që hedhim votën, këta 61 kryebashkiakë që do të dalin nga vota jonë do ta kenë më pak të lehtë të merren vetëm me interesat e tyre dhe të bosëve partiakë që i kandiduan. Tani janë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Duke u dhënë fuqi e kompetenca shumë më të gjera, reforma territoriale i ka nxjerrë në dritën e tejdukshmërisë publike. Nuk mund të fshihen si ata të 373 kryetarët e bashkive dhe komunave, ku tetë në dhjetë syresh nuk kishin njohur as edhe një kontroll dhe audit të vetëm nga ministria që u jepte fondet kryesore, duke filluar nga viti 1992! Tani kontrollues do të jemi të gjithë ne, duke e shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të bëjë detyrën e tij dhe të caktojë një komision vetëm për qeverisjen vendore. Tani njësi kontrolli duhet të kenë këshillat bashkiakë, parlamentet e çdo bashkie të re. Këta 61 të zgjedhur nga vota jonë nuk mund t’ia hedhin paq edhe kësaj here, nëse do jemi të shumtë që do të votojmë. Sërish, nuk ka rëndësi për kë e hedhim votën. Ajo është në ndërgjegjen e secilit prej nesh. Por një mosshkuarje në zgjedhje është një ndihmë për drejtuesit vendorë që do të donin mjegull dhe indiferencë për t’u marrë me punë të pista, duke abuzuar me fondet publike. Këtë nuk kemi pse ta lejojmë më. Një pjesëmarrje e rëndësishme e jona si qytetarë në zgjedhje, i vë me herë më shumë përpara përgjegjësisë të 61 drejtuesit vendorë që do të qarkullojnë të paktën 400 milionë euro në vit para publike ndër duar, me fonde nga pushteti qendror dhe të ardhura të bashkive, apo me kredi bankare dhe donacione. Këto para nuk mund t’i lejojmë të pakontrolluara nga interesi ynë publik, si ka qenë deri më sot. Jeta dhe qasja demokratike mund të ngjallen edhe në bashkinë më të largët dhe të vogël, nëse dalim të gjithë të votojmë sot.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: