Gjatë intervistës së tij në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, shkrimtari Ben Blushi zbuloi historinë pas titullit të romanit të tij të fundit, Parajsa Artificiale. Ai tregoi se zgjedhja e këtij titulli erdhi pas një procesi diskutimesh dhe kompromisesh mes tij dhe botueses.

“Fillimisht mendova disa tituj, si 24 orë nga jeta e Simon Shuterit, por botuesja ime tha që nuk ishte tërheqës. Pas disa varianteve të tjera, arritëm te Parajsa Artificiale. Në një farë mënyre, ishte një koncesion mes meje dhe lexuesve,” tha Blushi.

Shkrimtari theksoi se libri eksploron konceptet e ferrit dhe parajsës, por jo sipas interpretimit tradicional fetar. Ai sfidon idenë dogmatike që parajsa arrihet vetëm pas vdekjes, duke sugjeruar se njerëzit mund ta gjejnë atë gjatë jetës së tyre në tokë. “Më duket e padrejtë që njerëzit duhet të presin vdekjen për të gjetur parajsën. Pse të mos e krijojnë atë në tokë?” pyeti ai.

Sipas Blushit, Parajsa Artificiale është një vizion për një botë ku njerëzimi, i çliruar nga barra e konflikteve dhe e punëve të përditshme përmes teknologjisë, mund të përqendrohet te dashuria, shpirti dhe një jetë më e përmbushur.

“Kam patur 5-6 tituj, derisa arrita këtu. Ky libër është koncesion mes lexuesve të mi dhe botueses timë. 24 orë nga jeta e Simon Shuterit ka qenë titulli i parë. Ajo tha nuk na shet shumë. Kaluam 2-3 variante dhe nuk na pëlqyen. Arritëm këtu. Kam bërë një koncesion. Ferri dhe Parajsa në libër? Jo si ferri i Dantes, por është shumë e vështirë të kesh një jetë të qetë. Pra, i mban me shpresë se pas ferrit do vijë parajsa. Parajsa, sipas dogmës fetare do të vijë kur ata të zbresin. Kam një përplasje me ata që besojnë. Kjo është e padrejtë. Njerëzve nga zoti, dogma fetare, hoxhallarët, priftërinjtë, nga profetët, u premtohet se kur të vdesësh nëse je sjellë mirë do shkosh në parajsë. E padrejtë. Pse duhet të vdesë njeriu për të shkuar në parajsë? Mund ta gjejë parajsën në tokë”, tha Blushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb