Aleksander Hercen, shkruante dikur se pas çdo revolucioni “bota në ikje, nuk lë pas një trashëgimtar, por një vejushë shtatzënë”. Megjithatë, qëkur zgjedhja e Donald Trumpit trazoi botën, udhëheqësit e Europës Perëndimore po flasin sikur të ketë lindur tashmë një rend i ri ndërkombëtar.

Gushtin e vitit të shkuar, presidenti francez Emanuel Makron, i tha trupit të tij diplomatik se “Evropa nuk mund t’ia besojë më sigurinë e saj vetëm Shteteve të Bashkuara”. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mas, shkroi disa ditë më vonë se “qëllimi i shquar i politikës sonë të jashtme, është të ndërtojmë një Evropë sovrane dhe të fuqishme”, që mund të “krijojë një kundërpeshë, kur SHBA-ja ta kalojë vijën e kuqe”.

Sipas Makron, Mas dhe kolegëve të tyre në Bruksel, trashëgimtari i sistemit të pasluftës të udhëhequr nga amerikanët, është përmendur në emër, dhe se ai trashëgimtar është gjithnjë e më pranë Bashkimit Evropian. Por ky është një “pagëzim” i parakohshëm.

Ndërsa presidenti Trump ka ngritur temperaturat në Evropë me kritikat e tij të ashpra ndaj marrëdhënieve transatlantike, veçanërisht ndaj NATO-s, dhimbjet që po vuan sot Evropa, nuk janë shkaktuar nga Amerika. Përkundrazi, kontinenti ndodhet në një kaos politik të vetë-shkaktuar – një krizë që lidhet drejtpërdrejti dhe përkeqësohet nga aspekte të caktuara të Bashkimit Evropian.

Me Parisin dhe Berlinin, që kanë nëshkruar një Traktat të dytë të Elizesë, dhe Britaninë e Madhe që po del nga unioni, Evropa e sotme është e “veja shtatzënë” e imagjinuar dikur nga Hercen. Tani është koha që Shtetet e Bashkuara, të promovojnë lindjen e një alternative të re ndaj dogmës së integrimit – një model që u jep vendeve evropiane fleksibilitetin për të zgjedhur vetë fatin e tyre.

Gjatë 2 dekadave të fundit, udhëheqësit e Europës Perëndimore, kanë bërë 2 kërkesa në mbështetje të një bashkimi më të madh evropian. Së pari, ata kanë argumentuar se integrimi evropian, është përgjegjës për paqen e pas Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë pikë, drejtuesit evropianë i bëjnë jehonë vazhdimisht ndjenjave të presidentit të Komisionit Evropian Zhan Klod Junker:”Mjafton të vizitoni një varrezë lufte, për të parë se cila është alternativa ndaj integrimit evropian”.

Së dyti, udhëheqësit e BE-së, kanë pretenduar shpesh se unioni nxit diskutimin dhe koordinimin, pa ndikuar tek sovraniteti kombëtar. Në mbrojtje të Brukselit, një diplomat i lartë evropian, e thekson shpesh në biseda private se “dikur kemi luftuar, tani po bisedojmë”.

Por, e vërteta është më e ndërlikuar, sesa sugjerojnë këto pretendime. Ndërsa integrimi evropian me siguri mund të ketë nxitur rënien e Murit të Berlinit, ishte fuqia dhe demokracia amerikane ajo që i dha goditjen vendimtare bllokut komunist, duke siguruar fitoren e Luftës së Ftohtë.

Dhe ndërsa asnjë vëzhgues i Brukselit, nuk mund ta akuzojë atë për një prirje të padurueshme drejt veprimit, BE-ja është shumë më tepër, sesa një shoqatë e thjesht që debaton.

Ajo ka një oreks të pangopur për pushtet në gati çdo fushë të politikës publike, nga rregulloret mbi produktet ushqimore, tek objektivat buxhetore. Tashmë, një përqindje e madhe e ligjeve evropiane vendoset nga burokratët e BE-së. Thuhet se shumë vende evropiane, i konsiderojnë ambasadorët e tyre të BE-së si përfaqësuesit më të rëndësishëm diplomatikë të tyre. Mjerisht, rritja e BE-së, e ka zhbalancuar Evropën.

Kjo për shkak se qytetarët në të gjithë kontinentin, identifikohen shumë më tepër si qytetarë të kombit të tyre, se sa si qytetarë të një Evrope të Madhe. Dëshira e Brukselit, për të marrë vendime në kundërshtim me preferencat lokale, vetëm sa i fryn zjarreve të nacionalizmit.

Ndonëse kjo mund të duket e çuditshme për amerikanët, identiteti kombëtar i të cilëve është i rrënjosur në dokumentet themelore dhe një traditë e fortë republikane, nacionalizmi përmban konotacione shumë të errta në establishmentin politik të Evropës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi në mënyrë kategorike se “nacionalizmi dhe egoizmi, s’duhet të kenë kurrë shansin për të lulëzuar sërish në Evropë”. Ndërsa forcat nacionaliste janë përqafuar në politikën amerikane, nga Parisi në Berlin ato shmangen si djalli temjanit.

Rezultati i këtij dyshimi elitar ndaj nacionalizmit, është se lëvizjet anti-sisteme në ekstremet politike, janë përfitueset kryesore të pakënaqësisë publike. Nga nacionalistët e krahut të djathtë, tek radikalët e krahut të majtë, këto lëvizje shpesh nuk kanë profesionalizëm, dhe një vlerësim themelor për tregun ekonomik. Akoma më shqetësuese:ato duket se mbështesin më shumë Vladimir Putinin se sa Pax Americana.

Përkundrazi, establishmenti politik i Evropës, ka qenë kryesisht mbështetës i lidershipit amerikan nëpër botë. Shihni Angela Merkelin. Pavarësisht kritikave të presidentit Trump për gabimet e saj në menaxhimin e krizës së emigracionit, shmang rrallë ndonjë mundësi për të njohur vlerat e aleancës transatlantike.

Nëse nacionalistët evropianë mendojnë cekët, duke i bërë ato objektiva të prekshme për revizionistët, establishmenti i sotëm evropian e respekton rendin liberal. Këto realitete mbartin një implikim të qartë për Shtetet e Bashkuara:Ne duhet të përpiqemi të zbusim nacionalizmin evropian, duke rikthyer tiparet më të shëndetshme të establishmentit politik.

Konkretisht, kjo do të thotë të mbështesësh një Europë me shumë shpejtësi, që hedh poshtë angazhimin për një “union gjithnjë e më të ngushtë”. Rritja e vazhdueshme e tensioneve politike në mbarë Evropën, nuk mund të jetë në interesin amerikan. Ajo për të cilën ka sot nevojë kontinenti sot janë valvulat e shkarkimit të presionit – reforma që reflektojnë situatën e vendeve të caktuara, dhe reduktojnë pakënaqësinë e publikut.

Por Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të qarta, se integrimi politik nuk duhet të kalojë në fushën e mbrojtjes. Një përpjekje serioze evropiane në këtë drejtim, e kërcënon qëndrueshmërinë e NATO-s. Në dhjetorin e vitit 2017, BE aktivizoi zyrtarisht Bashkëpunimin e Përhershëm Strukturor, një mekanizëm për bashkimin e investimeve të mbrojtjes evropiane.

Më pak se një vit më vonë, Makron njoftoi një qëllim shumë më ambicioz:krijimin e “një ushtrie të vërtetë evropiane”. Brenda pak ditësh, Angela Merkel i tha Parlamentit Evropian:”Ne duhet të punojmë në një vizion të përbashkët, për të krijuar një ditë një ushtri të vërtetë evropiane”.

Një aparat ushtarak efektiv, kërkon një forcë ushtarake që nuk përputhet me etikën postmoderne të BE-së. Për më tepër, anëtarja më e rëndësishme e BE-së, Gjermania, ka një neveri të madhe ndaj përdorimit të forcës.

Për Berlinin, joshja ndaj një ushtrie evropiane, ka pak të bëjë me ndërhyrjet ushtarake jashtë vendit, sesa me inkurajimin e integrimit politik në vend. Një tjetër shtab ushtarak në Bruksel, që komandon trupa fantazmë jashtë vendit, do të shkaktonte zemërimin e amerikanëve dhe britanikëve, dhe do të minonte NATO-n.

Ai nuk do të bënte asgjë për të shtuar aftësitë, dhe shumëçka në dobësimin e NATO-s, e cila është aleanca mbrojtëse e botës, dhe ka garantuar sigurinë e kontinentit për dekada të tëra. Evropa nuk ka nevojë për një ushtri të sajën, pasi ka tashmë një ushtri të mirë që e mbron.

Nevoja për të parandaluar lindjen e një ushtrie evropiane, dhe mundësia për të sublimuar nacionalizmin evropian, duke e kanalizuar atë në rrymën e establishmentit politik, vetëm sa e thekson rëndësinë e krijimit të një alternative të re për integrimin automatik në BE.

Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara luajtën një rol thelbësor në nxitjen e konsolidimit të Evropës. Edhe sot, pararendësit e BE-së, si Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, shihen si suksese diplomatike, ndërsa mbështetësit e tregut të lirë ia njohin meritat integrimit evropian për liberalizimin e ekonomive të kontinentit. Epoka e mbështetjes automatike për një integrim të pa penguar, ka mbaruar. Tani është koha të kujdesemi për lindjen e trashëgimtarit të saj./Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: