Shkrimtari Agron Tufa komenton arrestimin e botuesit dhe analistit Henri Çili, duke u shprehur se organet e reja të drejtësisë së reformuar enveriste sapo kanë filluar gjuetinë e krerëve apo peshqve të mëdhenj të korrupsionit.

Referuar arrestimit të Çilit, Tufa pyet me ironi “Ky qenka Peshku i madh i korrupsionit ore!? O, ç’na gajasët më keq se Saja e çunat e Sajes! Po Henri qenka Oktpodi?! Apo nuk donit të dilnit duarthatë përballë zonjës Ambasadore?”.

Mesazhi i Agron Tufës:

Organet e Reja të Drejtësisë së Reformuar Enveriste (me Veting), prokurorët azganë, ish-hetues të kohës së komunizmit – Arben Kraja, B. Sheshi. A. Dvorani etj), qysh pas përbetimit të janarit 2020 se do të mbrojnë njëri-tjetrin grusht bashkuar rreth kreut të SPAK-ut – sapo kanë filluar gjuetinë e krerëve apo peshqve të mëdhenj të korrupsionit.

Në këtë vend të shfytyruar nga krimi i organizuar shtetëror e politik, që kanabizon kolumbishëm vendin, që me paratë e drogës ngre e rrëzon pushtete, blen ambasadorë të rëndësishëm të euroamerikës, blen zgjedhje elektorale qendrore e lokale, blen deputetë e vota deputetësh, blen opozitën dhe ngreh, sajon e emëron opozita-kukull; në këtë vend të kthyer në kosh plehrash për pastrim parash nga e gjithë bota apo terren kismetli për aventurat ekonomike të lloj-lloj dështaku e sharlatani – në këtë vend ku origjina e bizneseve të reja marramendëse kriptohet e përfundon tek deputetë e ministra (me ish e pa ish), – na qenka pra në këtë vend kryepersoni i rrezikshëm – Henri Çili!

Ky qenka Peshku i madh i korrupsionit ore!? O, ç’na gajasët më keq se Saja e çunat e Sajes! Po Henri qenka Oktpodi?! Apo nuk donit të dilnit duarthatë përballë zonjës Ambasadore?

Sigurisht liberali Çili ka kritikuar ashpër klikën e Rilindjes në pushtet (dhe duhet ta bëjë gjithkush këtë duke e konsideruar si pushtet jo legjitim, thuajse pushtim), por kjo nuk është arsye për arrestim në mesnatë, në stil sigurimsash dhe me një batare akuzash.

Gjithë ato akuza, përveçse qesharake, ato e bëjnë me simpatike figurën e pedagogut, publicistit, sipërmarrësit e botuesit Henri Çilit.

Zelli, padyshim i tepëruar e i pabazë i drejtësisë së rikthyer komuniste, tregon se çfarë ekuivokesh mund të prodhojnë ish shërbëtorët e diktaturës po t’u lësh drejtësinë në dorë. E nëqoftëse Rama është paranojak (për vete nuk kam.pikë dyshimi) dhe nuk ndërhyn ta ndalojë këtë vodevil të turpshëm e të trashë, këtë instalacion psykopatik enveristësh e sigurimsash, atëherë shakaja do të vijë duke u zgjeruar përbindshëm: vetë do ta pësojë në një situatë disa herë më të egër, më absurde, me të vetmin ndryshim nga Çili, që kryeministri prej shumë vitesh e ka hak.

Unë shpresoj që gazetarët të reagojnë, ta tregojnë veten duke mbështur lirimin e kolegut të tyre Henri Çilis e të dëshmojnë kësisoj, se sa flluska janë të lirë.

P.S. Nuk kam qenë asnjëherë pedagog në UET-in e Çilit, nuk kam punuar në mediat e tij, nuk kam botuar asnjë libër në botimet Uetpres dhe Mapo et., etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb