Si kaloi nafta shqiptare te rusët? Kjo çështje ishte në fokus të emisionit të sotëm në “Open” në News24 ku ishte i ftuar Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Mark Crawford.

Ai ka treguar se si qeveria shqiptare prishi kontratën me kompaninë amerikane për kërkimet e naftës në tre puse për kompaninë serbe të lidhur me Gazpromin rus. Po kështu Crawford foli dhe për rolin e ish-zyrtarit të FBI-së Charles Mc Gonigal si dhe rolin e ambasadës amerikane.

Erl Murati: Ju keni kritikuar në mënyrë direkte kryeministrin Edi Rama, ministrin e asaj kohe, Gjiknurin për sjelljen e tij ngaqë në një farë mënyre nuk ju ka favorizuar, nuk ka mbajtur një qëndrim miqësor ndaj kompanive amerikane, për sa i përket fushave të naftës, i kanë përzënë ato dhe kanë favorizuar kompanitë ruse. Çfarë mund të na thoni më tepër për këtë?

Crawford: Këtë e dimë nga dokumentet që janë bërë publikë. Unë e kam lexuar para disa viteve, letrën nga austriakët që ishin lidhur me rusët tek Albpterol. Letrën nga Transoil direkt te Gazprom, kështu që ne e kemi pas ditur që rusët ishin këtu brenda. Në atë kohë nuk ishin sanksionet. Për mua nuk ka problem, unë nuk jam shqiptar dhe nuk votoj këtu, nëse shqiptarët do vendosin të bashkëpunojnë me rusët dhe nuk ka problem me sanksionet, ok është punua juaj, por mos na ftoni ne si amerikanë që të investojmë këtu.

Erl Murati: A mendoni se është toleruar nga administrata amerikane kjo sjellje e qeverisë shqiptare, pra ky afrim, ky flirt me rusët sepse kemi dëgjuar vitet e fundit zyrtarë të DASH kur vijnë në Tiranë që vënë në alarm autoritetet shqiptare, qeverinë shqiptare ndaj influencës së vendeve të treta, Rusia, Kina apo dhe vende të tjera? Si e shpjegoni faktin që qeveria shqiptare i ka injoruar këto porosi të zyrtarëve të administratës amerikane?

Crawford: Po, në fakt është një pikë që është kyç për administratën, jo vetëm për demokratët, por edhe republikanët. Unë isha lidhur me marrëdhënien që ishte bërë midis Izraelit dhe Kosovës dhe brenda kësaj marrëveshjeje që ishte përfshirë dhe Serbia, kishin një nen që thoshte gjithë palët duhet të jenë më të pavarur nga Rusia nga pikëpamja e energjisë. Kjo është diçka e rëndësishme për gjithë rajonin.
Unë jam biznesmen, kështu që nga pikëpamja ime unë nuk jam duke folur për atë nivel. Unë isha mërzitur sepse kishim një FBI që ishte duke luftuar kundër investimeve të anëtarëve të mi në Dhomën Amerikane. Por prapëseprapë ne si superfuqi në Amerikë, ne e dimë që shumë mjete në lojë që kemi ne me Rusinë dhe me Kinën për interesat tonë janë të lidhur me energjinë dhe me pavarësinë e gjithë aleatëve nga Rusia. E shikojmë rezultatin tani në Evropë me gjithë luftën.

Xama: Nëse shohim interesat e Shqipërisë këtu, por edhe të një kompanie amerikane, ju jeni përfshirë në këtë çështje që në vitin 2017, vit kur Albpetrol ndërpreu në mënyrë të njëanshme kontratën me Transatlantic Group, e cila zotërohet nga kompania amerikane GBC Oil, ku dhe ju keni qenë dëshmitar në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zvicër për interesat e kësaj kompanie që është kompani amerikane e cila është blerë nga Strem Oil.
Në vitin 2017 një kompani amerikane pretendon se i është ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontrata. Dhoma Amerikane çfarë ka bërë në këtë rast? A ka shkuar pranë ambasadës amerikane në Tiranë të ankohet dhe çfarë përgjigje ju ka dhënë ju ambasada amerikane? Dhe më pas çfarë përgjigje ju kanë dhënë autoritetet shqiptare?

Crawford: Strem kanë qenë dhe anëtarë të dhomës dhe unë i kam njohur dhe Strem. Kur Strem ishte shitur te një kompani amerikane ne ishim gëzuar të gjithë në Dhomë sepse nuk kemi kaq shumë miliarderë që vijnë nga Amerika këtu. Por kur erdhën këtu, ata erdhën direkt tek ambasada dhe kishin mbështetjen e parë tek ambasada se normalisht investitorët që vijnë në Shqipëri, vijnë te Dhoma Amerikane dhe ambasada merret me politikën. Por këta investitorë që erdhën ishin shumë të mbështetur nga ambasada dhe ambasadori direkt dhe ne si Dhomë ishim mbështetja e dytë. Unë i takova ata shpesh, por nuk ishin në lidhje direkt me qeverinë dhe disa hallka të tjera sepse kishin disa borxhe që ishin për të paguar te qeveria.

Kur kanë blerë Strem, kanë blerë dhe problemet e Strem-it. Kishin një marrëveshje stabilizimi që Shqipëria duhet të kishte paguar kompaninë. Por në atë kohë, me sa mbaj mend nga biseda që kisha me Transatlantic ata kanë thënë ok ne jemi miliarderë, nuk ka problem sa është, do paguajmë, na thoni sa është. Nëse ne ju detyrohemi 20 dhe ju na detyroheni 10 ose 7, na thoni diferencën dhe ju japim një çek. Përgjigjja ishte që na paguani neve sot dhe do flasim javën tjetër për atë që do ju paguajmë ju.

Ambasada kishte bërë një marrëveshje, por që nuk ishte zbatuar. Një marrëveshje që kompania do paguajë vetëm diferencën, por nuk ishte zbatuar në fund.

Unë nuk e kisha kapërcyer rolin e Ambasadës. Nëse ambasada ishte në marrëdhënie me kompaninë dhe qeverinë unë nuk ndërhyra si Dhomë, isha vetëm duke dëgjuar, duke mbështetur. Erdhi një moment dhe ata më thanë mua që do ikim nga Shqipëria, jemi mërzitur, nuk po shkojnë gjërat mirë dhe unë personalisht shkova në Dallas, në Texas, se kam prindërit nga atje, kam kushërinj atje, kështu që njoh shumë njerëz atje dhe shkova te shtëpia e pronarit dhe i thashë atij, nuk kam qejf të ikësh nga Shqipëria. Ai më tha që janë dy vende në botë që unë nuk do të investoj më kurrë, në Luiziana në SHBA ku ai ka rivalë dhe në Vlorë. Unë i thashë që nuk më vjen mirë që do vish në Shqipëri, do investosh dhe do ikësh me një shije kaq të hidhur. Kështu që unë i thashë atij, krijojmë një kompani tjetër që do të quhet GBC, Gorisht-Ballsh-Cakran.

I thashë ju tani jeni pronar direkt dhe shqiptarët kuptojnë që unë jam pronar i kësaj ose kuptojnë që unë jam pronar përmes baxhanakut tim, ose kunatit tim, por nuk e kanë konceptin e pronarit siç është i zhvilluar në botën financiare në Amerikë. Unë i thashë do krijojmë një opsion financiar dhe do jesh pronar prapë me GBC-në, por nuk do jesh në timon, por niveli i dytë dhe unë do të ndihmoj me disa investitorë dhe disa menaxherë nga vendi dhe shpresoj që do e shpëtojmë anijen nga mbytja ose të paktën do fitojmë diçka. Kishte gati një vit që punuam me vështirësi, ishim duke e shlyer borxhin dhe erdhën ca letra, ca kërkesa nga rusët përmes…

Ola Xama: Përmes kompanisë Yurimex?
Crawford: Po.
Ola Xama: E cila është e lidhur me Nisin, që është degë e Gazprom në Serbi.
Crawford: Dhe këto erdhën te qeveria amerikane kur ishin prapë atje.
Xama: Ju po thoni që në momentin që Albpetrol-it i shkoi një propozim nga një kompani prapa të cilës fshihej Nisi, një kompani e lidhur me Gazprom-in, atëherë Albpetrol prish kontratën me kompaninë amerikane?

Crawford: Po, kjo ndodhi në janar, dy muaj më pas.
Xama: Si reagoi ambasada amerikane në këto momente?
Crawford: Investitorët më thanë mua që do iu themi njerëzve që të mos investojnë në Shqipëri. Ata (ambasada) kishin folur direkt me qeverinë shumë herë dhe kishin dështuar. Nuk e di nëse donin të shkonin në media dhe të thoshin ne kemi dështuar se normalisht kur vjen një investitor amerikan vjen përmes Dhomës dhe nëse dështojnë, vjen ambasada si mbështetje e dytë dhe thotë kjo nuk është e drejtë, por këta e kishin ambasadën si mbështetje e parë dhe kanë dështuar si mbështetje e parë.

Xama: Në kohën që kanë qenë negociatat e drejtpërdrejta për t’ia dhënë kompanisë Yurimex puset e naftës në Gorisht-Kocul dhe në Cakran-Mollaj, ju keni qenë në Arbitrazh. A mund të merret një hap i tillë, kur ti nuk e ke zgjidhur akoma në Gjykatë? Por më pas dhe me Yurimex u zbrapsën. Çfarë ndodhi me puset që pretendonit ju? Keni dëgjuar gjë në ato vite për ardhjen e McGonigal?

Crawford: McGonigal jo, por rusët po. Kishim dëgjuar që rusët ishin diku afër. Kishin dalë në media disa nga këto shkresat. Nga BIRN. Ata kishin përmendur që janë disa kompani të lidhura me rusët që kanë ardhur këtu dhe janë interesuar për të marrë këto puset e naftës. Unë e dija që ata ishin të vegjël dhe normalisht unë si investitor do mendoja pse vijnë rusët këtu për puse të vegjël, në mes të Shqipërisë, sepse të mëdhatë ishin të Bankersit. Nëse do të ishin të interesuar për volumin do shkonin te Bankersi. Bankersi ishte në atë kohë me kanadezët…

Vasili: Si e shpjeguat ju?

CraWford: Unë mendoj që ndryshe nga nafta e Bankersit që është më e trashë, nafta e Goricës, Cakranit dhe Amricës, që është një zonë tjetër, që është një kompani tjetër, është përdorur më shumë hollues. Bënin një miks bashkë në kohën e komunizmit.
Nëse dikush do donte të përziente naftë nga jashtë, të bëhej naftë shqiptare, këto do ishin fushat që donin përdornin. Sepse nuk do donin të përdornin naftë të trashë me naftë nga jashtë. Por do donin të përdornin naftë të hollë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb