Pak ditë më parë, Kryeministri i sapoemëruar i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se do të hiqte në mënyrë provizore taksën 100% ndaj mallrave serbe. Masë kjo e vendosur nga paraardhësi i tij në detyrë, Haradinaj. Kjo, për dy arsye: si përgjigje ndaj fushatës që kishte ndërmarrë Beogradi për të tërhequr njohjet e Kosovës dhe anëtarësimin e kësaj të fundit në organizata ndërkombëtare si Interpol. Realisht, fushata e Serbisë për tërheqje njohjesh është thjesht propagandistike. Shumica e vendeve që e kanë tërhequr njohjen janë kryesisht nga Afrika apo siç njihen ndryshe Bota e Tretë, por asnjë nga vendet kryesore europiane. Problemi madhor i Kurtit është se në zgjedhjet ku kishte dalë forcë e parë, kishte premtuar se taksa do hiqej vetëm kundrejt reciprocitetit. Me sa duket pjesërisht ky premtim është shkelur.

Por, çfarë e shtyu Kurtin të tërhiqej nga ato që dikur në opozitë mbase do t’i kundërshtonte.

Tre muaj më parë, Presidenti SHBA-ve, Trump, emëroi si të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin e SHBAsë në Gjermani, Richard Grenell. Kjo ishte një risi, pasi deri tani dialogu Kosovë-Serbi qe lënë si detyrë e Brukselit. Për herë të parë që nga çlirimi në vitin 1999, SHBA-të merrnin përsipër të drejtonin paqësimin. Madje, duke e lënë këtë detyrë, një peshë të rëndë në administratën Trump, nën drejtimin e Grenell-it. Ambasadori Grenell njihet në SHBA si një nga mbështetësit më të zjarrtë të vijës së Presidentit Trump, i atakuar shpeshherë në media si një diplomat që është shpesh më Trump sesa vetë Trump-i. Që pas vendosjes së taksës, SHBA-të u shprehën se kjo nismë nuk do të mbështetej. Në një mënyrë apo tjetër, kjo ishte edhe arsyeja kryesore se pse Haradinaj sot nuk është më Kryeministër.

Por pse Uashingtoni dhe ambasadori Grenell janë përfshirë në minitarifë krahasuar me biliona dollarët që Uashingtoni dhe Pekini, jo më larg se 1 muaj më parë, i vendosnin njëri-tjetrit? A është e një rëndësie kaq të madhe një shifër prej 400 milionë $, sa janë shkëmbimet tregtare mes Serbisë dhe Kosovës, aq sa për të përfshirë një personazh të kalibrit të Grenell-it?! Për një shifër që edhe buxheti i ambasadës që Grenell drejton, mund të jetë më i madh.

Në realitet, as Trump dhe as Grenell nuk e kanë primare vlerën dhe rëndësinë e marrëdhënieve tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Rëndësia është diku tjetër. Në nëntor, amerikanët do të shkojnë në kutitë e votimit. Pothuajse gjysma e kohës në debatet televizive mes kandidatëve demokratë është fokusuar te politika e jashtme, e që me siguri pritet të jetë e njëjtë edhe në garën direkte elektorale. Në politikën e jashtme, Trump ka bilancin më të keq të mundshëm. Në janar, pothuajse e futi SHBA-në në një konflikt të ri me Iranin. Madje, detyroi një vendim bipartizan për të kushtëzuar Presidentin që për çdo sulm në të ardhmen mbi Iranin, duhet të marrë konsultën e liderëve të Dhomës së Ulët dhe Senatit. Premtimi se do të tërhiqej nga Afganistani dhe Iraku, duket turbull në horizont. Ka një marrëdhënie të tensionuar me Francën. Ndodhet në pikën më të ulët të marrëdhënieve me Turqinë, e cila bëhet vendi i parë anëtar i NATO-s që blen armatime nga Rusia. Ka një luftë ekonomike, e cila vazhdon prej dy vitesh me Kinën. Është tërhequr nga marrëveshja për klimën dhe reduktimin e armëve bërthamore me Rusinë. SHBA-të duken më shumë se kurrë të izoluara për sa u përket marrëdhënieve me aleatët europianë e më gjerë. Kjo u pa qartë kur mbas sulmeve ndaj Iranit, asnjë prej vendeve kryesore të NATO-s nuk doli në mbështetje të një lufte të mundshme. Në ndryshim nga çfarë kishte ndodhur nën administratën Bush me Irakun dhe Afganistanin, apo nën Obamën në rastin e Libisë, apo kur ky i fundit e 5-fishoi numrin e ushtarëve amerikanë në Afganistan. Masë kjo që gjeti mbështetje nga anëtarët e NATO-s.

Ambasadori Grenell duket se është në një vrapim për të kapur çfarëdolloj marrëveshjeje për ta nxjerrë si një arritje të Trump në arenën elektorale. Postimi në “Twitter” i Trump mes Beogradit dhe Prishtinës, i vendosur një linjë ajrore direkte, doli që ishte jo i saktë. Për sa kohë që Serbia nuk e njeh pasaportën e Kosovës, ndërsa rregullat e aviacionit botëror të post-11 shtatorit kërkojnë paraqitjen e pasaportës në fluturimet ndër kufitare.

A mund t’i rezistonte dot Albin Kurti presionit direkt apo indirekt të Grenell?! Nuk besoj se ka nevojë për dyshime. Aq më shumë kur ambasadori Grenell është pajisur së fundmi edhe me detyrën e drejtorit për Inteligjencën. Kurti nuk mund t’i rezistonte një diplomati të formatit Grenell, i cili, gjatë punës si drejtues i zyrës diplomatike në Berlin, ka pasur një sjellje më të ashpër madje edhe se gjeneralët amerikanë të zonës së pushtimit në periudhën 1945-1949. Madje, Uolfgang Kubicki, drejtuesi i Grupit Parlamentar të Partisë Liberale (pjesë e koalicionit të qeverisë), do t’i bënte publikisht kërkesë ministrit të Jashtëm gjerman për ta shpallur Grenell-in person non grata.

Por, nuk ishte vetëm profili i të dërguarit të Uashingtonit që mund ta ketë detyruar Kurtin të bënte një lëvizje kaq pak të mbështetur edhe nga qytetarët kosovarë. SHBA-të janë pa diskutim arsyeja se pse sot Kosova është e pavarur. E mbase pa ndihmën e tyre, sot do ishim duke folur për kampe refugjatësh.

Mbase, lidershipi i Kosovës duket se nuk e ka kuptuar akoma se në Uashington nuk është më President as Bill Klinton dhe as Xhorxh Bush. Kosova nuk e ka luksin dhe as fuqinë të ndryshojë vijën politike mbi rajonin të Uashingtonit. Kështu që i ngelet t’i përshtatet me aq sa mundet. E mbase ne mund ta kritikojmë Kurtin për lëvizjen që bëri, por ndërkohë ai nuk kishte asnjë opsion tjetër.

Lëvizja e fundit e Kurtit dëshmon edhe diçka tjetër, se sa e brishtë është koalicioni qeveritar. Periudha e gjatë që iu desh LDK dhe VV për të arritur një marrëveshje, ishte një indicie se diçka nuk ngjiste në një koalicion, që në letër dhe platforma nuk është normal.

Po këtë radhë duket se Kosova ka një qeveri brenda qeverie, ku një pjesë sheh si Kryeministër Kurtin dhe pjesa tjetër Grenell-in. E ku zëvendëskryeministri Hoti duket më shumë si zëdhënës i zyrës për shtyp për Kosovën i ambasadorit Grenell-it se sa zv.kryeministër i Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: