Nikola Gruevski, është aktualisht sot i vetmi, ish-kryeminister në Europë, me statusin e refugjatit. Dikur njeriu i hekurt, i cili qeverisi Maqedonine për një periudhë prej 10 vitesh, sot fshihet në një vend të BE. Gruveski ishte një nga liderët më autoritarë në Europë, që nuk e kishte patur problem të përdorte instancat e shtetit për të intimiduar forcat opozitare. E bërë tashme publike, Gruveski jo vetëm kishte deformuar proçeset zgjedhore me anë të blerjes së votës, por madje kishte urdhëruar vartësit e tij, për të përgjuar dhe mbajtur, në vëzhgim lider të partive rivale në opozitë apo edhe në kualicion me të.

Largimi pas njohjes së dënimit, për një nga pesë akuzat që i drejtoheshin atij, mund të shihet si rënia e një autoritari. I anatemuar për korrupsionin në nivelet më të larta, Gruevski që kishte shërbyer për tri vite si Ministër Financash (1999-2002) dhe më pas si Kryeministër, për periudhën 2006-2016.

Në 10 vjeçarin që mbajti postin e Kryeminstrit, Gruevski u shqua për marrdhëniet jo të mira me vendet fqinjë, një stanjacion në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, përdorin i nacionalizmit për të mbuluar dështimet e brendshme, nivel të lartë të papunësis dhe shpërdorime të fondeve publike. Rasti më tip ishte i ashtëquajturi projekti “Skopje 2014”, që e mbushi kryeqytetin Maqedonas me statuja të personazheve të ndryshme historikë, disa pre tyre s’kishin të bënin fare me historin e Maqedonis. Aq i madh ishte numri i statujave dhe monumenteve, saqë për vendasit u kthye në shaka, fakti se “Shkupi ka më shumë statuja se sa njerëz”. Nje projekt ky me kosto marramendëse prej 500 milion €, për një vend të varfër si Maqedonia.

Si për të mbyllur gjithë bëmat e Gruevskit, Gjykata e Lartë e Maqedonis në 11 nëntor, e dënoi me dy vite burg për shpërdorim të fondeve publike në blerjen e një makine luksoze.

Ndërkohë që të gjithë prisnin dërgimin e tij, në qelitë e burgut, që dikur vetë kishte inaguruar, Gruevski kishte plane të tjera. Në një plan arratisje të denjë për filmat Hollwood, Gruevski, me pasaportë tashmë të konfiskuar nga Gjykata, arriti të largohej nëpërmjet Shqipërise dhe më pas Malit të Zi, në drejtim të Hungarise.

Pse në Hungari?

Hungaria e Viktor Urban është sot i vetmi vend anetar i BE, ku ekonomia e tregut bashkëjeton, me një lider autoritar. Dikur një ”martesë” kjo që ishte parë si e pamundur për t’u implementuar.

Në 3 vitet e fundit të regjimit të Gruevskit, i cili ishte braktisur nga Perëndimi, i vetmi lider i një vendi antarë të BE ,që tregonye mbështetje publike për Gruevskin ishte Urban.

Urban shihet sot në Europë jo vetëm si modeli, por edhe mbështetësi për regjimet  gjysëm-demokratike. Ndër të tjera këta të dy nuk ndanin, vetëm faktin se e shihnin drejtimin e shtetit me mjete autoritareske, por edhe një urrejtje për miliarderin hungarezo-amerikan, Xhorxh Soros.

Madje Gruevski në disa dalje publike, ja vuri fajin këtij të fundit si shkaktarë e nxitës të largimit të tij, nga zyra e kryeministrit në vitin 2017. Largim i cili u arrit për të zgjidhur krizën më të rëndë politike në vend, pas një marrveshje me ndërmjetësimin e BE.

Roli i BE.

Sot, BE ndodhet përballë me ato që njihen si trillet e fatit. Ishte pikërisht BE, ajo që nxiti largimin e një lideri të korruptuar. Dhe është përsëri BE, që u ka vënë kushte vendeve që aspirojn antarsimin në BE, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Dhe është pikërisht një vend i BE, që i jep azil politikë, madje duke ndihmuar me logjistikë, në arratisjen e një ish-Kryeministri të dënuar për korrupsion.

*Rigels Lenja, ka mbaruar studimet per Bachelor dhe Master Shkencor ne Histori tek UT, me Medalje Ari. Ka qene pjese e Kendit te Ekselences ne News 24 prej 2 vitesh. 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb