Nga: ARTAN FUGA*
Prova: E kemi lënë rrugëve në aksin Rinas – Laç në vend t’i bëjmë një muze të madh.
Po sikur ajo përmendorja e dikurshme e Nënës Terezës te Rinasi, shumë e goditur në fakt, që u zëvendësua me atë të një plake që ka humbur rrugën e shtëpisë nga ku e ka përzënë nusja e djalit, të jetë konsideruar si e ekzagjeruar dhe si një formë idolatrie, idhujtarie, meqë Nënë Tereza, duam apo nuk duam ne, sado e vlerësuar me çmim Nobel, ky cmim nuk është vlerësim brenda hierarkisë fetare, por laik. Për dikë që nuk është i shenjt ende mos duken shumë gjithë ato përmendore në Ballkan, mos duken pak si idhujtari, pra si idhuj të konfirmuar, por si rezultat plebishiti popullor ???
Hëmmm!
Po sikur, përdorimi shumë i shpeshtë nga ne i cilësorit “Nënë” të jetë konsideruar pak i tepruar, dhe është menduar se më e drejtë është të zbritet një shkallë deri te froni “Motër”. Ne themi me pasion Nënë Tereza sepse brenda kongregacionit të saj institucionalisht ashtu ishte. Por, kur dalim jashtë kuvendit, thirrja Nënë nga një komb i tërë mos krijon probleme? Sepse edhe brenda liturgjisë të krishterë vetëm një nënë ka…
Hëmmm!
Po sikur ngritja e legjitimuar e imazhit të Nënë ose Motër Terezës, prej dikujt të duket se është shumë lokaliste, e veshur me patriotizëm kombëtar, dhe në një farë mënyre lë pak mënjanë universalitetin e dogmës që njeh individin universal si bartës i vlerave dhe jo aq kombin?
Mos është edhe ndroja e justifikuar nga krijimi i idhujve të shenjtëruar në mënyrë shekullariste nga kombet, spontanisht? Mos ndruhen se lokalja merr shumë përpjetë në krahasim me universalen???
Hëmmm!
Prej kohësh këto mendime e pyetje si ushtrime në lëndën e filozofisë të fesë më sillen ndërmend dhe supozoj (cdo kërkues shkencor bën supozime dhe hipoteza sepse kjo është detyra e tij, për këtë e paguan shteti, pra taksapaguesit), se po të ishte kështu, po të ishte pra, (supozime) atëhere Tereza e gjorë një herë pati probleme me ateistët, kurse herën e dytë, ndofta për shkak të një pozicionimi jo fort adekuat nga ana e ndërgjegjes sonë popullore, pasionantë me të drejtë sikurse jemi në këtë rast që na bën nder dhe na jep identitet), Tereza riformulohet si imazh brenda kufijve dhe konteksteve të tjerë sipas kanuneve institucionalë të grupimit të vet. Njëherë riformatohet nga jashtë e tani nga brenda sensit të idealit të vet, si e drejtë ekskluzive e këtij të fundit. .
Mos vallë identiteti i saj popullor, kombëtar, shekullarist, ka një farë mospërputhje të pathënë me identitetin e vet ekleziastik???
Mos duhet pritur pak me durim që këto të përputhen në kohë???
Sidoqoftë puna jonë si laikë është identiteti i saj popullor, kombëtar dhe shekullarist, solidariteti, dhimbshuria, ndihma, e për këto ajo nuk bie nga asnjë piedestal.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: