Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se nuk mund të lejohet muzika e natës, pasi mund të bëhet shkak për përhapjen e infeksionit të Covid-19.

Manastirliu deklaroi se që tani në verë duhet të mendojmë dhe të përgatitemi për vjeshtën dhe dimrin, kur virusi mund të rrezikojë sërish vendin.

“Para një vit e dimë shumë mirë çfarë rritje infektimesh pati, pikërisht për arsye të muzikës pas orës 00:00, që në fakt u bë një mësim për gjithë botën. Nuk duhet ta bëjmë më atë gabim. Ne kemi ndjekur vendimet e Komitetit të Ekspertëve. Kemi marrë masa shumë të kujdesshme, duke ndjekur në dinamikë situatën. Sot kemi masa të reja në fuqi, është shtyrë orari me një orë, muzika ka mbetur në orën 22:00, pasi kështu e ka vlerësuar Komiteti për të shmangur grumbullimet e orëve të vona, kënaqësinë e të ndenjurit bashkë. Ne duhet të përgatitemi më shumë për dimrin apo për vjeshtën, sepse do të fillojnë shkollat. Duam që shkollat të jenë fizikisht, po ashtu edhe studentët. Nuk mund të kemi më luksin të shkojmë në lock-down. Çdo mangësi e sotme është një masë që vlen për një të nesërme të afërt. Ato mësime që kemi mësuar është mirë t’i vëmë në jetë, sepse na ndihmojnë nesër të kemi një menaxhim shumë të mirë të pandemisë, por edhe të jetojmë më mirë se vjet. Duke u vaksinuar, duke shmangur grumbullimet, duke qenë të rinjtë të kujdesshëm, do na lejojë neve të kemi një situatë të kontrolluar”, tha Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb