Pas një kohe të gjatë larg atdheut, në Tiranë së fundmi është rikthyer një prej familjarëve më të afërt të “Atit të Pavarësisë” Ismail Qemali, stërnipi i tij, Nedim Vlora.

Ai është intervistuar nga News24, në një moment tepër të veçantë siç është tërheqja e mjetit të tij të identifikimit dhe është shfaqur tepër i entuziazmuar, pasi për herë të parë është regjistruar si qytetar i Shqipërisë.

“Është një ëndërr që më në fund është realizuar, sepse që kur isha i vogël, në shtëpi, gjyshja dhe babai im flisnin për Shqipërinë. Kam pasur gjithnjë dëshirë të vij. Në vitet 1970, pata mundësinë ta vizitoja pak Shqipërinë. Gjaku ishte i lidhur me vendin sepse nuk harrohen paraardhësit. Jam i lumtur që arrita të sjell në vend, lidhjen me familjen sepse me pasaportën që mora, tashmë shpresoj të sjell tim bir dhe mbesën në Shqipëri”, ka thënë Vlora për mikrofonin e News24.

Por, si familjari më i afërt i autorit kryesor të deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, stërnipi i tij ka shprehur rezerva lidhur me mungesën e një ftese zyrtare  për të marrë pjesë në festimet për 100 Vjetorin e Pavarësisë në vitin 2012.

Në atë kohë qeveria e drejtuar nga Sali Berisha organizoi një mori evenimentesh në qytetin e Vlorës dhe në Tiranë, por u vu re mungesa e një pinjolli të familjes së “Plakut të Vlorës”, që i solli lirinë Shqipërisë.

I pyetur nga gazetarja Fatmira Nikolla lidhur me largimin prej një shekulli nga atdheu, Nedim Vlora nuk i ka kursyer aspak kritikat për mënyrën si familja e tij u la jashtë festimeve.

“Nëse duhet vërtetë të flas për një shekull, më duhet të them se nuk jam ftuar në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Më njihnin, por nuk më ftuan. Kam festuar në shtëpi me tim bir dhe me mbesën.  Nga sot jam qytetar shqiptar zyrtarisht. Jam i kënaqur. Familja kthehet të jetë ajo që ishte pas një intervali mjaft të gjatë kohe, që ishte jo për fajin tonë, sepse siç e dini, pas 1912-ës, historia shqiptare ka qenë turbulente”, është shprehur ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb