Nuk mund të zgjedhësh dhe të zgjidhesh normalisht nëse jeton në një sistem ekonomiko-shoqëror, ku tenton vetëm të përshtatesh por asnjëherë të jesh pjesë integrale duke respektuar kanonet. Për më tepër, nëse sistemi ekonomiko-shoqëror nuk përfaqëson realisht parametrat mbi të cilat ai identifikohet atëherë problemi quhet më i madh, qenia dhe vetë sistemi janë artificialë. Shqipëria është një nga rastet më të mira për këtë shpjegim. Bota demokratike ka shumë emra për këto gjendje, kurse shkallëzimet e vendeve të tilla janë nga më absurdet.

Shqipëria është përballur me këtë realitet historikisht qysh pas vitit 1920, koha kur filloi të kishte qeveritë e para që kishin disa programe minore dhe të cilat tentonin të ndryshonin vendin. Në ato pak zgjedhje, që u bënë deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria me kushtet e saj të tmerrshme shtuar dhe analfabetizmin e madh mbarte shumë vështirësi për të dhënë një produkt demokratik. Manipulimet quheshin ndihmë dhe detyrë për të ndihur njerëzit e varfër për të zgjedhurit, të cilët ishin projektuar të merrnin pushtet. Konjukturat e elitës së shkolluar mbysnin dëshirat dhe nevojat e njerëzve dhe mbi të gjitha nuk përfaqësonin absolutisht projeksionin e komunitetit.

Regjimi komunist e përcolli hipokrizinë në një cak më të lartë, pasi dënoi shumë nga njerëzit që tentuan kandidaturat në zgjedhjet e para pas lufte të cilët nuk ishin në listën e vet, paçka se kinse njihte zgjedhjet e lira. Qysh prej kësaj kohe, Shqipëria do kishte mallkimin që kurrë të mos besonte në zgjedhjet e lira. Hipokrizia e regjimit u bashkua me symbylljen e njerëzve. Regjimi ua konsakroi më vonë edhe me një kushtetutë, ku Diktatura e Proletariatit vendoste për gjithçka. Për shumë nga shqiptarët qoftë dhe intelektualët, koncepti i parlamentit ishte një absurd sepse nuk e kuptonin pse duhet të ishte kjo strukturë kur shumë mirë, këtë e bënte Partia e Punës, që vendoste për gjithçka. Për shumë nga shqiptarët qoftë dhe intelektualët, koncepti i parlamentit ishte një absurd sepse nuk e kuptonin pse duhet të ishte kjo strukturë kur shumë mirë, këtë e bënte Partia e Punës, e cila vendoste për gjithçka në jetën e tyre.

Ndryshimi erdhi fill pas vendosjes së Demokracisë, kur paradoksalisht regjimi në grahmat e veta të fundit bëri zgjedhjet më të mira. Në një nga zonat e kryeqytetit, fryt i këtyre votimeve ishte një rezultat krejt i beftë që i dha frymë shpresës së demokracisë. Ramiz Alia, lideri që zëvendësoi Enver Hoxhën dhe presidenti i asaj kohe, u mund nga një inxhinier i ri gati i panjohur. Në zona të tjera kishte sërish rezultate surprizë. Por, ajo që duhej të rezultonte si fat dhe përvojë e bukur do të kthehej mallkim për shqiptarët. Partia Socialiste, e cila sfidoi duke marrë trashëgiminë e PS-së dhe PD-ja lindur si forcë opozitare, nuk arritën kurrë të bënin zgjedhje të mira dhe problemi është se askush nuk kuptoi rregullat bazike të demokracisë, ku një forcë drejton falë votës së lirë dhe largohet po falë të njëjtës votë nëse nuk ka plotësuar premtimet dhe performanca e mandatit ka qenë e dobët.

Shqiptarët kanë në kokë modele që nuk i përshtaten demokracisë por më e shumta nuk dinë të zgjedhin sepse realisht nuk kanë perceptimin e qenies përballë shtetit dhe detyrimet reciproke. Të paktën forcat politike me njerëzit që kanë pasur në dispozicion nga ky realitet dhe që i kanë prezantuar për të plotësuar programet e tyre politike nuk e kanë forcuar sensin e shtetit tek individi dhe anasjelltas.

Shqiptari ende beson se shteti është përgjegjës për të gjitha, paçka se jemi në sistemin kapitalist. Atë çast që individi do shkëputet nga ky realitet dhe do të kuptojë vendin e tij Shqipëria do ndryshojë. Deri kur fatin e vet, shqiptari do t’ia besoj njerëzve që i shikon se e sorrollasin dhe nuk i plotësojnë asgjë, ne do mbetemi kështu. Fytyra e qyteteve shqiptare është pasqyrim i këtij realiteti. Përderisa do t’i besojmë politikës për çdo gjë dhe jo individit si edhe realitetit të ekonomisë së tregut ne do të mbetemi këta që jemi. Kur t’i besojmë sistemit ekonomiko-shoqëror ku jemi, atëherë do të jetë koha kur do ndryshojmë realitetet, që na rrethojnë, përmes njerëzve që mund të mbajnë përgjegjësi të tilla, që u përgjigjen realiteteve të komuniteteve me programet e tyre. Por ne, ende nuk dimë të zgjedhim, pasi zgjedhim njësoj si në kohën e Hoxhës, vetëm emrat që na dhuron politika, qoftë edhe atëherë kur është detyrimi dhe kërkesa për nevojat tona. Vetë ato. (Homo Albanicus)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb