TIRANË

Analisti Arjan Vasjari i ftuar në emisionin “Real Story” në News 24 foli edhe për procesin e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Ai tha se nëse BE do të refuzojë hapjen e negociatave me Shqipërinë, kjo do të ishte shumë e rëndë për qytetarët  shqiptarë.

Gjithashtu Arjan Vasjari komentoi edhe fenomenin e largimit të “trurit” të Shqipërisë, ndërsa listoi arsyet e forta, që detyrojnë këtë shtresë të popullsisë, të lënë vendin dhe kërkojnë më pas të ndërtojnë jetën e tyre në një vend tjetër.

“Unë besoj që nëse ne nuk do t’i hapim bisedimet kjo në këndvështrimin tim do jetë shumë e rënda. Ndarja nga Maqedonia e Veriut do të jetë fatale. Nëse ne hyjmë në Europë, faza e parë do të jetë traumatike për ne në fushën e ekonomisë. Megjithatë ne duhet ta bëjmë këtë sepse nuk kemi rrugë tjetër. Unë puqem në një pikë se ne po përjetojmë sot në mënyrë shumë të ashpër një krizë politike dhe shumë dimensionale. Ne jemi në një krizë  totale dhe në krizë sistemi. Ikja e trurit ndodh për dy gjerë themelore: E para është se nuk kemi realizuar barazinë e shtetasve para ligjit dhe ne nuk e kemi arritur atë që njihet si barazia e shanseve, janë këto dy elementë që na kanë prodhuar këtë krizë sistemi. Këtë nuk mund ta bëj as vullneti politik, po vetëm një rrugë dhe ajo është parimi i ligjshmërisë. Shoqëria vërtitet dhe bashkohet rreth ligjit. Nëse ne nuk forcojmë shtetin e së drejtës, ne do të vijojmë nga një proces elektoral në tjetrin nga një sistem në tjetrin, por do të vijojmë të jemi në një krizë permanente sistemi”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb