TIRANË

Deputeti dhe kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka folur me tone të ashpra në Komisionin e Ekonomisë ku është diskutuar projektligji “Për Eurobondin”.

Së pari Shehi kritikoi ardhjen në komision me një draft të paplotë, me një relacion një faqe, pa shifra se sa është borxhi.

Më tej ai tha se është turp i madh të thuash se është përmirësuar struktura, duke përdorur madje një krahasim se është njësoj si të thuash je i sëmurë, por varrimin do e bëjmë me arkivol të mirë.

Po kështu Shehi tha se nuk është e pakuptueshme pse quhet sukses marrja e borxhit, teksa përmirësimi i strukturës të borxhit vjen për shkak të zgjatjes së afateve.

FJALA E PLOTË
Këtu unë jam dakord që ky do marrë, i mbyllim këto paragjykimet se ju duket sikur ju vëmë shkopa ndër rrota suksesit. Do marrim. Në Shkodër thonë ‘lypa është e marre por nuk të len pa gjë’. Do të merret ky borxhi si gjithë ato të tjerat. Ne po bëjmë një diskutim principi sepse u bë kjo punë çdo 2 vjet ore dhe u bë me miliarda dhe ia vlen që të diskutojmë seriozisht për këtë punë. Nuk ka pse të ofendohet njeri nga dija e madhe që ka. Mendoni se sa pak serioze është kjo, këto 3 letra të shtrembëta. Nuk ma ha mendja që ka ardhur ndonjë vendim qeverie, ndonjë diskutim që nuk ka të paktën 5 letra dhe për 5 mln lekë të vjetra. Ju vini t’i kërkoni 700 mln parlamentit dhe keni bërë gati një relacion që është një faqe. Kaq. Sepse e keni quajtur të mirëqenë që do ta aprovojnë, të bëjnë ça të duan. Brenda këtij relacioni, ajo që thotë zonja, diskutimi i madh i principit do ishte shumë mirë dhe do ta kërkojmë. Po pse ishte ndonjë turp i madh me vu këtu sa pare kemi borxh ne si shtet shqiptar, një e para e punës, sa i kemi me euro botës e me dollarë e sa i kemi me pare vendit. Sa është borxhi i brendshëm dhe sa është borxhi i jashtëm që mos të gënjejmë njeri-tjetrin për këto shifra, brenda këtij relacioni dhe diskutonim e do ishte shumë serioze. Ky do të merret, shyqyr që merret me terma më të mirë, por kjo me shit mend që sa e mirë është ekonomia shqiptare që ka ardhur me këto terma, por jo ore.

Dëgjoni lajmet në darke aty tek RAI se ta jep sa është Spredi, 104 pikë ishte mbrëmë, s’ka nevojë fare as për shkollë kjo se e dinë të gjithë, sa dilet në treg në Europë. Qenka ndonjë sukses i madh se është 3.5, është shtrenjtë, për mua është shtrenjtë. Pse është shtrenjtë, sepse kemi marrë para dy vjetëve 2 e me radhë. Se ekonomia shqiptare është ajo që është. Pse ua japin më lirë atyre maqedonasve. Çfarë ka këtu për t’u mburrur. E fundit fare pse qenka kaq mburrje, sukses me marr borxh. Se dëgjova dhe zonjën ministre, tjetrën se na qenka përmirësuar struktura e borxhit, a do ta bëjmë tamam fare? Marrim 1 miliard vitin që vjen dhe na përmirësohet kjo afatgjata, kjo qenka mënyra për ta përmirësuar?

Ne jemi të sëmurë, por nuk e kemi sëmundjen aq të tmerrshme, varrimin do na e bëjnë me arkivol të mirë. Ky është turp i madh, qenka përmirësuar struktura e borxhit. Marrim vitin tjetër 1 miliard dhe themi sa është përmirësuar. E di pse është përmirësuar, se dy vitet e fundit është marrë 7-10 vjet, më përpara merrej me 5. Dy gjëra janë kryesore, borxhi po rritet, përditë, po shkon tek 10 mld dhe e dyta shumica e borxhit është në valutë dhe ky është rrezik i madh për Shqipërinë. Unë them t’i marrim këto, në parlament të paraqitet një listë, ku po shkojnë. Unë e quaj pozitive që po shkelim borxh me borxh, më mirë për këto 700 milionë, 200 të shkojnë për borxhin, por gjithë kjo mburrje, ekonomia, ça ka këtu për t’u mburrur. Për kësi temash që do ia lëmë kalamajve tanë ia vlen ta bëjmë diskutimin edhe me shifra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb