Qentë e Çernobilit, tashmë mund të na tregojnë se si t’i mbijetojmë një fatkeqësie bërthamore, shkruan faqja e intenetit fanpage.it.

35 vjet pas katastrofës së Çernobilit (26 prill 1986), përveç pasojave humane, mund të dallohen lehtësisht edhe pasojat mbi kafshët që ende banojnë atje.

Këto kafshë jetojnë midis ndërtesave të rrënuara dhe të braktisura brenda dhe rreth fabrikës së mbyllur, por janë ende në gjendje të gjejnë ushqim, të riprodhohen dhe të mbijetojnë.

“Përvoja e tyre dhe gjenet e tyre i bëjnë shkencëtarët të spekulojnë se këta qen mund t’i mësojnë njerëzit se si të jetojnë edhe në mjediset më të vështira dhe të degraduara si ato radioaktive.

Studimi përfshiu 302 ekzemplarë. Nivelet e ndryshme të ekspozimit ndaj rrezatimit mund t’i kenë bërë ata gjenetikisht të dallueshëm nga njëri-tjetri dhe nga qentë e tjerë në mbarë botën.

Tim Mousseau, profesor i shkencave biologjike në Universitetin e Karolinës së Jugut, beson se qentë “sigurojnë një mjet të jashtëzakonshëm për të ekzaminuar ndikimet e këtij lloji mjedisi te gjitarët në përgjithësi’’.

Për studiuesit, shumica e qenve nën vëzhgim, të ekspozuar ndaj rrezatimit jonizues afatgjatë dhe me dozë të ulët, duket se janë pasardhës të kafshëve shtëpiake që qytetarët u detyruan të linin pas evakuimit.

Mousseau, i cili ka punuar në rajonin e Çernobilit që nga fundi i viteve 1990, filloi të mbledhë gjak nga qentë rreth vitit 2017. Disa prej qenve jetojnë në termocentral, të tjerët në rrezen 15 deri në 45 kilometra.

Analizat e ADN-së mund të japin disa përgjigje të mëtejshme duke ofruar njohuri se si kafshët dhe njerëzit mund të jetojnë tani dhe në të ardhmen në rajone të botës nën “sulme të vazhdueshme mjedisore dhe në mjedise të kontaminuara’’.

Lidhur me efektet e ekspozimit ndaj rrezatimit në jetën e egër në zonën e përjashtimit, disa studime kanë treguar ‘’një reduktim të madh të popullatave të shpendëve dhe një rritje të mutacioneve gjenetike në disa specie në zona me nivele më të larta rrezatimi’’.

Një pyetje tjetër e pazgjidhur ka të bëjë me mundësinë që mutacionet e vërejtura në gjeneratat e reja janë për shkak të sasive të vogla të rrezatimit të vazhdueshëm ndaj të cilit kafshët vazhdojnë të ekspozohen, ose janë trashëguar nga gjeneratat e mëparshme që përjetuan shpërthimin. Ose të dyja.

‘’Analiza e re, e cila karakterizoi qentë që jetojnë në dhe rreth zonës së Çernobilit, hedh dritë mbi ndryshimet në gjenomën e specieve, duke zbuluar se kafshët janë gjenetikisht të dallueshme’’, theksojnë autorët e studimit në punimin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: