Libri “Dritëhijet e kohës” i ish-kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili ndalet gjerësisht mbi “persekutimin” e Ismail Kadaresë, nuk ka kaluar pa ngjallur debate. Duke e shpallur veten si “shpëtimtar” të Kadaresë prej dënimit të përcaktuar, Lame njëkohësisht ka ngritur edhe pikëpyetje mbi aktivitetin e tij, mbi vërtetësinë e fakteve që ai sjell dhe mbi pretendimin që Kadare ka qenë realisht i shkruar në listën e “komplotistëve” drejt eliminimit.

Analisti Fatos Lubonja merr në analizë librin e Lames, por edhe veprën e Kadaresë, që sipas tij ishte pjesë e propagandës së kohës dhe Enver Hoxha nuk kishte asnjë interes të dënonte bashkë me të edhe veprat që kishin vetë atë për protagonist. Përveç veprave që flasin për ngjarje të caktuara politike, edhe ato që u vendosën gjatë Perandorisë Osmane, sipas Lubonjës, u përmbahen klisheve nacionaliste të asaj kohe. “Kadareja e ka përdorur fantazinë e tij në funksion të ideologjisë, propagandës, pa bashkëpunuar fare me zemrën e tij, e cila mungon krejtësisht”, shprehet Lubonja, teksa thotë se shkrimtari për 30 vjet i ka bërë “operacione plastike jetës dhe veprës së tij”.

Veç dëshmive të ish-kryehetuesit për urdhrin e arrestimit të Kadaresë, në libër ka dhe procesverbale të pyetjes në Hetuesi të Llambi Ziçishtit, ku Kadare përmendet si pjesë e grupit komplotist të Mehmet Shehut, si i përpunuar nga Todi Lubonja. Ju keni qenë skeptik për të tilla dokumente, por pse regjimi ishte i interesuar të përfshinte emrin e Kadaresë, kur ju keni thënë që ai ishte i privilegjuar i atij sistemi, si shkrimtar që i shërbente propagandës së regjimit?

Le t’i marrim gjërat me radhë. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, qarkulloi një ide se Hoxha e eliminoi Shehun që t’i vishte atij krimet që kishte kryer vetë kundër grupit të liberalëve, të ushtarakëve dhe të sabotatorëve. Kjo, sepse dihej që Shehu kishte mbajtur qëndrimin më të egër në Plenumin IV ndaj Todi Lubonjës e Fadil Paçramit dhe i kishte udhëhequr vetë akuzimet e para në rangjet e larta të Ushtrisë kundër Beqir Ballukut.

Mirëpo, Hoxha nuk vonoi dhe e shpalli Mehmetin kryetarin e këtyre tri grupeve. Se sa e vërtetë mund të ishte kjo, mjafton të mendosh se sikur Shehu të kishte qenë vërtet armik i Hoxhës dhe të kishte me vete që në vitet ’60 edhe krerët e Ushtrisë, edhe krerët e Ministrisë së Brendshme e Sigurimit, edhe krerët e propagandës, bile deri edhe shkrimtarin më të rëndësishëm të regjimit, do ta kishin eliminuar Hoxhën sa hap e mbyll sytë.

Që Hoxha i ndërtoi akuzat për komplote e puçiste si paranojak që i besonte edhe vetë, apo pse kishte një plan racional që t’i linte trashëgiminë Ramiz Alisë dhe së shoqes, kjo mbetet e hapur. Personalisht besoj më shumë të parën, por kjo është tjetër çështje. E sigurt është se përveç provave të ideuara nga Hoxha dhe të materializuara nga Lame me shokë, nuk ka asnjë provë se ka pasur grupe armiqësore të kryesuara nga Mehmet Shehu dhe aktivitete armiqësore si ato për të cilat janë akuzuar. Kjo vlen edhe për përkatësinë e Kadaresë në këto grupe.

Deponimi i Ziçishtit se Kadareja, i përpunuar deri më 1973 nga Todi Lubonja, vazhdonte të merrte detyra armiqësore nga Mehmet Shehu është qesharak, por ai meriton të merret në analizë për të zbuluar se nga buron. Dhe e para gjë që duhet bërë, për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, është të zhvillohet një proces gjyqësor për të përcaktuar fajësitë e tërë atyre personave të vdekur dhe të gjallë (me në krye Enver Hoxhën) që kanë fabrikuar këto akuza që çuan shumë njerëz në varr, të tjerë në burgje dhe familjet e tyre nëpër internime. Nëse shoqëria, Kadareja, por dhe gazeta juaj do të ndiente sadopak ato përgjegjësitë për të cilat fola, do të duhej t’i kërkonte llogari Lames për këto krime më së pari dhe jo të pranojnë, përdorin e promovojnë gënjeshtrat e tij.

Megjithatë, le të kthehemi te pyetja juaj: “Pse regjimi ishte i interesuar të përfshinte emrin e Kadaresë?” (pa harruar se, kur pyesni “pse Kadareja?”, duhet të pyesni edhe “pse Hazbiu?”, “pse Feçor Shehu?”; a ishin këta vërtet kundërshtarë apo çfarë?

Së pari, duhet të shtrohet pyetja: Kush ishte regjimi? Lame një herë thotë se urdhëroi Hoxha vetë, ngaqë Kadaresë i ishte “rritur mendja” (?!), herë tjetër se e ka bërë hetuesi Ferit Sula, herë të tjera se prapa kësaj intrige qëndronte Ramiz Alia me Hekuran Isain, të cilët, sipas tij, donin “ta hanin të gjallë”. Këto janë fiksione. Fakti është se regjimi ishte Enver Hoxha dhe se ai nuk e ka përfshirë Kadarenë. Në vitin 1973, kur filloi fushata kundër liberalizmit, u botua një shkrim që e akuzonte Kadarenë si liberal për “Dimrin e vetmisë së madhe” dhe pritej të botohej një tjetër, por Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha nxituan t’i dalin në mbrojtje duke mbyllur çdo diskutim. Fakti (jo fiksioni) është se ky libër, nëpërmjet Ramiz Alisë, i kishte shkuar kapitull më kapitull Enver Hoxhës dhe ky e kishte pëlqyer – sigurisht, për shkak të 82 faqeve që përshkruanin madhërishëm figurën e tij, ndërkohë që për Mehmetin kishte vetëm 2 faqe dhe për Hysni Kapon vetëm një paragraf. Asokohe, madje, doli fjala se goditja e Kadaresë ishte nxitur nga pakënaqësitë e njërit nga këta të dy, më shumë të Mehmetit. Por Kadareja e dinte mirë qysh atëherë se kush ishte regjimi. Këtë e ka ditur mirë edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai. Ata kanë ditur edhe që eliminimi i Kadaresë do të thoshte heqje e veprave të tij nga qarkullimi në vend dhe pezullim i botimeve jashtë- për çka regjimi kishte investuar aq shumë sepse në to propagandohej socializmi dhe Hoxha – dhe nuk do të guxonin ta eliminonin këtë vepër pa rrezikuar që Hoxha vetë të dyshonte se ata po vepronin kundër tij. Prandaj, ideja se kundër Kadaresë ka intriguar Alia apo Isai nuk qëndron.

Këtë e provojnë edhe fakte të tjera. Sikur këta të kishin urrejtje personale ndaj Kadaresë, do të kishin vepruar më pas, sidomos pas vdekjes së Hoxhës, kur u bënë edhe më të fuqishëm. Kurse marrëdhëniet e tij me ministrin e Brendshëm, që do të thotë edhe me Sigurimin, kanë qenë të shkëlqyera.

Madje, në kohën kur Lame pretendon se rreth Kadaresë po kurdisej akuza për komplotist, fill pas arrestimit të Kadri Hazbiut, këta u angazhuan për internimin e një djali të ri, që ishte i dashuri i së bijës, vetëm pse nuk e konsideronin familjen e tij të denjë për familjen e tyre. Po ashtu, Kadareja është i vetmi shkrimtar që me urdhër të Hekuranit i është dhënë një makinë me shofer, që i përkiste asaj ministrie.

Edhe marrëdhëniet e tij me Ramiz Alinë kanë qenë të shkëlqyera. Në vitin 1988, ai ka shkruar parathënien e librit të Ramiz Alisë “Enveri ynë”, ku i bën elozhe sa autorit, aq edhe personazhit. Kurse në maj 1990, ai ka pasur edhe një letërkëmbim me Ramiz Alinë, ku ky i shkruan: “Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së Atdheut, lirisë dhe pavarësisë së tij, luftës heroike të Partisë sonë e të shokut Enver Hoxha për të ruajtur sovranitetin tonë (Kujtoj “Gjeneralin…”, “Kështjellën”, “Dimrin e madh”, “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert…” – të falënderoj për botimin frëngjisht që më dërgove – etj., etj.) Kjo të nderon jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot, si komunist. Veprën tënde e do populli dhe e ka vlerësuar e gjithë Partia.

Mos harro edhe atë çfarë ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Bile, nëse të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam shkrimtar të madh po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë dhe të popullit”. Nisur nga ky vlerësim, Kadare ishte kryesori në listën e intelektualëve që Alia thirri për të gjetur rrugëdalje nga kriza politike ekonomike, që po i avitej Shqipërisë pas rënies së Murit të Berlinit.

Letra e Ramiz Alisë dërguar Kadaresë në 1990 sintetizon qëndrimin faktik të regjimit ndaj tij. Puna është se pas viteve ’90, Kadareja i ka kthyer kokë së prapthi historitë që tregova, duke i manipuluar faktet e kthyera në fiksion. Në “Nga dhjetori në dhjetor”, ai shkruan: “Pas acarimeve të rënda me regjimin gjatë vitit 1982 filluan kërcënimet për vrasje, të bëra gjoja nga rrugaçë”. “Rrugaçi” në fakt është ish-i dashuri i së bijës, i cili u internua dhe përfundoi më vonë nëpër spitale psikiatrike, jo pse e ka kërcënuar me vdekje, por pse ka shkuar i ka prishur qetësinë duke bërtitur poshtë ballkonit. Kurse për raportin e tij me Sigurimin në vitin ’90 shkruan: “Sigurimi u përpoq të bindte shtetin se gjithçka ishte organizuar nga një grup intelektualësh, që kishin lidhje me shtete perëndimore.

Ishte bërë madje një listë prej 150 vetash (ku vetëkuptohej që emri im dhe i miqve të mi ishin ndër të parët), që propozoheshin për t’u arrestuar ose eliminuar”. Nuk ia vlen të zgjatem me prova të tjera se kemi të bëjmë me autorë, të cilët kanë harruar diferencën midis faktit dhe fiksionit. Ndoshta një ditë, ndonjë shkrimtar i ri do të merret ta përshkruajë këtë fenomen në ndonjë libër, siç ka bërë shkrimtari spanjoll, Javier Cercas, në librin e tij “Mashtruesi”, ku tregon se si një figurë e njohur, Enrique Marco, ka transformuar tërë historinë e tij për t’u paraqitur si i përqendruar në kampet naziste.
Por me një ndryshim tepër të rëndësishëm, sepse, nëse spanjolli e bëri këtë vetë dhe kur ia zbuluan e dënoi e gjithë shoqëria, Kadarenë e ka ndihmuar për ta bërë këtë e gjithë elita politike dhe kulturore e vendit, e cila nuk është tronditur fare kur kanë dalë mashtrimet – çka sipas meje flet për shtrirjen dhe thellësinë e traumës. Edhe një gjë tjetër interesante do të duhet të trajtohet në këtë libër: fakti se edhe njeriu i Sigurimit, i cili i di të gjitha të vërtetat, u ka dalë në mbështetje mashtrimeve.

Kjo aleancë e ish-terroristit me ish- propagandistin është shumë domethënëse për të analizuar qasjen tonë ndaj regjimit të djeshëm. Nëpërmjet teknikave të manipulimit, të zhveshjes së përgjegjësive – që shihet edhe në pasazhin e Kadaresë ku Sigurimi ndahet nga shteti – është kryer projektimi i së keqes te komponentja terror e regjimit duke mbuluar një komponente tjetër kryesore të tij, propagandën për të cilën ka punuar thuajse e tërë elita artistike kulturore që trashëgoi pushtetin. Nuk them se kanë të njëjtat përgjegjësi, por nëse sot flitet me aq inflacion për “shkrimtarë të mëdhenj”, “artistë të mëdhenj”, “regjisorë e aktorë të mëdhenj”, “këngëtarë të mëdhenj” të asaj kohe (e të kësaj kohe njëkohësisht), nuk mund të mos arsyetojmë se këtu ka diçka që nuk shkon, sepse sa më e madhe rëndësia publike, aq më e madhe është edhe përgjegjësia politike, morale, metafizike.

Le t’i kthehem tani pyetjes: Pse Kadare në listën e komplotistëve?”

Kur flas për qëndrimin faktik të regjimit, d.m.th. të Hoxhës ndaj Kadaresë, nuk dua të them se ai s’ka qenë në rrezik. Eliminimi i Mehmet Shehut tregon se të gjithë, përveç Enver Hoxhës, kanë qenë në rrezik, jo vetëm pse krijimi i klimës së frikës dhe terrorit ishte një ndër instrumentet kryesore të sundimit të Hoxhës, por sepse vrasja dhe persekutimi i të tjerëve duket se ishte edhe një kënaqësi sadiste e tij. Historia tregon se Enver Hoxha ka burgosur persona thjesht për shkak të miqësisë me ata që ai i kishte targetuar për t’i eliminuar. Një nga shembujt është Dashnor Mamaqi, i cili u burgos dhe vdiq në burg thjesht e vetëm sepse kishte pasur miqësi me Beqir Ballukun.

Nëse deponimi i Ziçishtit është autentik, mund të interpretohet në këtë kontekst. Rreziku i ka ardhur Kadaresë nga miqësia e tij me Bashkim Shehun. Paradoksalisht, Kadareja që pretendon se ka qenë kundërshtar i hershëm i atij regjimi, krijonte gjithnjë miqësi me familje të pushtetit si ajo e Todi Lubonjës, e Manush Myftiut, e Mehmet Shehut apo Adil Çarçanit. Qenia afër tyre, më shumë sesa miqësi e vërtetë ka qenë instrumentale, siç rezulton se ishin përgjithësisht miqësitë në këto rangje në atë kohë. Kadareja i ka bërë për karrierë, por edhe për t’u mbrojtur nga ambiciet e kolegëve që jo rrallë, për të hequr qafe rivalët, kanë përdorur pushtetin. Fatkeqësisht, siç ka deklaruar Zyluftar Ramizi dhe ka shkruar Nasho Jorgaqi, këtë e ka bërë edhe Kadareja kundrejt të tjerëve. Pra, mund të ketë ndodhur që, shtyrë nga motive të tilla, dikush të ketë tentuar të përdorë faktin e miqësisë së Kadaresë me Bashkim Shehun për të nxitur Hoxhën që ta eliminojë, por ky nuk e ka ngrënë. Siç e thashë, kjo do të duhej të dilte nga një proces që do të përcaktonte përgjegjësitë e fabrikimit të asaj akuze të rreme, ku pjesë kryesore e hetimit duhet të ishte edhe Qemal Lame, sepse ky, po të kishte qenë i drejtë dhe konform ligjit siç pretendon, nuk ikte në Gjermani në vitet ’90 dhe nuk priste të vdisnin gjithë ata që akuzon për të nxjerrë këtë libër./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb