Detaje të reja dalin në dritë për vrasjen e dy vëllezërve Andrea dhe Martin Olldashi në Maliq. Referuar të dhënave policore, gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se vëllezërit Olldashi mund të kenë humbur jetën 24 orë më parë.

Po ashtu, pista kryesore ku po heton policia është e kaluara e tyre por edhe aktivitetet e paligjshme ku dyshohet se ishin të përfshirë.

Burimet bëjnë me dije se dy vëllezërit kishin precedentë edhe në fushën e gjobëvënieve, kryesisht ndaj bizneseve dhe nëse këta të fundit nuk paguanin kërcënoheshin apo organizonin atentate me eksploziv. Një rast i tillë është faktuar në 2012 ndaj biznesit të 57-vjeçarit, Gjergj Leka në Korçë.

Pikëpyetja më e madhe për policinë është fakti se pse dy vëllezërit nga Pogrdeci kanë udhëtuar drejt Maliqit? Misteri bëhet më i madh edhe prej faktit se celularët e tyre rezultojnë të fikur. Pikërisht në këtë drejtim po punohet.

Sigurimi i tabulateve telefonike, që do tregonte edhe bisedat e tyre të fundit pritet të jetë një nga pikat ku do të fokusohet puna e hetuesve.

Mësohet po ashtu se deri më tani janë marrë në pyetje personat që jetojnë afër zonës ku i gjetën të pajetë dy vëllezërit në Maliq. Janë pyetur edhe familjarët e dy vëllezërve nëse kanë dijeni për ndonjë konflikt të djemve të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb