Nga: VASIL KURETA*
Kina me sa duket ka një strategji të qartë të saj për një rol e superfuqi botërore, që e ndjek me vendosmëri, por me veçoritë e një pragmatizmi e të një stili e metode tipike kineze. Ajo nuk bën zhurmë e nuk ngutet në hapat që hedh dhe deri më sot, me veprimet e kryera, nuk ka ndeshur në ndonjë kundërshti të fortë. Mbi të gjitha Kina nuk është bërë shkaktari i ndonjë konflikti ushtarak në rajon apo gjetkë. Kina i ka kushtuar vëmendje të veçantë, jo vetëm ruajtjes së qëndrueshmërisë ekonomike, por dhe zhvillimit të fuqisë ushtarake të saj edhe në formën e ndërtimit të ishujve artificialë për qëllime ushtarake në detin e Kinës jugore, që ka shqetësuar realisht fqinjët e saj, por jo dhe aq shumë aktorët kryesorë të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo ka ruajtur një lloj qëndrimi neutraliteti ndaj konflikteve ushtarake dhe tregohet deklaruese për mbrojtjen e stabilitetit e paqes në botë edhe pse nuk lodhet së vendosuri veton në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Kina arriti një sukses të vërtetë në samitin e Azi-Paqësorit, në fundvitin e kaluar, teksa siguroi të miratohet iniciativa e saj për krijimin e një zone të tregtisë së lirë nën drejtimin e Kinës. Presidenti kinez Xi Ping nuk e fshehu aspak entuziazmin, teksa e vlerësoi, si një hap historik për Kinën, madje njoftoi menjëherë për investime në infrastrukturë në masën e 40 miliardë dollarëve, ndërsa presidenti amerikan Obama, jo rastësisht, deklaroi se SHBA nuk po përpiqen ta frenojnë Kinën. Mesa duket, me këtë cilësi qëndrimi e reagimi, presidenti kinez ka patur parasysh edhe krijimin e bankës aziatike të investimeve për Infrastrukturën AIIB, ku Kina ka rolin kryesor.
Krijimi i kësaj banke nuk është rastësi, as një show i rastit, as nuk mund të reduktohet thjesht e vetëm në një krijesë kineze, apo kontribut i presidentit kinez edhe pse nuk mund të mohohet krejt roli i tij, por as edhe një krijesë spontane. Krijimi i një banke i këtij lloji e kësaj përmase, ku menjëherë aderojnë rreth 60 shtete, jo vetëm të rajonit, por nga vendet arabe, Amerikës Latine dhe madje edhe të Europës, si dhe misioni e obligimi i shprehur për investime në infrastrukturë, në një rajon, të etur për investime në këtë fushë, por dhe për zhvillimet ekonomike e sociale dhe me resurse jashtëzakonisht të mëdha, nuk mund të mos vlerësohet veçse pozitivisht. Po kështu ajo nuk mund të reduktohet thjesht e vetëm në një krijesë apo pronë ekskluzive kineze edhe pse Kina ka rol kryesor në ngjizje e në drejtimin e saj. Megjithatë, duke pranuar rolin drejtues të Kinës në këtë bankë dhe sidomos duke llogaritur peshën dhe rolin aktual të Kinës në ekonominë e politikën botërore, ambicien e saj aktive për superfuqi botërore, atëherë vërtet nuk mund të ndalesh vetëm apo thjesht te motivet investuese financiare në infrastrukturë dhe vetëm te ndikimet e mundshme të saj në ekuilibrat ekonomikë e financiarë botërorë. Kjo bankë ka lindur si nevojë bashkëpunimi rajonal, duke u shfaqur tërheqëse, se synon investime në zhvillimin infrastrukturor të rajonit, por që mund të bëhet aset për strategjinë e superfuqisë. Në këtë kënd vështrimi kjo krijesë nuk është vetëm bankë, por është e bëhet instrument gjeostrategjik roli në cilësinë e superfuqisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Vetëm duke e vështruar kështu, mund të gjykohet e të diskutohet kjo iniciativë e krijesë, seriozisht, për qëllimet e publikuara dhe ato të padeklaruara të saj. Ky këndvështrim nevojitet sepse, në rastin më të mirë, që të funksionojë sipas misionit të krijuar, nuk mund të mos ndikojë në ekuilibrat ekonomikë e financiarë ndërkombëtarë, që janë vendosur dhe funksionojnë për një kohë të gjatë, përballë sfidave të shumta të kohës, falë kontributit të mjaft vendeve të zhvilluara, por sidomos të SHBA dhe institucioneve të specializuara e autoritare si FMN, BB, OBT etj. Kështu, mjaft specialistë e analistë, kanë shprehur shqetësime të llojeve të ndryshme, se mos kjo bankë, me këtë mision e hapësirë veprimi, por sidomos me një status e rol konkurrues e rivalizues ndaj organizmave ekzistues, mund të sjellë tronditje të ekuilibrave të vendosur, mund të tronditë seriozisht stabilitetin e sistemit ekonomik e financiar në botë.
Në fakt nuk ka shqetësime zyrtare akuzuese apo anatemizuese për këtë krijesë, por ka realisht pikëpyetje të ligjshme, ngurrime për mbështetje, pritshmëri prove për ecurinë e saj, siç ka dhe entuziazëm për të marrë pjesë në të, madje dhe nga disa vende perëndimore europiane. Ka në fakt një reflektim e analizë rreth misionit, mundësive reale të veprimit, interesave bashkuese e ndarëse, mënyrës së funksionimit dhe efekteve pritëse, por sidomos të raporteve që do të vendosë me organizmat ndërkombëtarë ekzistues, por dhe të rajonit, se si do reflektojë aktiviteti i saj ndaj ekuilibrave ekonomikë e financiarë rajonalë e botërorë. Natyrisht, që analiza përfshin dhe marrëdhënien e kësaj krijese me strategjinë e Kinës për superfuqi botërore.
Ndaj çdo krijese të re e sidomos të kësaj përmase e misioni, janë të kuptueshme edhe shqetësimet përkatëse. Në rastin e kësaj iniciative nuk mund të mos llogaritet në analizë edhe fakti, se jo shumë kohë më parë, kur SHBA kishte deklaruar statusin e superfuqisë së vetme botërore dhe kur “shkrimtarë” politikë shkruanin e diskutonin rreth koncepteve të tipit “botë një polare, bi polare, multi polare”, apo të tjerë që pikturonin atë që e quanin “post perëndimi” apo hamendësonin një përplasje qytetërimesh etj, u frymëzuan edhe disa e u zhvilluan orekse, që kërkonin “çlirim” nga dominimi i dollarit, apo që kërkonin krijimin e disa qendrave të drejtimit ekonomik e financiar botëror. Natyrisht, këto koncepte i nxiti dhe i përkrahu dhe kriza botërore financiare, që u vlerësua si e ngjashme me depresionin e madh të viteve 30 të shekullit të kaluar.
Më pas këto ide e koncepte u fashitën dhe disa menduan se kjo ndodhi sepse u krijuan në kohë të papërshtatshme apo të papjekura. Të tjerë i justifikuan me sentencën se kushte të papjekura lindin dhe ide e koncepte të tilla. Megjithatë, ka dhe nga ata që mendojnë se krijuesit e këtyre koncepteve ndërruan taktikë dhe punuan për gjetjen e formave të përshtatshme të realizimit. Ndoshta kanë të drejtë dhe se kjo bankë e re me këtë profil dhe organikë shtetesh anëtare, vërtet mund të bëhet një krijesë rivaliteti, një instrument strategjik të luftës për rol botëror.
Dhe nuk mund të mohohet fakti që rolin kryesor në këtë bankë do ta ketë Kina, që edhe publikisht e dhe realisht ka bërë e bën lëvizje konkrete me objektiva të qartë gjeostrategjikë, në nivel rajoni dhe botëror. Është e kuptueshme se zhvillimi i kësaj ambicie e vë Kinën në rivalitet me SHBA, si superfuqia e vetme botërore, me rol kompleks në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe me fuqi të mëdha ekonomike botërore. Roli dhe rivaliteti e presupozojnë ndryshimin e prishjen e shumë ekuilibrave të vendosura e funksionuese. Ndryshimi është dhe pjesë e progresit, por dhe e regresit, prandaj nuk duhet insistuar te paragjykimi pa fakte. Koha do ta vërtetojë këtë mendim, por dhe kohës nuk ka pse i faturohet, kur shumë gjëra mund të kuptohen e zbulohen më shpejt, kur vërtet AIIB të fillojë të funksionojë me ngarkesë të plotë.
Krijesës së re i duhet dhënë koha të provohet në rrugën e misionit të saj si mjeti më i mirë e i drejtë i vlerësimit. Më së pari nuk mund të anatemohen objektivat e publikuara e misioni i krijimit të bankës. Nëse realisht kjo bankë do të funksionojë e nuk do të kthehet në një shkëndijë në fikje, atëherë, brenda filozofisë së bërë publike dhe sidomos përmes një bashkëpunimi konstruktiv me institucionet prestigjioze ndërkombëtare, të afirmuara për efektivitetin e tyre, si FMN,BB,OBT etj, do t’i kontribuonte zhvillimit të rajonit të madh të Azi-Paqësorit, zhvillimeve ekonomike, tregtare e financiare dhe forcimit të sistemit ekonomik e financiar botëror. Do të kontribuonte në përballimin e krizave ciklike të ekonomisë së tregut, zvogëlimit të hendeqeve të mëdha të krijuara mes rajoneve të ndryshme në botë dhe për ruajtjen e zhvillimeve të qëndrueshme ekonomike e financiare botërore.
Tashmë është e qartë se AIIB është krijuar me iniciativë e kontribut konkret të Kinës, që do të mbajë peshën kryesore e rolin e drejtimit të saj. Ky element të shtyn të kthesh vështrimin te cilësia e qëndrueshmëria e modelit ekonomik e financiar të Kinës. Është fakt se modeli aktual ekonomik i Kinës ka dëshmuar qëndrueshmëri e rritje ekonomike në nivel të lartë. Ky model, jo vetëm i rezistoi krizës së fundit ekonomike e botërore financiare, por siguroi rritje ekonomike të lartë. Ky fakt të nxit të shohësh në brendësi të këtij modeli për të kuptuar vlerën afatgjatë të tij, mekanizmin e brendshëm të ngjizjes e të funksionimit, kontradiktat e brendshme e kohëgjatësinë e efektivitetit të tij. Modeli kinez ekonomik, financiar,politik, e social është një aliazh i elementëve, koncepteve, përvojave të drejtimit, organizimit e menaxhimit, që përfshin edhe të ekonomisë së tregut, të përvojës komuniste alla kineze dhe të traditës kineze.
Kina nuk mban vetëm tabela komuniste, por është realisht një model eklektik, disi i veçantë dhe i realizuar në një vend me territor e popullsi jashtëzakonisht të madhe. Pavarësisht kësaj natyre komplekse, modeli aktual kinez është në thelb një formë e kapitalizmit shtetëror me centralizim të lartë drejtimi. Kjo cilësi e modelit të bën të mendosh se mund të mos jetë efektiv në jetëgjatësi, se mund të tregojë shpejt vështirësitë në funksionim, duke shkaktuar rënie të rritjes ekonomike e më pas defekte të tjera. Dhe në një rast të tillë të fillimit të rënies ekonomike, gropa që mund të krijohet në Kinë, rrezaton gjerë në sistemin ekonomik e financiar botëror. Kina, ka vërtet një rritje të lartë ekonomike të qëndrueshme, por niveli i jetesës së njerëzve është shumë larg nga ai i vendeve të zhvilluara perëndimore. Modeli ekonomik e financiar është i lidhur ngushtësisht me ekzistencën e funksionimin e institucioneve demokratike e të shtetit ligjor, që garanton dhe mbron liritë e të drejtat e njeriut, që mundëson një luftë efektive kundër korrupsionit e krimit. Centralizimi i lartë ngushton hapësirat e demokracisë në prodhim dhe në jetën shoqërore dhe Kina shpesh është kritikuar nga vendet perëndimore për standardet e lirive e të drejtave të njeriut. Kjo për faktin se modeli ekonomik kinez shfaq kontradikta reale me demokracinë e liritë e të drejtat e njeriut ose nuk ka standardet e vendeve të zhvilluara demokratike perëndimore. Këto karakteristika të modelit kinez nuk mund të mos ndikojnë në funksionimin e të ardhmen e misionit të AIIB.
AIIB është vërtet një krijesë e re në rajonin e Azi-Paqësorit, por nuk është e vetme. Që nga viti 1996 funksionon banka aziatike e zhvillimit BASD, që vërtet e ka qendrën e saj në Manila, por që drejtimin e ka pasur Japonia. Ajo është një iniciativë e këtij rajoni, që përfshin rreth 70 shtete, ku dhe Kina e ka parë të arsyeshme të jetë anëtare e saj. Në këto kushte banka e re nuk mund të mos vihet në kushte konkurrimi me atë ekzistuesen për një kohë të gjatë edhe pse nuk e parashikon një objektiv të tillë. Ndoshta, se e ndjen një rivalitet apo garë mes tyre apo luftë, prandaj dhe Japonia nuk i është bashkuar krijesës së re kineze AIIB. Në fakt mund të flitet për shqetësim dhe jo për ndonjë garë e rivalitet të shpallur mes tyre, apo mes Japonisë dhe Kinës.
Analiza nuk mund të ndalet këtu, pa llogaritur qëndrimin e SHBA, e cila e sheh të rëndësishëm rolin e Japonisë në zhvillimin e bashkëpunimit në rajonin e Azi-Paqësorit, ku SHBA ka interesa strategjike. SHBA ka qenë shumë e kujdesshme ndaj iniciativës kineze e krijimit të AIIB, e cila nuk mund të mos e shqetësojë, sidomos, nëse kapërcen përtej asaj që është deklaruar në misionin e bankës së re. SHBA, mund të mos e ketë pritur mirë nxitimin e disa vendeve europiane që të bëhen pjesë e iniciativës kineze, po tërheq vëmendjen që ajo ka menduar që Britania dhe Australia të mos bëhen pjesë e saj. Natyrisht, që këto dy aleatë të SHBA do të llogarisin përfitimet dhe interesa të caktuara pragmatiste, nga aderimi apo bashkëpunimi me këtë bankë të re, por nuk besoj që në vendimmarrjen e tyre të mbeten deri këtu.
Interesat janë komplekse, ku dallohen ato afatshkurtra e ato afatgjata, por interesat strategjike prevalojnë. Natyrisht, që do të ndikojë në këtë vendimmarrje edhe ecuria e zhvillimeve të brendshme ekonomike e politike në këto vende, por sidomos ecuria e SHBA në zhvillimin e rolit të saj si superfuqia e vetme aktuale botërore dhe roli i saj si udhëheqëse e perëndimit. Sot po ndikojnë në sjelljen e vendeve të ndryshme europiane edhe efektet e krizës ekonomike e financiare, zhvillimet e brendshme brenda BE, por dhe procesi, që po shihet, si mbyllje e kapitullit për disa parti tradicionale në vendet europiane dhe fillim i rolit të partive të reja. Megjithatë, do të ndikojë maksimalisht fuqia dhe efektiviteti i zhvillimeve të qëndrueshme ekonomike e financiare dhe pa mëdyshje vlerat e zhvilluara perëndimore.
SHBA nuk kanë arsye të mos mbështesin investime të rëndësishme në këtë rajon të madh dhe jo vetëm në infrastrukturë. Ato vetëm i shërbejnë zhvillimit e stabilitetit të rajonit e më gjerë. Por, as nuk mund të përjashtohet, që SHBA të kenë rezerva rreth misionit e funksionimit real të kësaj banke të re, për rolin që ka dhe mund të kenë në vendimmarrje në vazhdim, si Kina ashtu dhe Rusia. SHBA nuk mund të mos besojnë relativisht në objektivat e kësaj banke në rajonin e Azi-Paqësorit, por, duke marrë parasysh diversitetet e botëkuptimeve, interesave, synimeve, ambicieve për rol e në vendimmarrje në këtë krijesë. Kjo i bën SHBA të jenë të përmbajtura e të kujdesshme, duke pritur për të parë rezultatet dhe efektivitetin e saj. SHBA nuk mund të mos llogarisin mundësinë e përdorimit të kësaj banke nga Kina dhe Rusia për ambiciet e superfuqisë botërore.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: