Në emisionin “Open” në News24 u diskutua për pagat e pensionet dhe ndikimi i tyre në zgjedhje. Shqipëria vijon të jetë vendi i fundit në rajon sa i takon nivelit të pagave. Vendi ynë është i fundit edhe për pagën minimale. Edhe Bosnje Hercegovina e Maqedonia e Veriut e kanë pagën minimale më të lartë se vendi ynë. Në Shqipëri, paga minimale është 407 euro, në Mal të Zi 670 euro, në Serbi 618 euro, në Maqedoninë e Veriut 540 euro dhe në Bosnje Hercegovinë 510 euro.

Tabela Paga Minimale Rajon
Tabela Paga Minimale Rajon

Ekspertët rendisin arsyet:

Gjergj Buxhuku: Pas 30 vitesh jemi ende të fundit në rajon, ishim dhe jemi të fundit. Kjo është shumë shqetësuese. Lidhet me faktorë të tjerë negativë, me emigracionin masiv, kemi konkurrencën mes shteteve. Kur një shtet tjetër të ofron më shumë, ti do të shkosh atje. Kemi 33 vjet nga ndryshimi i sistemit, janë shumë. Vërtetë e kemi filluar nga pika më e ulët në Europë, por me pasuritë që ka Shqipëria nuk duhet të kishim pagët më të ulët se sa Bosnja, Maqedonia e Veriut. Me pasuritë që ka vendi sot duhet të ishim më të pasur se ata. Unë nuk shoh një sistem ekonomik sot që ne të shohim përmirësim. Sistemi ekonomik nuk garanton rritje të qëndrueshme dhe më të shpejtë se sa të shteteve të tjera. Duhet t’i vëmë gishtin si të ribëjmë sistemin ekonomik. Nuk kemi sektorë të ekonomisë të konkurrueshëm.

Petraq Milo: Fakorët janë disa. Shqipëria ka një produktivitet gjysmë për gjysmë krahasuar me vendet e Europës Lindore, Jugore dhe Juglindore. E para është arsimi, financojmë sa gjysma e vendeve të rajonit. Kërkimi shkencor është minimal qoftë në sektorin publik, qoftë atë privat – vendet e rajonit financojnë shumë. E dyta, shpërndarja e burimeve. Ne kemi sot rreth 90% të bizneseve që janë biznese të vogla, aty janë përqendruar burimet, unë shes, ti blen. Faktori i tretë është mosnxitja e eksporteve, tregtia e huaj e cila është faktori kryesor i rritjes së produktivitetit, ballafaqimi me tregun e huaj.

Faktor tjetër është vullneti i qeverisë, që nuk ka patur vullnet për rritjen e pagave. Paga mesatare është 2 herë më pak në Shqipëri në krahasuar me rajonin. Në Shqipëri rreth 700 euro, por në Serbi shkon 1200 euro. Paga minimale disa vite më parë ka qenë më e madhe se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Nga 2013 e këtij paga minimale është rritur pas një presioni të jashtëzakonshëm, pse jo edhe të opozitës.

Gjin Gjoka, Themelues i Biznesit të Diasporës në Shqipëri: A kemi edhe ne të punësuar me pagë minimale? Po. Nuk themi se jemi ekselentë. Do të nisesha nga ajo që kam parë në SHBA, mbrojtjen e një diplome për profesionalizmin për të patur një punë të garantuar. Shoh studentë që kanë ndjekur një degë sa për emër dhe jo për të patur një diplomë e cila mund t’i shërbejë për teknologjinë avancuese, atë zhvilluese dhe tek ajo që po shkojmë sot, Inteligjenca Artificiale. Para për të paguar rrogat ka plot. Ne kemi studentë që dalin nga studimet pa kryer intership në asnjë kompani dhe kërkon të fillojë punë me 1 mijë euro dhe kjo është shumë e vështirë si në Shqipëri ashtu edhe jashtë.

Dorian Teliti: Pagat caktohen nga tregu. Në sektorin publik i cakton qeveria. Kjo është pasqyra e ekonomisë shqiptare. Jemi të parët në rajon sa i takon produktivitetit? Jo. Jemi të parët në rajon për taksat e larta? Po jemi. Jemi të parët në rajon për emigrimin e forcës punëtore? Po. Produktiviteti i fuqisë tonë punëtore le për të dëshiruar. Shteti me politikat e veta mund të ndihmojë ndjeshëm produktivitetin. Pse vendet e rajonit kanë rroga më të larta se ne? Realiteti i tyre ekonomik në sektorë të caktuar është ku e ku më keq se Shqipëria. Por në këtë realitet që kemi gatuar ne, edhe në mungesë të fuqisë punëtore – shko nesër te sipërmarrja dhe thuaj do rris pagat, ngrihen të gjithë në këmbë, është kosto e madhe për ne. Gjysma e popullatës që është në punë sot rreth 360 mijë, ende paguhen me pagë minimale. Ka informalitet sigurisht. A është sistemi fiskal motivues për ta rregulluar tregun e punësimit? Jo nuk është. Me këtë sistem fiskal që kemi me taksa dhe tarifat më të larta në rajon dhe taksën e korrupsionit, të siguroj që të bësh biznes në Shqipëri është mision i pamundur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb