Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se qeveria e ka ftuar më shumë se dy herë opozitën, gjatë pandemisë, që të paraqesë programin e saj për të gjetur zgjidhje për situatën, por që kjo e fundit nuk është përgjigjur.

Sa i takon propozimit të PD për t’iu dhënë nga 18 euro pensionistëve për gjashtë muajt e ardhshëm, ministrja Denaj theksoi se qeveria e ka ndihmuar këtë shtresë, duke iu ofruar maska e dezinfektantë, madje edhe shërbimet në spitalet Covid.

“Po e nis me programin me 5 pika të Bashës. Ne e kemi ftuar opozitën të japë pika në momentin e pandemisë, por asnjëherë nuk u bënë publike. Të jeni të sigurt që ftesa është bërë më shumë se dy herë nga kryeministri Rama dhe Presidenti Meta. Të dalësh dhe të flasësh tani, është pak e vonuar. Për t’u kthyer te pensionistët, sigurisht që është shtresa më e rrezikuar në këtë pandemi. Shumicën e tyre i kanë izoluar. Kujdesi për pjesën më të madhe të tyre është i siguruar. Për pensionin, kemi arritur deri të kërkojmë që ata ta marrin në shtëpi, të mos shkojnë në bankë, si dhe iu kemi siguruar maska e dezinfektantë. Janë tre spitale Covid sot që flasim, ku flasim për një ndihmë të drejtpërdrejtë për një shtresë në nevojë. Po flasim për parandalimin, se izolimin e bëmë nëpër shtëpi”, tha Denaj.

Te pensionistët bëhet fjalë për një lëmoshë, 18 euro propozon PD…
Nuk është çështje kostosh, megjithatë edhe mungesa e kësaj kostoje është e tillë që amortizohet përmes formave të tjera. Familjet e kanë marrë ndihmën ekonomike, paketën e luftës, sigurisht që dhe një 18 euro mund të shkojë kollaj te një pensionist. Por ne po flasim për një situatë, ku ka kaluar emergjenca.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb