Ai lloj liberalizmi që u vu re, apo u lejua po themi nga regjimi komunist Tiranës në fundin e viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila preku pothuaj të gjithë jetën e vendit dhe normalisht edhe artin, kulturën dhe letërsinë, ndaloi si me komandë në janarin e vitit 1973, kur Enver Hoxha hodhi kritikat e para ndaj Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio Televizion. Ky festival për të cilin mund të thuhet se ishte dhe “maja” e liberalizmit në jetën artistike e kulturore të vendit dhe u prit mjaft mirë e me shpresa të mëdha si nga rinia, ashtu edhe nga ajo pjesë e inteligjencës shqiptare, që ndiqte me vëmendje hapat dhe kursin politik që po ndërmerrte regjimi komunist i Tiranës, pas kritikave të para të “udhëheqësit kryesor”, befas u shndërrua në një “tabelë qitjeje” si nga udhëheqja e lartë, ashtu edhe nga e gjithë hierarkia partiake e sistemit deri në organizatat bazë dhe gjithashtu nga të gjitha organizatat e masave që ishin nën varësi dhe nën komandën e Partisë. Kritikat dhe goditja që iu dha Festivalit të 11 të Këngës u pasuan nga fjala e Enver Hoxhës e mbajtur më 15 mars të po atij viti në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe më pas në Plenumin e III të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku si temë kryesore ishte “Lufta ndaj shfaqjeve të huaja dhe liberale, në art, kulturë dhe letërsi”.

Ashtu siç do të shohim edhe në mjaft nga kapitujt pasardhës të këtij libri, fjala e Enver Hoxhës e 15 marsit dhe ajo në Plenumin e III “pati një jehonë të madhe” në të gjithë jetën e vendit dhe si rezultat u mbajtën mbledhje të shumta jo vetëm nga institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës dhe në mbarë vendin, por edhe nga të gjitha komitetet e partisë në rrethe dhe dikastere e institucione të ndryshme, organizatat bazë, si dhe nga të gjitha organizatat e masave, si p.sh. Bashkimi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, Bashkimet Profesionale, Organizata e Gruas, Organizata e Veteranëve etj. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, asokohe u mbajt edhe mbledhja e Plenumit të Komitetit të Partisë së Rrethit të Mirditës, e cila zhvillohej pas një sërë mbledhjesh që ishin bërë në atë rreth si nga organizatat bazë, ashtu edhe ato të masave.

Zeri I Popullit
Zeri I Popullit

Lidhur me këtë bën fjalë dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë kapitull, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Mirditës, Jovan Bardhi, informon Komitetin Qendror të PPSH-së lidhur me zhvillimin e atij plenumi dhe e gjithë problematika që ka dalë në atë mbledhje. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, ajo që vihet re aty, ndryshe nga shumë rrethe të tjera, ku nëpër mbledhjet që janë zhvilluar në atë kohë pikërisht për të njëjtën temë (“Lufta kundër shfaqjeve të huaja nën frymën e fjalimit të shokut Enver Hoxha në Plenumin e III të Komitetit Qendror të Partisë dhe Presidiumin e Kuvendit Popullor, për problemet e kulturës, letërsisë dhe arteve”) nuk është diskutuar dhe janë ngritur probleme për çështje që preokuponin vetëm rrethin e Mirditës si psh., “rastet e vjedhjes nga nxënësit në konviktet e shkollave të mesme të Rubikut e Rrëshenit”, “vjedhjes së lekëve të një mësuesi nga nxënësit e shkollë së Rubikut”, “vjedhjes së dyqanit të Repsit nga nxënësit e shkollës 8-vjeçare të atij fshati”, “moda e flokëve dhe favoriteve të gjata”, “mosrealizimet e planeve të ndërmarrjeve dhe minierave të rrethit”, “kuadrot që kërkonin të largoheshin nga rrethi i Mirditës” etj., etj., por edhe për probleme nga më të ndryshmet të artit e kulturës në shkallë vendi.

Spahiu 3
Spahiu 3
Spahiu 2
Spahiu 2
Spahiu 1
Spahiu 1

Kështu, sipas raportit të Jovan Bardhit, nga komunistët dhe kolektivat punonjës të Mirditës janë ngritur probleme dhe është diskutuar gjatë edhe për revistat “Nëntori”, dhe “Shqiptarja e Re”, Radio-Televizionin Shqiptar, madje deri për gazetën “Zëri i Popullit”, e cila “nuk duhet ta kishte botuar kryeartikullin e Xhevahir Spahiut, pikërisht pas kritikës që iu bë atij nga shoku Enver”. Lidhur me këtë dhe të tjera nga ato çka janë diskutuar në Plenumin e Komitetit të Partisë së Mirditës na njeh dokumenti në fjalë, i cili publikohet me shkurtime dhe ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”, ku nëntitujt janë redaksionalë dhe të nxjerra në mënyrë integrale nga dokumenti arkivor.

Raport-informacioni i sekretarit të parë të Mirditës, Jovan Bardhi, për Komitetin Qendror të PPSH-së

DISA PROBLEME QË DALIN NË RRETHIN E MIRDITËS PËR LUFTËN KUNDËR ÇFAQJEVE TË HUAJA NË FRYMËN E FJALIMIT TË SHOKUT ENVER NË PLENUMIN E 3-TË TË K.Q. DHE NË PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR, PËR PROBLEMET E KULTURËS LETËRSISË DHE ARTEVE

Fjalimi i shokut Enver Hoxha, mbajtur në Plenumin e 3-të të Komitetit Qendror të Partisë dhe Presidiumin e Kuvendit Popullor për problemet e kulturës, letërsisë dhe arteve u punua dhe u zbërthye nga shokët e Plenumit, Aparatit, të organizatave të masave, sekretarët e organizatës bazë të Partisë dhe me të deleguarit në shkallë rrethi. Në të njëjtën kohë u dhanë orientimet se si duhet të punohej për njohjen, zbërthimin dhe zbatimin e tyre dhe për organizimin e diskutimit të këtyre problemeve në organizatat bazë të Partisë dhe në masat.
Mbas studimit të hollësishëm të fjalimeve të shokut Enver, Byroja e Komitetit të Partisë së Rrethit, në mbledhjen e saj të zgjeruar me pjesëmarrjen e përgjegjësve të organizatave të masave dhe të sektorëve në aparatin e Komitetit të Partisë, u ndal në çfaqjet e huaja, në shkaqet, në burimet dhe në punën që duhet zhvilluar kundër tyre.

Hyrja
Hyrja

“Ka raste që nxënësit vjedhin edhe lekët e mësuesit”
Raste vjedhjesh ka edhe nga nxënësit. Kështu, thyhet dyqani i shitblerjes nga një grup nxënësish të shkollës 8-vjeçare Reps. Në Rubik ka pas raste kur nxënës të veçantë ose në grup vjedhin. Një rast, edhe lekët e mësuesit. Vjedhje nga nxënësit ka edhe te njëri-tjetri si lekë, plaçka, sidomos në konviktin e shkollës së mesme, Rubik e Rrëshen. Tregohet kujdes i pakët për edukimin e fëmijëve nga ana e familjeve. Ka mjaft fëmijë që në qytet sillen deri vonë në orët e natës dhe nuk kujdeset prindi për ta. Disa fëmijë përdorin fjalë fyese, pinë duhan pa gjë të keq, në ndonjë rast grupe të vegjlish shtrohen dhe pinë alkool. Prishin dritat në shkollë, thyejnë xhamat me llastiqe. Ka mungesë respekti për mësuesit dhe për më të rriturit. Kjo duket veçanërisht në shkollat e qyteteve Rrëshen, Rubik, Reps dhe Kurbnesh.

“Ka nga ata me flokë të gjata dhe me favorite”
Në inteligjencën teknike, arsimore dhe të shëndetësisë si dhe ndër nxënës të shkollave, çfaqjet duken edhe në paraqitjen e tyre. Ka nga ata me flokë të gjata dhe me favorite. Këta janë punonjës që kanë ardhur nga rrethe të tjera, ka edhe nga ata që janë të rrethit tonë, por që kanë mbaruar studimet në qytetet e mëdha, sidomos në Tiranë. Çfaqje të tilla, sidomos në vitin e fundit janë vënë re edhe tek të rinjtë që janë punëtorë dhe kooperativistë. Disa prej tyre që mbajnë flokë të gjata e favorite, thonë vetë se e kuptojnë se nuk na pranon opinioni, por ç’tu bëjmë shokëve kur shkojmë në qytet, ata na thonë, je malok, ose sa shpejt u bërë fshatar.

Pamje Nga Qyteti Ib Rreshenit Ne Vitet 70
Pamje Nga Qyteti Ib Rreshenit Ne Vitet 70

Nga kuadrot e rretheve të tjera që punojnë në Mirditë, veçanërisht ata inxhiniero-teknik, të arsimit dhe të shëndetësisë, ka mbi 90 kërkesa për t’u larguar me pretekste të ndryshme se “kemi plotësuar stazhin”, “mjaft kemi qëndruar në Mirditë”, e konsiderojnë veten provizorë, etj. Vetëm nga tri ndërmarrjet ekonomike si Metalurgji e Gjeologji në Rubik, e minierë në Kurbnesh, janë 19 kuadro të lartë, të cilët kanë kërkuar të largohen, gjë që në disa raste nuk ndikon për mirë në cilësinë e punës. Sekretariati i Komitetit të Partisë së Rrethit është ndalur në këto çfaqje, janë zbërthyer ato për dëmin që sjellin dhe janë trajtuar në organizatat bazë të Partisë dhe ato të masave për kuptimin e tyre politik dhe ideologjik. Me gjithë efektin që po bën, përsëri bëhen presione për t’u larguar. Në inteligjencë shfaqet edhe një fenomen tjetër, disa prej tyre nuk martohen. Kam mbi 100 raste të tilla që i kanë kaluar të 30 vjetët dhe disa nga ata që janë të rretheve të tjera, shpeshherë e justifikojnë që presin të transferohen, pastaj të fejohemi dhe të martohemi.

“Në shkollë i jepet rëndësi letërsisë së huaj, jo asaj shqipe”
Në fushën e krijimtarisë muzikore nuk i kushtohet kujdes sa duhet muzikës popullore. Kjo gjë në disa raste nënvleftësohet, duke i dhënë prioritet muzikës së lehtë. Në ndonjë rast, ky i rrallë, gjatë shpjegimit në shkollë i jepet rëndësi letërsisë së huaj se sa letërsisë shqipe. Ka nga ata që jo vetëm ndigjojnë emisionet e muzikës së huaj, por edhe shikojnë në televizion emisionet që jepen nga Italia dhe Jugosllavia dhe në mjaft raste bisedohet si për gjëra të zakonshme.
Kjo edhe shfaqje të tjera të huaja në kushtet konkrete të rrethit tonë, bazën dhe burimin e kanë në psikologjinë mikroborgjeze të pronës private, që ka rrënjë të thella në ndërgjegjen e punonjësve, në rënien mbas interesit personal, në punën e pamjfatueshme që ka zhvilluar Komiteti i Partisë, organizatat bazë dhe ato të masave. Theksin në punën tonë e kemi vënë më shumë në luftën kundër zakoneve prapanike, besimeve fetare, në luftën kundër bajraktarizmit e hakmarrjes. Nuk kemi luftuar gjithnjë me të njëjtën forcë, në të njëjtën kohë edhe kundër çfaqjeve të huaja dhe të liberalizmit. Këto çfaqje i kemi shikuar e luftuar si fenomene të shkëputura në disa organizata bazë partie e ato të masave. Pa nxjerrë konkluzionet përgjithësuese në shkallë rrethi.
“Çfaqjet e huaja edhe nga Radio-Televizioni ynë, nga organet e shtypit”
Për çfaqjet e huaja tek ne kanë ndikuar edhe presionet e ideologjisë së huaj, e cila ka depërtuar nëpërmjet kanaleve të ndryshme, sidomos nëpërmjet radio-televizionit të huaj.

Nga diskutimet në Byronë e Komitetit të Partisë Rrethit doli se çfaqjet e huaja, në disa raste janë përhapur nga edhe nga radio-televizioni ynë, nga organet e shtypit, të botimeve dhe nga puna e pakët e pamjaftueshme që bëhet në disa raste në institucionet e larta arsimore e kulturale bën që disa të rinj dhe të reja, mbasi mbarojnë studimet, disa çfaqje të huaja i dërgojnë nëpër rrethet ku dërgohen me punëra. Disa nga vërejtjet më konkrete, ishin:
Në shtypin letrar siç është gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori” nuk ka kritikë konkrete, por më shumë teorizojnë. Në kritikat ndaj shkrimeve nisen më shumë nga konsideratat për shkrimtarin, se sa për përmbajtjen e veprës që ai shkruan. Edhe organet e tjera të shtypit kanë të meta në drejtim të luftës kundër çfaqjeve të huaja. Kështu, në revistën “Shqiptarja e Re” ndodh që të botohen edhe modele të modës së huaj në veshje, kurse revista “Ylli”, edhe në numrin e dytë të këtij viti boton 10 fotografitë e futbollistëve të Europës me paraqitje të shëmtuar. Në disa raste, sipas nesh, në redaksitë e gazetave ka çfaqje të familjaritetit, kjo duket edhe në moszhvillimin sa duhet të kritikës për problemet e letërsisë dhe artit. Në këtë kuadër edhe kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit”, datë 18.II.1972, i Xhevahir Spahiut, “Fundi i vitit, fundi i hekurudhës”, u tha në Byro se jo vetëm nuk ishte për kryeartikull, se kishte dhe të meta, por nuk pati njeri tjetër të shkruante, vetëm Xhevahir Spahiu, fill mbas kritikës që i bëri shoku Enver autorit.

“Pse nuk u shikua më parë Festivali i 11-të i Kangës që u dha në Radio-Televizion”
Pati kritika pse nuk u shikua më parë Festivali i 11 i Kangës që u dha në Radio-Televizion, kështu po ndodh edhe në raste të tjera. U tha se Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të ushtrojë më shumë kontroll dhe ndihmë në organizatat bazë të institucioneve arsimore dhe kulturore, të redaksive të ndryshme.
Problemet për të cilat bëjnë fjalë në fjalimet e shokut Enver u trajtuan nga ne në forumet e organizatave të masave të rrethit. Diskutimi vazhdon në organizatat e Partisë dhe të masave. Në organizatat bazë të Partisë dhe të masave, ku problemet kanë qenë më të mprehta, janë dërguar shokë më të përgatitur, që njihnin gjendjen për të ndjekur më nga afër problemet që dalin gjatë diskutimit për të metat që vihen re.
Organizata e bashkimeve profesionale e elektrolizës në uzinën e bakrit në Rubik, mbasi diskutoi çfaqjet e huaja, mori iniciativën për të fituar titullin individ dhe kolektiv i dalluar në shoqëri dhe në familje, duke përcaktuar disa nga drejtimet kryesore për të fituar këtë titull. Shkolla e mesme në Rubik e filloi diskutimin me ballafaqimin e 13 nxënësve të vitit të tretë të shkollës së mesme industrial, të cilët mashtronin familjet e tyre në ndryshimin e notave që u dërgohen prindërve në mbyllje të semestrit të parë.

“Prindërit thonë: Ua kemi dorëzuar fëmijët, bëni ç’të doni me ta”
Më parë u dhanë mendime nëpërmjet fletë-rrufeve, u bë ballafaqimi i 13 nxënësve dhe i prindërve të tyre me mësuesit. Pati mjaft debate. Ndonjë prind u shpreh se: ‘Ne ia kemi dorëzuar shkollës fëmijën, prandaj bëni ç’të doni, ose merrni çdo masë për të’. Diskutimi u thellua në organizatën e rinisë dhe në organizatën profesionale të shkollës, nga shtrimi i problemit doli familjariteti i sëmurë te nxënësit dhe ndonjë mësues zhvillimin e kritikës dhe të autokritikës e indisiplinime të tjera.

Shkolla 8-vjeçare Rubik trajtoi disa tema me mësuesit për edukimin e fëmijëve, pastaj e punuan punëtorët dhe në organizatën e frontit të lagjes, duke e lidhur me rastet konkrete të çfaqjeve në Rubik. Në kooperativën bujqësore Blinisht, Byroja e organizatës së Partisë, në luftën kundër indiferentizmit në qëndrimin ndaj punës, përdorën fletë-rrufetë, ballafaqimet në brigadë dhe këto po japin efektet për daljen në punë dhe në shfrytëzimin e kohës së humbur. Ata kanë marrë iniciativën, asnjë mungesë të paarsyeshme në punë dhe të plotësojmë normën çdo ditë e muaj.
Organizata bazë e Partisë e NSHN në minierën e Kulmes, gjatë diskutimit, duke kritikuar lëshimet, liberalizmin, rritën kërkesat ndaj vetvetes, komunistët e punëtorët morën një iniciativë të shkurtonin 6 punëtorë në sektorët joprodhues dhe kalimin e tyre në sektorë të tjerë prodhues. Gjatë diskutimit popullor po përpiqemi të luftojmë edhe të metat që vihen re si: gjatë zgjedhjeve nuk pati mundësi që në mbledhjet e organizatave bazë të bëhej analizë e çfaqjeve të huaja, prandaj po i rikthehemi përsëri diskutimit.
Në këto diskutime, në ndonjë rast janë munduar të ua hedhin fajin të tjerëve, sidomos nga qendra e institucionit të Tiranës. Këto janë dënuar, mbasi në fakt nuk largohemi nga përgjithësia. Ka pak iniciativë në luftën kundër shfaqjeve të huaja si për qëndrimin ndaj punës, pronës, në mësim e për probleme shoqërore, po i orientojmë që problemet jo vetëm të ngrihen e të kuptohen, por edhe të korrigjohen. Organet e pushtetit dhe ato të ekonomisë më me vonesë u futën në këto probleme. Këto ishin disa problemet që dolën jashtë këtij diskutimi në Byro dhe si fillim i punës në organizatat e Partisë dhe ato të masave. Problemi po ndiqet, ne do të informojmë herë pas here Byronë e Komitetit të Partisë së Rrethit, do u rikthehemi për problemet në organizatat e Partisë dhe ato të masave dhe për çështjet që do të dalin do të informojmë herë pas here aparatin e Komitetit Qendror të PPSH.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT
Jovan Bardhi

Marrë nga Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb