TIRANË

Nga arrestimet e SPAK, tek tenderat korruptivë e procesi i anëtarësimit në BE kanë qenë sot pjesë e diskutimit me analistin Genci Burimi në një lidhje direkte me News24.

Ai doli kundër deklaratave të Alfred Pezës, i cili tha sot se qeveria nuk ka pas dijeni për arrestimet e SPAK, duke theksuar se SPAK është një lidhje të drejtpërdrejt me pushtetin qendror dhe kjo gjë përbën një skandal në një demokraci reale.

“Mendoj që është serioze por duhet që shqiptarëve t’u jepen çelësat e mirëkuptimit të asaj që po ndodh që të mos jenë naivë. Ju patët zotin Peza sot i cili e mohoi kategorikisht që PS të ketë qenë në dijeni të hetimeve të SPAK. Është çështje thelbësore, aq shumë thelbësore sa edhe në perëndim është pika bazë e skandaleve politike. Sot nga politikanët më i akuzuar në Francë është Sarkozy dhe ai ka akuzuar partinë në pushtet që ka qenë në dijeni të përgjimeve.
Sot mësojmë nga avokatja e znj. Voda se SPAK e kishte vënë në përgjim në mars 2020, para shkatërrimit të TK. Në korrik 2020 hiqet nga posti i saj i zv.ministres. Mendoni që ka shqiptarë naivë sot që mos ta bëjnë lidhjen që qeveria Rama ishte në dijeni që Voda ishte në përgjim, që ishte në dijeni çfarë kishte bërë ajo? Sot ata që survejojnë, krahu i armatosur i SPAK që survejojnë personat në përgjim është policia e shtetit, eprori i policisë Rama. Sot qeveria dhe znj. Yuri Kim thonë që drejtësia nuk njeh asnjë kategori sociale, por sot a mund ta imagjinojmë që SPAK përgjon Ramën, pa e marrë vesh që është në përgjim?
Kur këta e kanë vënë në përgjim në mars 2020, rezulton se këto gjëra u lanë për tani jo para zgjedhjeve të 25 prillit. Po të ishin shqiptarët në dijeni se kjo qeveri e z. Rama ka bërë një tmerr me tenderin, ajo ministri që supozohet të mbrojë shqiptarët, por i vjedh shqiptarët, a imagjinoni që nëse do kishin dalë para zgjedhjeve, Rama do kishte fituar zgjedhjet? SPAK sot është në lidhje të drejtpërdrejt me pushtetin qendror gjë që përbën një skandal në një demokraci reale”, tha ai.

Analisti kërkoi në emër të opinionit publik t’i bëhet një check up total i gjithë tenderave që janë dhënë. “Kur vetë kryeministri pranon sot që 70% e prokurimeve janë me probleme, imagjinoni ça është bërë në këtë vend për 8 vjet. Duhen komisione hetimore për të gjitha koncesionet, opozita të kërkojë në parlamentin e ri. Ka një problem moral të padiskutueshëm, kjo është gjë e mirë që po ndërmerret, por pse kaq vonë?”, pyeti ai.

Por a mund të shërbejnë këto vendime për një përmirësim të këtyre punëve në administratën publike? Analisti Burimi mendon që jo.
“Nuk e besoj sepse në bazë ekziston sigurisht pagimi i keq që i bëhet nëpunësve civilë. Funksionari, nëpunësi shqiptar paguhet keq, është i korruptueshëm. E shikoni sot kur tallet Rama me mjekët. Nëse njerëzit paguhen siç duhet nuk ka pse të jesh vend kaq i korruptuar si Shqipëria. Nuk besoj që represioni zgjidh gjithçka. Nuk është zgjidhja. Zgjidhja duhet të jetë ekonomike, reformat. Duhet ekonomia të prodhojë më shumë. Më vjen keq sot që hiperbolizohet roli i SPAK-ut. Më vjen keq që Rama i shpëtoi një gjykimi popullor”, tha ai.

Duke u ndalur tek anëtarësimi në BE për ngecjen dhe përgjigjet flakë për flakë të kryeministrit shqiptari, Burimi u shpreh se sot Rama ka një problem real si do t’ia shpjegojë popullit të tij pse nuk hapen negociatat. “E thjeshtë nuk plotësohen kushtet. Ç’punë kemi ne të bëhen zgjedhjet në Bullgari që të ketë një maxhorancë, të zgjidhen problemet me Maqedoninë e Veriut. Është një mbrojtje e thjeshtë shumë burracake. Është problem merite, nuk e meriton sot Shqipëria. Po u hapën negociatat është çështje politike për të mos pasur influencën ruse e kineze, po të jetë për kushtet…Të bëjë sondazhe Rama në vendet e BE se çfarë opinioni kanë për Shqipërinë.
BE e mori vendimin politik dhe tha e marr këtë vendim me një kusht, ose të dyja vendet ose asnjëra. Faji është i Ramës. BE këtë plan loje nuk e ndryshoi, është koherente”, tha ai.

Lidhur me atë që thotë Rama për një rënie të entuziazmit për BE në rajon, Burimi tha se Rama bën politikë për konsum të brendshëm mos harroni.
“E shpik Rama për të bërë shantazh. Argumenti i parë që kujdes se do ftohet opinioni publik është blof. Versioni tjetër është i drejtë, që Perëndimi mund të ftohet nga vendet tona. Ne nuk po i aplikojmë siç duhet parimet bazë të demokracisë. Ndaj BE thotë ta frenojmë një moment se këto vende nuk janë të afta për vlerat tona. Nuk ka pse Rama të fajësojë Perëndimin. 8 vjet zbulojmë sot gjëmën në Ministrinë e Brendshme, në atë ministri që na mbronte. Është skandal. Ia kemi thënë Ramës, ia tha FMN kujdes me koncesionet. Jo thoshte Rama. Ia ka fajin Perëndimi? Është ai në bankën e të akuzuarve, jo Perëndimi. Nuk është normale që vidhet kjo para lum që ai e pranon vetë që prokurimet kanë qenë me probleme”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb