Politologu Roland Lami komentoi figurën e Vjosa Osmanit, e cila në zgjedhjet e të dielës ishte ndër politikanët më të votuar në Kosovë.

Në emisionin “Real Story”, në News24, Lami renditi disa elementë, që sipas tij, e kanë bërë Vjosa Osmanin kaq të vlerësuar nga populli kosovar, ndërsa dha edhe arsyet pse nuk kemi në Shqipëri një politikane të tillë.

“Vjosa Osmani është më e votuara, jo vetëm se është pro-amerikane, por ka bërë dhe akte të rëndësishme. Po të bëjmë një paralele në Shqipëri, ne kemi individë që kanë ikur nga estabilishmenti, por që nuk kanë bërë akte që t’i diferencojnë ato, pasi kur kanë qenë në pushtet, e kanë vajosur pushtetin. Nuk janë identifikuar në publik si persona që bëjnë edhe veprime që jashtë interesit të ngushtë të tyre mund të ishte një sjellje tjetër, ndërsa Vjosa Osmani e ka bërë një gjë të tillë. Kjo është një diferencë e madhe që ne nuk e gjejmë në Shqipëri. Elementi i dytë është se ajo është një figurë që nuk atakohet si korruptive. Është elementi i pastërtisë së figurës. Këto i japin pikët asaj. Në PD kemi z. Topalli, z.Patozi, që nuk e diferencojnë veten nga PD, por kjo shihet te znj.Hajdari, edhe pse lëvizja ku është atashuar, mbetet për t’u analizuar”, tha Lami.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb