Të tjera detaje janë zbardhur për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në kryeqytet, ku 56-vjeçari Nikolin Staka, nga Laçi ka humbur jetën pas një konflikti fizik me fqinjin e tij Alban Meneri.

Gazetari Igli Çelmeta duke raportuar nga vendngjarja për “News24” zbuloi se autori 51-vjeçar ka qenë duke debatuar me pronaren e një parukiere që ndodhet pranë banesës së tij, lidhur me një vend parkimi.

Meneri pretendonte se ky vend parkimi i përket atij. Teksa kishte dëgjuar përplasjen me tone të ashpra, Nikolin Staka, i cili kishte vetëm një muaj që jetonte në zonë me qera, pasi ishte kthyer nga Belgjika, ka dalë në ballkon dhe ka reaguar.

Nga ballkoni i katit të dytë të banesës, 56-vjeçari mësohet t’i jetë drejtua fqinjit që i mori jetën me fjalët: “Çfarë bën, si nuk të vjen zor që zihesh me gra”.

Ky i fundit i është përgjigjur duke i kërkuar të zbresë poshtë dhe në momentin që kanë qenë përballë njëri-tjetrit ka nisur ta godasë në mënyrë të vazhdueshme me grushte dhe snede të forta në pjesën e kokës dhe qafës.

Meneri ka vijuar ta godasë Stakën dhe kanë qenë banorët e lagjes që kanë ndërhyrë për t’i dhënë edhe ndihmën e parë 56-vjeçarit. Për momentin ai ka pasur vetëm dëmtime fizike të jashtme dhe banorët e lagjes e kanë shoqëruar në banesën e tij.

Vetëm ditën e nesërme, ka qenë pronari i banesës ku Nikolin Staka jetonte me qera që ka konstatuar të pa jetë 56-vjeçaruin dhe ka lajmëruar policinë.

Trupi i të ndjerit është dërguar për të bërë ekspertizën dhe nga rezultatet bëhet me dije se ai ka humbur jetën nga hemorragjia e brendshme e shkaktuar nga goditjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb