Megjithë ndryshimet e dukshme të konteksteve politike mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka një paralele shqetësuese që mund hiqet midis tendencës për një lloj ‘sovranizmi’ që dëgjohet gjithmonë e më shumë në të dy anët shqiptare të Drinit.

Për t’u orientuar në retorikën e stisur të sovranizmit shtrohen disa pyetje;

A është sovraniteti i Kosovës dhe Shqipërisë me të vërtetë në pikëpyetje? A është kjo një sfidë që thërret për një lëvizje ‘sovraniste’?

Sa i takon Shqipërisë, që pas 1997 (vit kur shteti e humbi sovranitetin për shkak të dështimit të asaj klase politike që thërret sot për sovranizëm), vëndi ynë është përcaktuar vendosmërisht për aleancë me perëndimin edhe për shkak të vokacionit të qartë pro perëndimor shqiptar. Në këtë proces (anëtarësimi në NATO apo progresi në rrugën drejt BE) sovraniteti i Shqipërisë veçse është edhe më i garantuar nga perëndimi e, kuptohet, gjithmonë e më i sigurt.

Nga ana tjetër, nuk mund të kalojë pa vëmendje dhe pa shqetësim fakti që një pjesë e opozitës shqiptare ka bërë të veta teza pseudo sovraniste për luftë ndaj një, me demek, komploti ndërkombëtar (lexo; amerikan), luftë ndaj ambasadorëve guvernatorë etj. I njëjti segment opozitar ka hyrë në një spirale konflikti me perëndimin madje duke u cilësuar nga perëndimi (SHBA dhe Britania e Madhe) si i padëshiruar.

Sa i takon Kosovës, është edhe më plateal fakti që, Kosova, nga një vend pa sovranitet, falë angazhimit perëndimor si NATO dhe jo vetëm, tashmë ka të garantuar nga aleanca perëndimore sovranitetin e vet.

Por aty, në mënyrë edhe më surprizuese, segmenti politik që është në pushtet ka hyrë në një spirale konflikti me perëndimin me teza të sovranizmit, të ngritura deri në doktrinë politike dhe që kanë përcaktuar edhe vetë emrin e subjektit politik.

Nëse sovraniteti i vendeve tona është gjithmonë e më i sigurt dhe më i garantuar nga perëndimi, si shpjegohet tendenca ‘sovraniste’ e retorikës politike?

Mjafton të analizosh faktet dhe kontekstin në të cilin po gurgullon kjo tendencë për t’u orientuar në natën pa yje të pseudo ‘sovranizmit’.

Në fakt, në Shqipëri, retorika e opozitës në realitet nuk ka me merak sovranitetin e vendit, por ‘sovranizmin’ e vetë klasës politike ndaj sistemit të drejtësisë dhe nevojës së vëndit për ndëshkimin e klasës aktuale të dështuar politike. Duke qenë së në përpjekjen modeste (por jo shumë të suksesshme) të perëndimit për të luftuar ‘pandëshkueshmërinë’, Shtetet e Bashkuara kanë qenë më vokalë, në thelb tezat pseudo ‘sovraniste’ synojnë minimin e ndikimit amerikan në këto procese.

Në Kosovë, retorika ka avancuar edhe në veprime politike që minojnë aleancën me perëndimin. Patjetër që ajo është paketuar me kartën morale, patjetër që ajo ndërton mbi frustrimin e shoqërisë kosovare që ende i ka të hapura plagët e luftës me agresorin serb. Por veprimet e fundit rrezikojnë t’i ngjajë luanit që kafshon të parin vetë njeriun që e çliron nga kafazi. Për më tepër këto veprime synojnë t’i shërbejnë vetëm interesit të ngushtë politik të një njeriu dhe jo interesit shtetëror të Kosovës. Madje në rastin e Kosovës është edhe më eklatant fakti që pseudo ‘sovranizmi’ drejtohet më së shumti kundra amerikanëve të cilët retorika ultra majtiste botërore i sheh si polici i botës dhe jo si garant i vendeve si Shqipëria e Kosova.

Në të dy rastet, retorikat dhe veprimet pseudo ‘sovraniste’ nuk janë në shërbim të vendeve tona, por i shërbejnë ekskluzivisht axhendave personale qoftë të eksponentëve të opozitës në Shqipëri, qoftë atyre të pozitës në Kosovë. Ato janë në funksion të përfitimeve politike të çastit duke komprometuar interesat afatgjata shtetërore në aleancën e vëndeve tona me perëndimin. Në të dy rastet ato po bëjnë dhe do vazhdojnë të bëjnë dëme të konsiderueshme në konsolidimin e shtetit qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Në të dy rastet kjo retorikë pseudo ‘sovraniste’, që në thelb është antiamerikanizëm, është në konflikt edhe me orientimin perëndimor të shoqërisë qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë. Jo çuditërisht, kohët e fundit, këto dy segmente kanë gjetur një konfort ideologjikisht jo natyral tek njëri tjetri, por që me sa duket të përputhur më së miri në aksionin sovranist dhe antiamerikan.

Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri ky konflikt ka rezultuar në tkurrje elektorale të kësaj opozite edhe pse, gjithsesi, fryma populiste në rritje nuk mund të mos jetë shqetësuese.

Mbetet të shihet nëse në Kosovë ky konflikt me perëndimin do i lëshojë terren populizmit në dëm të shtetformimit apo do ftojë në kauzë mendjet racionale dhe realisht patriotike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: