Olympique de Marseille dhe Paris Saint-Germaini nuk kanë mundur të shënojnë në derbin francez që njihet si ‘Le Classique’, në kuadër të javës së 11-të në Ligue 1, në sfidën e zhvilluar në Stade Orange Velodrome.

Luan Peres e futi topin në rrjet për skuadrën mike në minutën e 14, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Episod i ngjashëm ndodhi edhe në minutën e 21-të kur Arkadiusz Milik reagoi pa ndonjë shqetësim për të shënuar, por përsëri ndërhyri VAR-i dhe goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Në vijim, Lionel Messi krijoi dy raste të rrezikshme në pjesën e parë, por që nuk u tregua i saktë.
Në minutën e 57-të e takimit, miqtë luajtën me një lojtar më pak në fushë, pasi gjyqtari Benoit Bastien e përjashtoi me karton të kuq Achraf Hakimin pas konsultimit të VAR-it.

Me gjithë epërsinë numerike në fushë, vendasit nuk ia dolën që ta fitonin ndeshjen, kështu skuadrat ndanë nga një pikë secila.
Vlen të përmendet Paris Saint-Germaini vazhdon të jetë lider i Ligue 1 me 28 pikë, shtatë më shumë se përcjellësi i parë, Lens. Ndërsa Marseille është në vend të katërt me dhjetë pikë më pak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: