Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për Urdhrin e Psikologut”, duke i hapur rrugën kalimit të tij në seancën plenare. Sipas tij, të gjithë psikologët që ushtrojnë profesionin e tyre në institucionet publike apo private do të duhet të regjistrohen pranë Urdhrit të Psikologut, pasi vetëm në këtë mënyrë do të kenë të drejtë të ushtrojnë profesionin. Ndërkohë që, punëdhënësve në institucionet publike dhe private u ndalohet të mbajnë të punësuar apo të punësojnë individë në kundërshtim me këtë dispozitë.

Sipas projektligjit, “psikologu” renditet te profesionet e rregulluara, ndërkohë që anëtarët duhet të përmbushin një sërë kriteresh për t’u licencuar e më konkretisht: Të jenë shtetas shqiptarë, të kenë diplomën e studimeve të larta “Bachelor” dhe “Master Shkencor” dhe/ose “Master Profesional” në psikologji ose ekuivalent me të, lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin si dhe të zotohen me shkrim se do të zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, statutit dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë.

Nëse i referohemi kriterit të diplomës, ajo që vihet re është fakti se sipas këtij ligji, ata psikologë që nuk disponojnë diplomën në nivelin ‘Master’, nuk do të kenë të drejtë të anëtarësohen në ‘Urdhër’ e për pasojë nuk do të mund të ushtrojnë dot profesionin, duke e kthyer këtë nivel studimi për këta profesionistë, në një detyrim. Ndërkaq, një tjetër kriter që ata duhet të plotësojnë është që të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale apo për kundërvajtje penale me dashje që lidhet me ushtrimin e profesionit, në momentin e kërkesës për anëtarësim.

Detyrimet
Sipas projektligjit, anëtari i Urdhrit të Psikologut ka detyrimin të ushtrojë profesionin dhe të ketë sjellje profesionale, në përshtatje me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë dhe të punojë për rritjen e standardeve profesionale e të cilësisë së shërbimit në fushën e psikologjisë në institucionin ku punon dhe të marrë pjesë rregullisht në programet e edukimit të vazhdueshëm.

Po ashtu, ai ka detyrimin të paguajë rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, tarifat e regjistrimit, tarifën e dhënies të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe shërbimeve të tjera administrative, të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut. Për të gjithë ata anëtarë, të cilët shkelin Kodin e Etikës dhe Deontologjisë, që duke iu referuar eksperiencave të ‘Urdhrave’ të tjerë, hartohet pas konstituimit të këtij enti publik, projektligji parashikon edhe një sërë sanksionesh, që variojnë nga gjobat e deri te heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit.

Më konkretisht, kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë ose ka bërë gabime teknike, merr këto masa: Vërejtje me shkrim, vërejtje me paralajmërim, gjobë nga 10 000 lekë deri 100 000 lekë, propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione publike dhe private, pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Psikologut deri në 3 vite dhe përjashtim nga Urdhri i Psikologut për një periudhë deri në 3 vite.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj në Kuvend, qëllimi kryesor i këtij projektligji është rregullimi i marrëdhënieve të profesionistëve kundrejt shtetit dhe mbrojtjes së publikut nga ofrimi i shërbimit nga persona të pakualifikuar dhe nga sjellja joprofesionale e personave të specializuar për të ofruar shërbime të tilla.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: