Sipas studimeve, rreth 70 mijë persona në vendin tonë kanë përdorur të paktën një herë substance narkotike, ndërkohë që edhe varësia nga bixhozi, veçanërisht para mbylljes së pikave të basteve, por edhe tani vazhdon të jetë një problem i mprehtë për shoqërinë tonë. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, psikologia klinike, Enkelana Lekli tregon se varësitë më të përhapura në Shqipëri janë droga, alkooli dhe bixhozi. Ajo më tej bën me dije të gjitha simptomat fizike dhe sjelljet që shfaqin personat e prekur nga varësia patologjike. Psikologia Lekli tregon edhe disa nga mënyrat e rehabilitimit të të sëmurëve.

Enkelana
Enkelana

Çfarë është varësia patologjike?
Qenia njerëzore nuk mund të mos jetë e varur. Ne jemi të varur gjenetikisht që nga lindja, që nga bashkimi i prindërve tanë dhe prindërve të prindërve tanë. Jemi të varur nga shoqëria në të cilën jetojmë, nga ekonomia, nga politika etj. Varësia patologjike është një sëmundje, e cila prek disa aspekte: fizike, mendore, emocionale dhe shpirtërore. Një proces, i cili fillimisht ka funksionin e transmetimit të kënaqësisë si dhe lehtësimin e një gjendjeje të rënduar shpirtërore dhe emocionale e më pas karakterizohet nga humbja e vazhdueshme e kontrollit, pavarësisht nga pasojat negative që provokon. Për të kuptuar më mirë diferencën midis kënaqësisë dhe shndërrimit të saj në varësi është e nevojshme të shpjegohet se çfarë kuptojmë ne me fjalën “kënaqësi”.

Ku ndryshon kënaqësia nga varësia?
Kënaqësia është një ndjenjë ose eksperiencë që provon individi në një moment të caktuar, ku percepton efekte pozitive si në aspektin fizik, ashtu edhe atë psikologjik. Qoftë edhe një gjest i thjeshtë dhe banal mund të provokojë kënaqësi, duke e shndërruar atë deri në lumturi. Eksperimentimi i kënaqësisë vepron në aspektin psikologjik, nga e cila neve jemi në gjendje të dallojmë diferencën midis asaj që është e bukur dhe e kënaqshme nga ajo që na përcjell dhimbje dhe vuajtje. Për këtë arsye njerëzit janë më të prirur të përsërisin eksperienca që na lejojnë të përjetojmë kënaqësi dhe jo ato që sjellin vuajtje. Kënaqësia dhe varësia janë dy koncepte shumë të ngushta me njëri-tjetrën dhe ajo bëhet patologjike kur dëshira për të provuar kënaqësinë bëhet gjithmonë e më kompulsive dhe e vazhdueshme ditë pas dite, ku individi nuk bën dot pa eksperimentimin e saj në përditshmërinë e tij, atëherë ky mekanizëm mbart emrin varësi patologjike.

Kur lind rreziku që ndjenja e kënaqësisë të kthehet në varësi dhe nga çfarë mund të bëhemi të varur?
Varësia është një luhatje (alterim) e sjelljes, e cila nga një sjellje e thjeshtë e normale, shndërrohet në një kërkim të ekzagjeruar të kënaqësisë nëpërmjet metodave të ndryshme. Mund të zhvillohet në drejtim: të ushqimit (anoreksia-bulimia), drogës, alkooli, pirje e duhanit, ndaj marrëdhënieve seksuale, varësia emocionale (ndaj partnerit, familjes), varësia e punës ose varësia e sjelljeve kompulsive si bixhozi, përdorimi i theksuar i internetit, i videolojërave. etj.

Cilat janë varësitë më të përhapura në vendin tonë?
Për sa i përket vendit tonë, ndër varësitë më të përhapura janë ajo nga droga, alkooli dhe bixhozi. Shqipëria deri para pak kohësh njihej si një vend kultivues i bimëve narkotike dhe një vend transit për drogat e rënda. Përmendja e vazhduar në media, kultivimi në zona të ndryshme të Shqipërisë, mungesa e ndërgjegjësimit dhe shpërndarësit e shumtë në terren e bënë të thjeshtë tundimin e të rinjve, por jo vetëm për t’i provuar këto droga.

Sa është numri i të rinjve që kanë konsumuar drogë të paktën një herë dhe cilat janë grupmoshat më të prekura?
Sipas disa studimeve të bëra nga organizata të huaja, Shqipëria ka një përqindje të lartë konsumimi edhe për drogat e rënda si kokaina apo heroina (70000 persona). Konsumimi i tyre transformohet shumë shpejtë në varësi, ku më të prekurit janë moshat e reja. Kjo sëmundje nuk prek vetëm individin, por të gjithë kontekstin shoqëror apo familjar.

A vazhdojnë të jenë të varur shqiptarët nga bixhozi?
Të njëjtën gjë mund të themi për varësinë nga bixhozi, ku Shqipëria deri para pak muajsh kishte një numër shumë të madh lotarish sportive apo kazinove. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat vizive, numri i pikave të basteve ka kaluar në një pikë basti për çdo 730 banorë apo 1 “Slot-Machine” për çdo 1000 banor (pa marrë në konsideratë informalitetin), duke e renditur vendin tonë ndër të parët në Europë.

Cilat janë disa nga sjelljet që tregojnë se një person ka varësi patologjike?
Karakteristikat e sjelljes ose simptomat e abuzimit janë nevoja për të përdorur në mënyrë konstante, tolerancë, nevoja për të shtuar sasinë gjithmonë e më tepër për të arritur kënaqësinë, shpenzimi i tepërt i parave, edhe në rastet e pamundësisë së tyre; përdorimi kompulsiv (i përsëritur) i substancës edhe pse pacienti është në dijeni të problemeve që ajo shkakton; largimi i detyrimeve dhe përgjegjësive nga vetja në raporte familjare, shoqërore dhe punë.

Po simptomat fizike që shkakton kjo varësi si mund t’i evidentojmë?
Simptomat fizike që shkakton varësia janë: depresioni, gjendje konfuzionale, hipertensioni, vështirësi në frymëmarrje, humbja e kujtesës, humbja e vetëdijes, atak paniku, takikardi, dridhje duarsh, probleme me gjumin, eufori ekstreme, paranoja, halucinacione etj.

A kërkojnë ndihmë vetë pacientët që kanë rënë pre e varësive të ndryshme patologjike?
Pacientët që vuajnë nga këto çrregullime tentojnë të gjejnë mënyra vetëshërimi, por këto tentativa shpesh herë dështojnë, duke e bërë pacientin edhe më të pafuqishëm përpara saj. Shpeshherë ata që kërkojnë ndihmë nuk janë personat me probleme të varësisë nga substancat, por familjarët dhe njerëzit që i rrethojnë.

Ku bëhet trajtimi i personave të prekur në vendin tonë?
Në Shqipëri për momentin i vetmi vend ku një person mund të drejtohet për ndihmë është spitali i QSUT-së në Tiranë. Pacientët me probleme të varësisë trajtohen në repartin e toksikologjisë/alkoologjisë, në të njëjtin repart ku trajtohen edhe pacientët me probleme helmimi nga ushqime të ndryshme apo helmime për motive vetëvrasjeje.

Kur mund të kryhet rehabilitimi total i pacientëve të varur?
Siç u theksua pak më lartë, varësia është një çrregullim ciklik, i vazhdueshëm përgjatë gjithë ciklit të jetës, duke prekur shumë sfera të funksionimit të personit duke filluar nga ajo fizike, psiqike deri tek ajo familjare e sociale. Kjo ngre nevojën e një mbështetje 360° për ta trajtuar dhe mbajtur nën kontroll atë. Ndaj, trajtimi dhe rimëkëmbja ndaj varësisë mund të arrijë rezultate vetëm atëherë kur pacienti është i motivuar për të marrë sërish në duar timonin e jetës së tij. Vetëm një pacient i motivuar mund të bëhet pjesë e një programi rehabilitimi, i cili është i organizuar në disa faza, ku pacienti ndiqet hap pas hapi nga një ekip multidisiplinor i specializuar mjek toksikolog, adiktolog, internist, psikiatër, gastroenterolog, dietolog si dhe psikolog e psikoterapist. Asnjë prej profesionistëve të lartpërmendur nuk ka mundësi t’u japë zgjidhje pacientëve në fjalë i vetëm. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb