Partia Demokratike, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të saj, Gamzent Bardhi, i ka cilësuar si ilegale kartat e shpërndara me të dhënat e atyre që kanë kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.

Nëpërmjet një emaili, Bardhi sqaron se logo e PD, por edhe të dhënat personale të anëtarëve, përdoren vetëm me lejen e bazës. Ndaj sipas tij, duke qenë se nuk janë autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i PD, ato cilësohen si të paligjshme.

Bardhi sqaron më tej se ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike.

Mesazhi i Gazment Bardhit:

Të nderuar,

Në vijim të shqetësimit të shprehur nga disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PDSH për përdorimin pa të drejtë të të dhënave të tyre, në një dokument që përmban simbolet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam konstatuar se:

Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të Partisë Demokratike dhe/ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për intersin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD.

Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në Degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH.

Duke ju uruar punë të mbarë,

Sekretari i Përgjithshëm

Gazment Bardhi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: