TIRANE- Publikohen për herë të parë pamje të kamerave të sigurisë që tregojnë momentet pak para vrasjes së biznesmenit Memli Begalla në parkingun e pallatit ku po jetonte në rrugën ‘Nikolla Tupe’.

Në videon e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat duket qartë momenti kur biznesmeni, që u vra me një plumb në kokë, është duke ecur me hapa të ngadaltë dhe dy persona të veshur me rroba të zeza e ndjekin nga pas.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur 64-vjeçari drejtohet tek sheshi i pallatit ku kishte parkuar makinën. Ekzekutorët, dy persona të veshur me tuta sportive të zeza dhe me kapuç e kanë gjurmuar 64-vjeçarin te rrugica “Nikolla Tupe” deri tek oborri i brendshëm ku edhe kryen ekzekutimin.

Viktima mbërrin në hyrje të tunelit në orën 20 e 39 minuta e 10 sekonda. Vetëm 50 sekonda më vonë ata duket të dalin po nga e njëjta rrugë me hap të lehtë duke mos ngjallur asnjë dyshim.

Ekzekutimi u krye me vetëm një plumb cili u shkrep nga një armë me silenciator. Këtë e dëshmojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë pasi në momentin kur ka ndodhur ngjarja banorët e pallatit kryenin lëvizje normale duke mos vënë re se çfarë po ndodhte.

Përveç kësaj kamere, policia ka sekuestruar edhe të tjera në zonë që tregojnë largimin e autorëve drejt sheshit “Willson”.

Pista kryesore mbi të cilën po heton policia është ajo e vrasjes për shkak të borxheve që ai kishte. Sipas hetimeve viktima kishte rreth në 90 mije euro. Pavarësisht se gjatë këtyre ditëve në policinë e Tiranës janë shoqëruar disa persona, ata janë lënë të lirë pasi kanë rezultuar të pa përfshirë në ngjarje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb