MAQEDONI- Ekspertiza e trupit të Mirsad Ndrecajt, e realizuar nga Instituti për Mjekësi Ligjore në Maqedoni, është jo e plotë dhe nuk përmban informacione themelore për rrethanat e vdekjes së tij.

Dokumenti i autopsisë, i siguruar nga televizioni Shenja, dëshmon se edhe Ndrecaj ka ndërruar jetë si pasojë e plagës në kokë, megjithëse ka edhe plagë tjera në trup. Por ekspertiza nuk përmban të dhëna për kohën e vdekjes dhe largësinë prej të cilës është hapur zjarri.

“Vdekja e tashmë të ndjerit Mirsad Ndrecaj, në moshën 36-vjeçare, është e dhunshme dhe ka ardhur si rezultat i plagës nga armë zjarri në tru. Në trupin e të ndjerit konstatohen 12 lëndime nga armë zjarri, prej të cilave 2 në kokë”, theksohet në dokumentin e autopsisë së Ndrecajt.

TV “Shenja” publikoi ditë më parë edhe raportet e autopsive të Beg Rizajt dhe Arben Rexhajt, të cilave gjithashtu u mungonin elemente të rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tyre. Menjëherë pas këtyre raporteve pasuan reagime të avokatëve mbrojtës, Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë të cilët vlerësojnë se në aksionin e Kumanovës mund të ketë shkelje të të drejtave të njeriut.

Ata kërkojnë hapjen e një hetimi të ri që do të përfshinte edhe autopsi të re të të vrarëve, për të saktësuar të gjitha rrethanat.

Sipas versionit zyrtar të MPB të Maqedonisë, Mirsad Ndrecaj, i lindur më 17.06.1979 nga Kosova, i njohur si Komandant NATO, është vrarë në luftimet e një grupi të luftëtarëve shqiptarë me forcat policore maqedonase.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: