Kërcënimi i një pushtimi të Ukrainës nga Rusia i ka dhënë rëndësi të shtuar mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në të gjithë Evropën Lindore.

Sipas CNN, NATO ka katër grupe beteje shumëkombëshe me madhësi batalioni në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, të cilat operojnë në baza rrotacioni.

Secila prej tyre udhëhiqet nga Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania ose SHBA-ja dhe përmban trupa nga disa vende anëtare.

Aleanca tha muajin e kaluar se të katër grupet janë “forca të fuqishme dhe të gatshme për luftim”.

Sekretari i Përgjithshëm i saj Jens Stoltenberg ka thënë gjithashtu se është i përgatitur ta përforcojë me shpejtësi atë prani më tej duke dërguar forca dhe aftësi shtesë në zonë. Dhe dislokimet e NATO-s mbështeten nga trupat amerikane.

  • foto galeri
  • foto galeri

SHBA ka bazat e veta në Lituani dhe Rumani, së bashku me disa në Poloni.

Presidenti Joe Biden miratoi zyrtarisht javën e kaluar vendosjen e 3,000 trupave të tjera amerikane në Poloni, Gjermani dhe Rumani, me 8,500 personel të tjerë në gatishmëri të shtuar.

NATO nuk ka trupa në Ukrainë dhe nuk janë njoftuar plane për të dërguar trupa nga aleanca në vend.

Por megjithëse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, aleanca gjithashtu ofron këshilla në nivel strategjik për vendin dhe e ka përshkruar marrëdhënien si “një nga partneritetet më thelbësore të NATO-s”.

Asete të tjera në dispozicion të NATO-s në rajon përfshijnë një sistem të mbrojtjes raketore në Rumani, i projektuar për të “zbuluar, gjurmuar, përfshirë dhe shkatërruar” raketat balistike në atmosferë. Një strukturë e ngjashme në Poloni do të bëhet funksionale këtë vit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb