Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në zbatim të Ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” ka hartuar projektrregulloren “Për standardet e raportimit dhe të mbikëqyrjes së Byrosë Shqiptare të Sigurimit” dhe e ka nxjerrë atë për konsultim publik.

Kjo projektrregullore përcakton rolin mbikëqyrës të Autoritetit ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimit, e cila duhet të raportojë sipas përcaktimeve, afateve dhe përmbajtjes së kërkesave të reja ligjore.

Bazuar në ndryshimet ligjore, janë shtuar disa nga pikat për të cilat Byroja ka detyrimin të raportojë në Autoritet, ku veçohet financimi, investimi dhe administrimi i vlerës minimale të Fondit të Kompensimit, dokumentacioni për miratimin e organeve drejtuese të Byrosë, raporti dhe opinioni i aktuarit në lidhje me provigjonet e dëmeve, etj. Risi e ligjit, e reflektuar në këtë projektrregullore janë edhe formularët e standardizuar, sipas të cilëve BSHS do të raportojë në Autoritet.

Disa nga risitë lidhen edhe me raportimin dhe administrimin e vlerës minimale të Fondit të Kompensimit, ku sipas ndryshimeve ligjore përcaktohet një fond minimal prej 150 milionë lekësh. Gjithashtu, draftrregullorja përcakton modalitetet e krijimit dhe raportimit të Fondit të Kartonit Jeshil. Ky fond mblidhet nga Byroja dhe përdoret në rastet e aksidenteve me policë ndërkombëtare sigurimi, të ndodhura brenda territorit të Shqipërisë.

Në zbatim të ndryshimeve ligjore, në projektrregullore është reflektuar si nen veçantë mënyra e llogaritjes dhe mbajtjes së rezervave për dëmet objekt Fond Kompensimi dhe depozitimi në Autoritet i raporteve të aktuarit të autorizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb