Një lule tipike e Ditës së Verës, në emisionin e Rudina Magjistarit, si simbolikë falenderimi dhe mirënjohje për punën dhe misionin e vështirë të gazetarëve dhe mediave në periudhën e vështirë të epidemisë.

Këtë mënyrë zgjodhi anëtarja e AMA, Suela Musta, per të shprehur vlerësimin për mediat, veçanërisht, siç u shpreh ajo, për vajzat, gratë dhe nënat e reja, që bëjnë gazetarinë e terrenit në këtë sfidë të madhe jo vetëm për sigurinë e tyre fizike, por dhe kushtet e karantinës së shoqërisë në tërësi.

“E rëndësishme është që të mos kemi karantinim të informacionit dhe komunkimit mbi sëmundjen në këtë situate”, tha ajo.

Musta tha se mediat audiovizive, por dhe ato online, po punojnë me profesionalizëm dhe me etikë, si dhe televizionet po respektojnë udhëzimet e AMA-s për transmetim dhe publikim sa më të shpeshtë të spoteve dhe fushata ndërgjegjesuese të publikut mbi masat shtrënguese parandaluese të Corona Virus.

“Por brenda rolit të saj informues dhe investigues media veçanërisht në emisionet e lajmeve mund të përcjellin më shumë informacion nga terreni spitalor dhe ai i ambulancave lidhur me kushtet e trajtimit të të prekurve apo dhe duke transmetuar apel dhe mesazheve të mjekëve të karantinës në Infektiv me video call, në mënyrë që publiku të informohet nga vendi i ngjarjes. Praktikë, e cila po ndiqet dhe nga mediat italiane apo perëndimore.

Mediat si misionare të informimit të pavarur duhet të dalin nga modeli i transmetimi me shumicë dhe vetëm të njoftimeve zyrtare, pasi ato përmbajnë informacion të fragmentarizuar edhe pse është i certifikuar”, tha anëtarja e AMA. Sipas saj, në ekrane mungon ende zëri i profesorëve, i katedrave dhe studiuesve të Imunologjise, farmacistëve, mjekëve të familjeve, të cilët në profesionin e tyre kanë patur eksperienca të jashtëzakonshme në fushën e viruseve.

Rasti i Italise, ku bordi i profesorëve të Spitalit më të madh Infektiv Spalanzzani del çdo ditë me komunikatë dhe konferencë për mediat, duhet të importohet në Shqipëri, sepse publiku beson shkencën dhe dijen me shumë sesa qëndrimet e institucioneve mbi sëmundjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb