NGA ARMIR MEHAJ*

PUKE- Pyjet duhet të kalojnë sa më parë nën menaxhimin e pushtetit vendor, teksa miratimi i ligjit që e konsideron prerjen e pyjeve krim do të jetë shpëtimi për këtë pasuri

Ky është qëndrimi i kryebashkiakut të Pukës, Gjon Gjonaj dhe Prefektit të   Shkodrës, Paulin Radovani, të cilët besojnë se kalimi i pyjeve nën menaxhimin e Pushtetit Vendor do i hapë rrugë ruajtjes së kësaj pasurie, prej 25 vitesh në shkatërrim.

“Mbi pyjet në përgjithësi dhe veçanërisht mbi pyjet e Pukës ka ndodhur një masakër e vërtet. Kalimi i kësaj pasurie në menaxhimin e njësive vendore  do ndalojë shkatërrimin por qeveria duhet që bashkë me transferimin e pyjeve të transferojë dhe buxhete, çfarë do t’i hapë rrugë ripërtëritjes së kësaj pasurie”, shprehet kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj.

Edhe prefekti Radovani, transferimin e pyjeve nën menaxhimin e pushtetit vendor e konsideron si një ndër reformat më me vend të qeverisë Rama. “Koha ka treguar se Pyjet nuk ruhen dot nga Tirana ndaj kalimi i shpejtë i tyre tek njësitë vendore është zgjidhja e merituar përballë shkatërrimit të pandalshëm”, thotë Radovani.

Edhe pse Puka konsiderohet si kryeqyteti i pyjeve shqiptare, që vitet e fundit është kthyer dhe në kryeqendrën e shkatërrimit të tyre nga të dhënat statistikore të organeve ligjzbatuese rezulton se nuk ka asnjë të dënuar për këtë kundërvajtje.

I vetmi dënim që marrin shkatërruesit e pyjeve në raste të rralla kur  ndalohen nga Policia është sekuestrimi i lëndës drusore, procedurë e cila meriton një hetim në vetë.

Shpallja e moratoriumit për pyjet kryesisht në Pukës është mirëpritur si reforma më e domosdoshme për këtë zonë, por pukjanët besojnë se sërish ndalimi i prerjes së pyjeve nuk do të funksionojë sa kohë kundërvajtësit  kanë lidhje të forta me respektuesit e moratoriumit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb