NGA ARMIR MEHAJ*
PUKË- Dëmtimi në pyjet e Pukës duket se nuk ka të ndalur as pas shpalljes së moratoriumit, i cili parashikon ndëshkime të ashpra për kundravajtësit.

Policia e Pukës gjatë dy ditëve të fundit në aksionet rutinë për respektimin e moratoriumit të pyjeve ka identifikuar një dëmtim masiv pyjesh në zonën e Masivit Pyjor të Krrabit, ku ishin prerë 10 metër kub lëndë drusore në pyje lisi. Për këtë dëmtim policia ka identifikuar kundravajtësin, i cili bëhet e ditur se është shtetasi A.C., ndaj të cilit u mor masa administrative me 50 milion lekë gjobë.

Po kështu me të njëjtën masë administrative është ndëshkuar edhe shtetasi P.L., i cili u identifikua duke dëmtuar pyjet në një sipërfaqe pyjore në Masivin e Qafë Malit.

Blutë e Pukës prej ditësh kanë shtrirë operacionet e tyre në të gjithë hapësirat pyjorë të kësaj zone me qëllim ndalimin e veprimtarisë së paligjshme e cila për 25 vite me radhë i ka shkaktuar dëme kolosale ekonomisë pyjore të kësaj zone.

Prej shpalljes së moratoriumit të pyjeve në Pukë janë vendosur pesë gjoba për kundravajtësit në pyje, ndërsa periudha ne vijim deri në nëntor shënon dhe dëmtimet më masive në sipërfaqet pyjore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: