Nga: ARMIR MEHAJ
PUKE – Bashkia e Pukës e mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe organizata të ndryshme joqeveritare përkujtoi 105-vjetorin e lindjes së poetit të madh Millosh Gjergj Nikolla, “Migjeni”.
Njerëz të letrave shqipe, artistë e gazetarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi mbërritën në Pukë, duke vizituar fillimisht shtatoret e Migjenit, vendosur në qendër të qytetit të Pukës, ku shprehen se respekti që I bëri Puka jo vetëm po e nxjerr nga pluhuri i harresës, por po sjell në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve jetën dhe veprën e tij.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj teksa ju uroi mirëseardhjen miqve nga Shqipëria dhe diaspora, tha se Bashkia e Pukës i dha që në krye të herës vlerësimin e merituar Migjenit, teksa shtoi se vendosja e shtatores së tij ishte një ogur i mirë, pasi u pasua e po pasohet nga dhjetëra investime për transformimin e qytetit në një qytet europian.

‘Arti, Kultura dhe Sporti gjithnjë sa unë do të jem në krye të kësaj bashkie do të kene vëmendjen e merituar’- u shpreh z.Gjonaj teksa shtoj se Puka gjithnjë do të ishte mikpritës për artistët, shkrimtar e poet ashtu siç ishte dhe sot.

Zëvendësministri i Kulturës, Zef Quni tha se Puka e Migjenit do te ishte në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës për gjallërimin e veprimtarive kulturore dhe artistike.
Artistja Tinka Kurti tha se Puka po i jepte vlerën e merituar Migjenit.
‘Ai është i papërsëritshëm, unë jetoi me te kudo ku jam dhe nëse jam kjo që jam jam pikërisht fal inspirimit nga Migjeni,’- u shpreh Artistja e merituar, Tinka Kurti.

Në këtë kuadër u zhvillua dhe Festivali i Poezisë me motive Migjeniane, ku më shumë se 60 poet konkurruan me krijimet dhe interpretimet e tyre, ndërsa veprimtaria u cilësua si një gjetje në kohen dhe në vendin e duhur, teksa shume nga poetet konkurrues u shprehen se Pukën e kishin menduar një qytet ndryshe nga sa e gjeten, duke e konsideruar atë një mrekulli.
Veprimtaria është ndërthurur dhe më numrat artistik nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Pukë.
Në këtë kuadër Shtëpia Botuese “Migjeni” ka shpërndarë dhe çmimin “MIGJENI” për nxënësit më të mirë të shkollave të qytetit të Pukës, drejtuesve të të cilave ju dorëzuan dhe portretet e MIGJEN-it.

(news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: