NGA ZONJA KATERINA
Perberesit

4 kofsha të plota pule, 3 kokë hudhër (rreth 40 thelpinj), 3-4 lgj vaj ulliri, 2 lgj gjalpë, Kripë, piper, rigon, Rozmarinë, dafinë
1 gotë verë të bardhë, 1 tufë majdanoz, 2 filxhanë lëng mishi.

Pergatitja

Pastrojmë hudhrat dhe i vendosim në një tavë, i spërkasim me kripë, piper dhe vaj ulliri. E mbulojmë tavën me letër alumini dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30 minuta.

Kofshët e pulës i vendosim në një enë me ujë me kripë (rreth 2 litra ujë dhe 2 lugë kripë) dhe i lemë në frigorifer për 1-2 orë. Më pas i nxjerrim nga frigoriferi, i shpëlajmë, i kullojmë dhe i kemi gati.

Në një tigan të madh hedhim vajin të nxehet, më pas vendosim kofshat e pulës nga ana e lëkurës. I spërkasim me kripë dhe piper dhe i skuqim mirë nga të dy anët.

Nxjerrim hudhrat nga furra dhe i vendosim në tiganin ku skuqëm kofshët e pulës. Nëse nuk kemi një tigan të madh mund ta vazhdojmë gatimin në tenxhere. Shtojmë pak ujë, 1 degë rozmarinë, 1 gjethe dafine dhe rigon. E shuajmë mishin me një gotë verë të bardhë dhe sapo të avullojë alkooli e mbulojmë me kapak ose me letër alumini. E vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 35-40 minuta.

Ndërkohë përgatisim një salcë. Në një tenxhere hedhim 2 filxhanë lëng mishi (ose mund ta përgatisim me një koncentrat pule dhe 2 filxhanë ujë). Heqim 10 thelpinj hudhër nga ato që kemi pjekur në tavë dhe i shtypim duke shtuar 2 lugë gjalpë. Kullojmë lëngun që ka dalë nga pjekja e kofshave të pulës , grijmë një tufë majdanoz dhe e lemë salcën të marrë valë për 2-3 minuta.

Servirim pulën me salcën e përgatitur. Sipas dëshirës mund ta shoqërojmë me patate të pjekura apo të ziera ose me pilaf.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb