Nga: ZONJA VJOLLCA*
Pulë me patate dhe speca
500 gr mish pule
2 thelpinj hudhër
½ tufa majdanoz
1 lugë çaji kumel
1 kokërr limon
3 kokrra qepë
400 gr speca me ngjyrë
1 spec djegës
500 gr patate
4 lugë gjelle vaj ulliri
150 ml verë të bardhë
800 ml koncentrat pule
2 gjethe dafine
2-3 domate
100 ml salcë kosi
Kripë
Piper i zi
Piper i kuq

Qërojmë hudhrat, i grijmë imët dhe i përziejmë në një tas me majdanozin dhe kumelin. Lajmë mirë limonin me ujë të ngrohtë, e thajmë atë dhe grijmë imët lëkurën e tij duke e përzier më pas me përbërësit e mësipërm. Vendosim tenxheren me vaj në zjarr dhe sapo vaji të ngrohet vendosim copat e mishit të pulës, i skuqim nga të dyja anët duke i rregulluar me kripë dhe piper. Pasi mishi i pulës të jetë skuqur e largojmë dhe e lemë mënjëanë të mbuluar. Tek yndyra e mishit vendosim qepën të prerë në feta dhe specat të ndarë në gjysëm. I kaurdisim për 3-4 minuta në temperaturë mesatare dhe i spërkasim me piper të kuq. Më pas i shuajmë perimet me verën e bardhë, pas 1-2 minute shtojmë koncentratin e pulës dhe e lemë gatimin derisa të kalojë në vlim, më pas shtojmë dy gjethe dafine, patatet dhe copat e mishit të pulës dhe e lemë gatimin të ziejë për 35 minuta. 15 minuta para se të përfundojë gatimi shtojmë domatet pasi i kemi larguar më parë farat. Në tasin ku kemi vendosur salcën e kosit shtojmë pak kripë, pak lëng limoni dhe piper. E trazojmë mirë, shtojmë pak në tenxhere ose në pjatën e servirjes duke e pudrosur me majdanozin e përzier me hudhër, lëkurë limoni dhe kumel.
(er.nu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb