Të detyruara nga kushtet 11.8 % e grave në Shqipëri janë të papuna. Në këto rrethana ato kalojnë shumë vite të jetës duke iu përkushtuar fëmijëve, të moshuarve e të tjera detyrimeve që nëse këto shërbime do përfitoheshin nga funksionimi i drejtë i institucioneve dhe ato të ushtronin një profesion të caktuar do kishin siguruar të ardhura të mjaftueshme.
Mbi punën e papaguar të grave në Shqipëri, nxitur nga një raport i UN Woman për vendin tonë, gjatë një paneli në “Vila24”, moderuar nga Brunilda Lahe u hodh dritë mbi shifra alarmante humbjesh ekonomike që humbasin çdo vit në Shqipëri.

Gazetarja Aurora Golemi e cila i dha zë këtij raporti të kaluar në heshtje tha se shifrat janë në nivele të jashtëzakonshme. Sipas saj nëse gratë do paguheshin për të gjithë kontributin që japin në familje, do i sillnin ekonomisë shqiptare rreth 324 mln euro në vit.

E pranishme, socilogia Nora Malaj solli shembullin konkret që japin gratë që nga përkujdesi për fëmijët, të moshuarit e deri personat me aftësi të kufizuara duke sakrifikuar karrierën e tyre. Malaj dha lajmin se është duke përgatitur një projektligj i cili i vjen në ndihmë kësaj kategorie sociale, grave që për nga rrethanat janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi apo edhe personave në moshë të pensionit.
Malaj tha se propozimi i saj për “Paketën e gjelbër” kërkon që për të gjitha punët e grave, në një moshë të dedikuar, shteti t’u sigurojë:

1-Kualifikim të vazhdueshëm me shpenzimet e shtetit për të marrë profesion edhe pse nuk kanë arsimin e duhur.
2-Të sigurojë punësimin.
3-Nëse janë në zonat rurale t’u jepet një bonus që të quhet “zonjë fermere” .
4- T’u sigurohet pension dinjitoz përmes detyrimeve që kanë derdhur nga puna e tyre.

Gazetarja Golemi më tej sqaron se për këtë çështje ka një thirrje direkte nga OKB për qeverinë shqiptare me qëllim ngritjen e një strategjie për kujdesin universal për femijet, struturat parashkollore dhe të moshuarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb