TIRANË – OSHEE ka vendosur të marrë në punë elektricistë të rinj e të përgatitur ndaj dhe ka nisur fazën e parë të testimit me shkrim të 200 kandidatëve – elektricistë, teknik i mesëm, për të gjithë vendin.

Sipas OSHEE, ky grup është përzgjedhur nga faza e selektimit të 1500 aplikimeve, zhvilluar në muajin janar 2015. Kandidatët kanë aplikuar përmes sistemit online në faqen Web të shoqërisë si dhe i kanë dorëzuar me kërkesat pranë zyrës qëndrore.

Testimi u zhvillua në ambjentet e Qendrës nr.4 të Formimit Profesional, pranë gjimnazit “Besnik Sykja” në Tiranë, ku i pranishëm për të parë nga afër procesin ishte edhe administratori z.Adrian Çela.

“Siç kemi deklaruar edhe më parë, OSHEE nuk është në aksion vetëm për të mbledhur arkëtimet dhe për të luftuar me abuzuesit, por edhe për të ndryshuar rrënjësisht sistemin e menaxhimit dhe mentalitetin e punës te burimet njerëzore, – tha Çela. Kompania po mbyll strukturën e re, e cila pritet të miratohet në mars, dhe në këtë kuadër, duke patur parasysh edhe boshllëqet që kemi me stafin aktual, kemi nisur në janar 2015 shpalljen e aplikimeve online për të punuar në OSHEE. Kësaj thirrje ju përgjigjen 1500 vetë, ndërsa sot, pas selektimit, kemi futur në testim 200 kandidatë për elektricistë. Ky proces do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ku nuk përjashtohet edhe testimi i punonjësve aktual.

Në mars hyn në fuqi Kodi i ri i Etikës, i cili kurrë më parë nuk sanksionon qartë procedurat dhe normat e sjelljes së punonjësit të OSHEE ndaj abonentit,”- theksoi ai.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb