TIRANE

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar nga Zëri i Amerikës që të verifikojë dosjen e rekrutimeve të punonjësve në Burgje, pas publikimit të disa përgjimeve për rekrutime partiake.

Gjatë një deklarate për mediat, Gjonaj u shpreh se VOA nuk mori në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe argumentet, ndërsa sipas saj procesi i emërimeve është i hapur dhe transparent.

“U shpreh për prova që gjendeshin në dosjen hetimore, por pa marrë parasysh se ato prova janë thjesht indicie, të cilat do ti japin mundësinë prokurorisë për të hetuar me tej lidhur me ato se çfarë kanë dalë nga përgjimet. Dhe ashtu siç e shpjegova dhe dje nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve. Besoj se do të ishte korrekte që Zëri i Amerikës në bazë të këtyre indicieve të kërkonte të verifikonte dosjen e procedurave të testimit të policisë së burgjeve për të parë nëse interesimi legjitim i deputetëve për çështje të caktuara të personelit të burgjeve është përkthyer apo jo, në shkelje të të drejtave të atyre që kanë marrë pjesë në testim dhe që u takonte vendi sipas ligjit dhe meritës së tyre”, tha Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë, nënvizoi se interesimi i deputetëve nuk ka asnjë lidhje me procesin apo rezultatet e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve, duke shtuar se procedurat janë zbatuar në mënyrën më të përpiktë dhe çdo hap i ndjekur është lehtësisht i verifikueshëm.

“Pavarësisht nga ajo se çfarë kanë biseduar personat përkatës në ato biseda të përgjuara, interesimi i deputetëve nuk ka asnjë lidhje me procesin dhe rezultatet e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve. E theksoj edhe një here: Procesi ka qenë tërësisht transparent dhe i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar. Procedurat janë zbatuar në mënyrën më të përpiktë dhe çdo hap i ndjekur është lehtësisht i verifikueshëm edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 8 muaj nga testimi”, theksoi Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë, shprehu gatishmërinë për këdo që dëshiron të verifikojë dosjen e procesit të rekrutimit të punonjësve të rinj të policisë së burgjeve, apo çdo të dhënë tjetër që mendon se do ti shërbente nxjerrjes së të vërtetës dhe jo baltosjes së punës së mirë që është bërë.

“Jam e vendosur ta mbroj deri në fund me përgjegjësinë maksimale, sepse e theksoj që ka qenë dhe mbetet procesi me meritokratik, transparent dhe cilësor që është kryer ndonjëherë në sistemin penitenciar në gjithë historinë e tij”, nënvizoi Gjonaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb