NGA ERMELINDA HOXHA
Për t’u punësuar në sistemin arsimore parauniversitar, mësuesit duhet t’i nënshtrohen provimit në datë 21 janar 2017. Ndërkohë që duke nisur nga dita e sotme deri të premten, më 16 dhjetor, kandidatët që kanë dorëzuar dosjet personale duhet të bëjnë aplikimin ‘online’ në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Gazeta Shqiptare” publikon disa nga programet orientuese dhe dokumentet zyrtare, të cilat do të jenë pjesë e testeve të provimit që do t’i nënshtrohen mësuesit në 6 profile: Arsim Fillor, Arsim Parashkollor, Arsim Special, Biologji, Edukim Fizik si dhe Gjuhë dhe Letërsi. Në portalin “Mësues për Shqipërinë” të interesuarit i kanë të publikuara 17 programet orientuese të ndara sipas profileve përkatëse.

Struktura e testit
Testi që do t’i nënshtrohen mësuesit ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës.

Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisione të vlerësimit të testeve. Vlerësuesit e testeve janë të trajnuar dhe certifikuar nga IZHA. Komisioni vlerëson me pikë secilën nga dy pjesët e testit dhe veçon testet e dyshuara për kopjim. Pikët e kandidatit për secilën pjesë të testit vendosen në krye të fletës dhe testi nënshkruhet nga të dy vlerësuesit. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (30 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (40 pikë).

Pas testimit, hartohet lista e kandidatëve për çdo profil/lëndë dhe liston kandidatët sipas pikëve të grumbulluara në testim. Këtyre pikëve u shtrohen edhe pikët e marra nga dosja dhe përpilohet një listë përfundimtare e pikëve të fituara. Faza e tretë e konkurrimit është zgjedhja e vendit të punës, ku përparësi i jepet kandidatit që ka grumbulluar numrin më të madh të pikëve.

Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira në tri njoftime të komisionit. Në rast se refuzojnë më shumë se tri, kandidatët hiqen nga lista e renditjes.

(Programet orientuese për gjashtë profile në mësuesi i gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare)

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: