Pas përfundimit të dy fazave të konkurimit, 36 mjekë të rinj janë punësuar në qendra shëndetësore dhe spitalet publike në vend, nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

“Çfarë u tha, u bë. Nëpërmjet kësaj platforme unike punësimi për mjekët ne i mundësojmë sot çdo mjeku familje dhe mjeku specialist, garancinë për t’u punësuar në sistemin publik shëndetësor me transparencë dhe sipas meritës.” – u shpreh Manastirliu gjatë takimit me 36 mjekët e rinj të sapo punësuar, pas përfundimit të konkursit të parë të zhvilluar nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

Manastirliu garantoi mjekët e rinj se ata do të punojnë në kushte të përmirësuara në qendrat shëndetësore, spitale rajonale dhe bashkiake, falë investimeve të qeverisë në sistemin shëndetësor.
“Ju do të shkoni të punoni në qendra shëndetësore, spitale rajonale dhe bashkiake në kushte tërësisht të përmirësuara, që ndryshojnë si nata me ditën me pak vite më parë” – tha Manastirliu.

Në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, gjatë konkursit të parë aplikuan 70 mjekë, nga të cilët 19 mjekë specialistë dhe 51 mjekë të përgjithshëm.

36 mjekët e shpallur fitues do të punësohen në qendra shëndetësore në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, si edhe në spitalet e Durrësit, Lushnjes, Kurbinit si dhe në spitalet universitare “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë.

“Nuk ka më kthim mbrapa, rekrutimi i burimeve njerëzore si për mjekët ashtu edhe për infermierët do të jetë nëpërmjet portaleve përkatëse, pasi është e vetmja mënyrë për t’u punësuar në sektorin shëndetësor publik.

Portali “Mjekë për Shqipërinë” përmban informacion për vendet vakante në sistemin shëndetësor publik, mundësi për mjekët vullnetarë, punësimin me bonus, aplikimin për praktikat klinike për studentët e Mjekësisë, etj.

Brenda muajit Shtator do të shpallen pozicionet e reja të krijuara në sistemin publik shëndetësor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb