E ashpër ka qenë në fjalimin e saj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila ka sulmuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me një deklaratë që ky i fundit bëri se në vend mungon fuqia punëtore. Gjatë fjalës së saj nga Shkodra, Kryemadhi e cilësoi Ramën një analfabet njerëzor dhe kriminel, ndërsa theksoi se sot rinia shqiptare punon në vendet e Ballkanit dhe jo vetëm për një pagë minimale pasi në Shqipëri nuk gjen dot.

Duke u kthyer tek deklarata e Ramës, se punëtorë që do të punojnë për Rindërtimin pas pasojave nga tërmeti do të merren nga kontinentet e tjera se juristët shqiptarë rrinë në kafe, Kryemadhi tha se ‘juristët e tij flenë në hotele 700 euro nata”.

“Situata ekonomike e shoqërore në Shqipëri në gradën e fundit. Çdo politikan që jeton në Tiranë, punon në Tiranë, gjithmonë ndihet xheloz për Shkodrën, sepse shkodranët gjithmonë kanë ditur të jenë me atë që është më moderne, më qytetarja, më e bukura, më e mira që sjell buzëqeshjen dhe humorin në shpirtin e çdo shqiptari. Unë që e vogël kam ndjekur humoristët e Shkodrës dhe vraponim të shtunën me vrap, për të parë dhe kënaqësia më e madhe ishte kur lexonim programin javor që ditën e shtunë ishte Estrada e Shkodrës. Një popull që të gëzon, që ka humor, ku brenda vetes përveç humorit ka dhe kritikën, do të thotë që është një popull i zgjuar dhe mbi të gjitha është një popull i ditur. Prandaj ndihem gjithmonë e respektuar, e vlerësuar që sa herë që vij në Shkodër ndihem një shkodrane për t’i thënë gjërat ashtu siç janë dhe për të mos u ndaluar asnjëherë që të mos bëhesh palë me padrejtësinë, por gjithmonë të jesh me të drejtën dhe të vërtetën në krahë të njerëzve, të burrave dhe të grave që gjithmonë e kanë fituar bukën e gojës me djersën e ballit. Vetëm në Shkodër e gjen këtë gjë, vetëm në Shkodër jo vetëm e stimulon, por ndihesh gjithmonë vetvetja. Është kënaqësi që sot këtu nga qyteti i Shkodrës, ne të vazhdojmë komunikimin jo vetëm me anëtarët e LSI, jo vetëm me simpatizantët, jo vetëm duke anëtarësuar anëtarë të rinj vajza dhe djem, por duke komunikuar me të gjithë qytetarët shqiptarë.

Sot situata politike në Shqipëri nuk është më vetëm krizë politike, sepse kriza politike është kur politika nuk gjen zgjidhje me njëri tjetrin. Sot situata politike, ekonomike, shoqërore në Shqipëri është në gjendjen e saj të fundit, as të degradimit, por në gjendje kome, e cila as nuk të kthen përgjigje, as nuk të reagon dhe asnjë gjë e saj nuk funksionon. Mjafton të dalësh në dyqanet apo në bizneset e mesme dhe të vogla të Shkodrës që është një qytet shumë i madh, i zhvilluar, i civilizuar, në kufi ku lëvizjet ekonomike, të turistëve janë shumë të mëdha, do të shikosh që bizneset janë drejt mbylljes, biznese të tëra falimentojnë. Do të shikosh që njerëzit ndihen jo vetëm të frustruar, por ndihen shumë të varfër, që sa herë dhe këdo që takon thonë: nuk del rroga, taksat janë shumë të larta, energjia është shumë e shtrenjtë, çmimi i bukës është shumë i shtrenjtë, nuk na dalin paratë për të ushqyer fëmijët dhe jo më për të shkolluar fëmijët që të garantojnë jetën e tyre në të ardhmen. Kudo që të shkosh, të trokasësh në dyert e spitaleve, do të shohësh që mjek të jashtëzakonshëm, të specializuar, të aftë të thonë së nuk kam çfarë të bëjë sepse për këtë muaj ka mbaruar sterilizimi i veglave dhe nuk kam mundësi të bëj operacione sepse ne dhe operacionet i bëjmë me plan sipas koncesionarëve të Edi Ramës. Pra dhe nëse një njeri ka një apandesit apo një emergjencë, ne duhet të komunikojmë me kryeministrin tonë, i cili është bërë vetë shkop, vetë Zot, se si shkop është vetë, por është bërë dhe vetë Zot për të vendos dhe fatin e shqiptarëve.

Ne ndihemi çdo ditë dhe më shumë jo vetëm pa shpresë, por çdo ditë e më shumë shqiptarët ndihen pa mburojë, pa shtetin e tyre. Edi Rama kërkon të marrë punëtorë nga jashtë ndërkohë që djemtë shqiptarë po punojnë nëpër botë. Ju të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur në ditët e fundit. Në fakt dëgjon në debatet televizive edhe me shumë miq të huaj, me juristë që flasin për Kushtetutën dhe në fakt është e vërtetë që Kushtetuta është thelbi dhe baza dhe themeli i një shteti dhe i një kombi sepse në bazë të asaj Kushtetute ne të gjithë kemi vendosur rregulla sepse nëse nuk do të kishim një Kushtetutë ne nuk do të funksiononim dhe nuk do të merreshim vesh me njëri tjetrin. Nuk do të dinim ku është prona e secilit nga ne. Nuk do të dinim ku është fundi i lirisë dhe i demokracisë dhe i rregullave që ka një njeri dhe ku fillon për dikë tjetër.

Nëse nuk do të kishim Kushtetutë dhe ligje ne nuk do të dinim ku fillon dhe ku mbaron dita. Pra Kushtetuta është ajo që vendos rregullin e secilit nga ne, ashtu si ne kemi Kushtetutat tona brenda familjeve tona. Kushtetuta në një shtet është si një rregull i një burri në shtëpi dhe i një gruaje në shtëpi. Është si një rregull i dy prindërve që vendosin kufirin e moralit për fëmijët e tyre. Është si një rregull i një prindi që vendos kufirin e moralit, të sjelljes, të komunikimit dhe të të gjithë jetës dhe veprimtarisë të familjes së tyre.

Ashtu dhe Kushtetuta për shtetin tonë është e tillë. Sot ndjej dhembshuri, por ndjej dhe mëshirë sepse ndoshta kryeministri ynë nuk ka treguar gjë tjetër vetëm analfabetizmin e tij jo politik, por njerëzor sepse politik ka treguar shumë mirë për të blerë vota me paratë e drogës. Ka treguar se ka lobuar mjaft mirë për t’i bërë keq shqiptarëve nëpërmjet parave të taksapaguesve shqiptar, por them analfabetizmi i tij njerëzor sepse ai nuk ka asnjë fije njerzillëku në shpirtin e tij.

Dëgjoje sesi sot nga Durrësi, në shtëpitë e rrënuara të qytetarëve të Durrësit bënte thirrje që ne për të rindërtuar Shqipërinë do të thërrasim punëtorë nga jashtë sepse shqiptarët i mendon të gjithë juristë që rrinë gjithë ditën në kafene. Në fakt po të shohësh së çfarë ndodh, juristët e Edi Ramës, jo vetëm që janë nga ata juristë që rrinë në kafene, por janë dhe nga ata juristë dhe juriste që me paratë e shqiptarëve paguajnë një natë në hotel 700 euro, ku 700 euro është ndihma ekonomike e 25 familjeve shqiptare në qytetin e Tiranës, të cilat marrin rreth 35-40 mijë lekë të vjetra në muaj për të jetuar dhe këtu në Shkodër kam përshtypjen se është pak më pak, duhet të jetë më pak se 35 mijë lekë të vjetra. Nora tha rrogë 200 mijë lekëshe. Rroga 200 mijë lekëshe është luks sot në Shqipëri. Sot po bëhet luks dhe pensioni social që është 70 mijë lekë të vjetra dhe ky analfabeti ynë thotë që unë do të sjellë punëtorë nga të gjitha kontinente të tjera sepse në Shqipëri nuk paska punëtorë. Mjafton t’u drejtohet firmave të ndërtimit në të gjithë Shqipërinë dhe do të kuptojë sesi firmat e ndërtimit kanë ngelur pa punëtorë. Mjafton që të marrë vetëm të dhënat nga zyra e punës të tij, sesi mbi 500 djem nga Gramshi punojnë sot në Mongoli në ndërtim për 500 euro në muaj, sesi qindra dhe mijëra djem, nëna shqiptare punojnë në Mongoli, Qipro, Maltë dhe në shumë vende të tjera, në Maqedoni, në Shkup, në Tetovë, në Mal të Zi për 10 euro në ditë sepse në Shqipëri nuk ka punë. Dhe ky kriminel thotë do të sjellë punëtore nga kontinentet e tjera sepse ju intereson oligarkëve të tij. Dhe normal që thotë juristët le të rrinë në kafe, sepse juristët e Edi Ramës nuk janë gjë tjetër, janë kthyer në shtojzovalle të grupeve kriminale të Edi Ramës të cilët e furnizojnë me paratë e drogës dhe të gjakut të humbur të djemve të shqiptarëve.”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se nuk do e jepte jeten kurrë as për Bashën dhe Metën, por për fëmijët e saj. “Unë se jap jetën as për Lulzim Bashën që të bëhet kryeministër dhe as për Metën president. Por e jap jetën për fëmijët e mi. Ndaj në dy mars do të jem në Bulevard.”, pohoi kryetarja e LSI-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: